SPECIFIKAT, SASIA DHE NORMAT E UJITJES PËR KULTURAT BUJQËSORE  

Dy procese kryesore që e karakterizojnë ciklin jetësor të bimëve, janë procesi i fotosintezës dhe frymëmarrjes. Në të dy këto procese, roli i ujit është dominant me veprime të kundërta, respektivisht kur toka është e tejngopur me ujë, uji largon oksigjenin e nevojshëm për frymëmarrje nga poret e tokës dhe bima pëson kolaps-asfiksi dhe ndërpritet frymëmarrja. Ndërsa kur mungon uji, bima kalon në pikën e vyshkjes dhe ndërpritet fotosinteza dhe bashkë me të ndërpritet edhe sinteza e ushqimit për ekzistencën e vet bimës.

Prandaj, duhet të kemi parasysh gjithmonë në një menaxhim të ekuilibruar të ujit tek bimët. Pra qëllimi i një programi të mirë-menaxhuar të ujitjes është që të ruhet lagështia e tokës ndërmjet kapacitetit fushor ujor dhe pika e përhershme e vyshkjes, ose me fjalë të tjera gjithmonë të sigurohemi që të kemi ujë të shfrytëzueshëm (disponueshëm) për bimët (Figura 1).

Koha e ujitjes dhe temperatura e ujit

Koha e ujitjes është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe duhet të shmangen pjesët më të nxehta të ditës dhe ujitja duhet të bëhet herët në mëngjes ose në mbrëmje kur dielli është duke perënduar. Kjo për faktin se kur është dallimi i madh i temperaturave të ajrit me temperaturën e ujit, vjen deri te stresi i temperaturës dhe bima pëson një “shok” i cili ndikon në menaxhimin e proceseve metabolike të vet bimës. Raporti i temperaturës së ujit me temperaturën e ajrit duhet të jetë së paku sa 2/3 e kësaj të fundit. P.sh. nëse temperatura e ajrit është 36 °C, temperatura e ujit për ujitje duhet të jetë 24 °C. Pra  temperatura e ujit për ujitje duhet të jetë së paku 19-20°C, respektivisht optimale rreth 25°C. Uji duhet të ketë veti kimike të tilla që të lejojnë përdorimin e tij për ujitje, pa rreziqe të mëdha kripëzimi. Nëse temperaturat e ujit janë të ulta gjatë ujitjes, atëherë ndikohet drejtpërdrejtë në ngadalësimin e lulëzimit dhe frutifikimit, si dhe në raste më ekstreme edhe të “abortohen” këto procese fiziologjike. Në Kosovë shpesh përdoret uji i pusit, i cili mund të jetë shumë i ftohtë dhe i fortë dhe të përmbajë përqendrime të larta kripe (K , Na, Mg, Ca) dhe më pas janë të papërshtatshme për përdorim të drejtpërdrejtë. Andaj ujit nga këto burime, duhet bërë analizat fiziko kimike, në mënyrë që të dihet se a plotësohen kriteret për ujitje.

Norma e ujit për ujitje

Sasia e ujit dhe shpeshtësia e ujitjes, varen nga lloji i bimëve, kultivari, faza në të cilën ndodhen, struktura e tokës, përmbajtja e lagështisë së tokës, të reshurat, mënyra e kultivimit dhe faktorë të tjerë. Nevojat më të mëdha të bimëve për ujë janë në fazat fillestare të rritjes (periudha e fidanëve)

dhe në fazën e frytdhënësit, dhe më pas lagështia e tokës duhet të jetë 80% e Kapacitetit Fushor Ujor -KFU, dhe në periudhat e tjera të vegjetacionit 70% . Ekziston një rregull që kur janë temperaturat e larta të ajrit, intenziteti i evapotranspiracion është më i madh dhe apriori kërkesat e bimës për ujë janë më të mëdha dhe duhet ndërhyrë më shpesh me ujitje.

Në tabelën e mëposhtme, po japim kërkesat për ujë, sasinë dhe turnuset e ujitjes dhe disa indikatorë, për shumicën e bimëve që kultivohen te ne.

Tabela 1: Normat/turnuset e ujitjes, varësisht kulturës, rendimentit dhe përbërjes së frutit

Ndërsa një studim i FAO-s (Tabela 2) lidhur me menaxhimin e resurseve ujore, pasqyron sasinë e nevojshme të ujit për krijimin e një kilogrami të frutave, respektivisht të produkteve bujqësore.

Tabela 2: Sasia e ujit të nevojshëm për formimin e 1 kg të frutit

 Disa të dhëna me rëndësi për ujitjen dhe sistemet e ujitjes:

  • Në Kosovë nga gjithsej 52,000 ha sipërfaqe të mundshme për ujitje, vetëm rreth 7,255 ha ujiten përmes skemave të sisteme të ujitjes.
  • Në nivel global, bujqësia është konsumatori më i madh i ujërave të ëmbla në dispozicion të Tokës: 70% e tërheqjeve të “ujit blu” nga rrjedhat ujore dhe ujërat nëntokësore janë për përdorim bujqësor, tre herë më shumë se 50 vjet më parë. Deri në vitin 2050, kërkesa globale për ujë nga bujqësia vlerësohet të rritet me 19% të tjera për shkak të nevojave për ujitje. Përafërsisht 40% e ushqimit në botë sigurohet në zona të ujitura artificialisht.
  • Në mbarë botën, mbi 330 milionë hektarë janë nën sistem të ujitjes që mbulojnë 20% të totalit të tokës së kultivuar, por kontribuon me 40% të totalit të ushqimit të prodhuar në mbarë botën.

Nga Dr. Muzafer Luma për Agro Portalin

Shiqo PDF