REDUKTIMI I PRODHIMIT TË MJALTIT: ARSYET DHE TË GJETURAT

Kolonitë e bletëve kanë pasur rënie të mëdha gjatë periudhës dimërore në vitet e fundit, si rrjedhim, me humbje të habitatit, ka rezultuar me vështirësi të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pesticidet dhe sëmundjet e ndryshme. Ekziston një krizë më e gjerë midis bletëve dhe insekteve në përgjithësi për shkak të këtyre faktorëve, për të cilët studiuesit kanë paralajmëruar se do të ndikojnë në rendimentet e ushqimit dhe do të shkaktojnë rënien e ekosistemeve nëse nuk trajtohen urgjentisht.

Sasia e mjaltit të prodhuar nga kolonitë e bletëve në SHBA ka rënë mesatarisht, rreth 0.22 kg/për koloni në dekadën e fundit, tregojnë të dhënat e qeverisë amerikane, edhe pse numri i kolonive të menaxhuara është rritur.

“Gjatë takimeve me bletarët, gjithmonë dëgjojmë që ata nuk po prodhojnë mjaltë si më parë,”- tha Gabriela Quinlan, një studiuese në departamentin e entomologjisë në Penn State. “Është diçka që ne e shohim në të gjithë vendin në shtete të ndryshme.”

Një studim i ri, i udhëhequr nga Quinlan, ka analizuar faktorët që ndikojnë në sasinë e luleve që rriten në rajone të ndryshme, gjë që është një faktor kyç në sasinë e mjaltit të prodhuar nga bletët. Bletët kanë nevojë për nektar, polen dhe ujë, të mbledhur nga mjedisi përreth, për të bërë mjaltë.

Hulumtimi zbuloi se disa faktorë po pengojnë aftësinë e bletëve për të krijuar mjaltë, duke përfshirë një rritje të konsiderueshme në përdorimin e herbicideve, shndërrimin e tokës më parë të pasur me lule, në tokë bujqësore monokulturore dhe një rënie në produktivitetin e tokës.

Një faktor kryesor, që nga fillimi i viteve 1990, në prodhimin e mjaltit ka qenë ndryshimi i klimës, me temperaturat në rritje, modelet e ndryshuara të reshjeve dhe kushtet ekstreme të motit që kanë ndikuar negativisht në punët e shumë bletarëve.

“Ne mund ta menaxhojmë tokën në drejtim të reduktimit të pesticideve, por duhet të mendojmë në mënyrë afatgjate se çfarë bimësh mund të mbjellim me këto kushte klimatike në ndryshim.” – tha Christina Grozinger, bashkëautore e studimit dhe entomologe e Penn State.

Studimi, i botuar së fundmi në revistën Environmental Research, zbuloi se ndryshimet në rendimentet e mjaltit me kalimin e kohës ishin të lidhura me aplikimin e herbicideve dhe produktivitetin e tokës. Anomalitë vjetore të motit kontribuuan gjithashtu në ndryshimet në këto rendimente.

Të dhënat, të nxjerra nga disa baza të dhënash me burim të hapur, duke përfshirë ato të operuara nga Shërbimi Kombëtar i Statistikave Bujqësore të Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara (USDA) dhe Agjencia e Shërbimit të Fermave të USDA, përfshinin informacione të tilla si rendimenti mesatar i mjaltit për koloni bletësh, produktiviteti i tokës, përdorimi i herbicideve, klima, anomalitë e motit.

Në përgjithësi, studiuesit zbuluan se kushtet klimatike dhe produktiviteti i tokës (aftësia e tokës për të mbështetur të korrat bazuar në vetitë e saj fizike, kimike dhe biologjike), ishin disa nga faktorët më të rëndësishëm në vlerësimin e rendimentit të mjaltit. Shtetet në rajonet e ngrohta dhe të ftohta prodhonin rendimente më të larta të mjaltit kur produktiviteti i tokës ishte i lartë.

Gabriela Quinlan, autorja kryesore e studimit dhe një studiuese postdoktorale në Fondacionin Kombëtar të Shkencës (NSF) në Departamentin e Entomologjisë dhe Qendrës për Kërkimin e Pjalmuesve në Penn State, tha se ajo ishte e frymëzuar për të kryer studimin pasi mori pjesë në takimet dhe konferencat e bletarëve dhe kishte dëgjuar në mënyrë të përsëritur të njëjtin koment: Thjeshtë nuk prodhohet sasi e mjaltit si më parë.

Ndryshimet klimatike u lidhën gjithnjë e më shumë me rendimentet e mjaltit në të dhënat pas vitit 1992.

“Është e paqartë se si ndryshimi i klimës do të vazhdojë të ndikojë në prodhimin e mjaltit, por gjetjet tona mund të ndihmojnë për të parashikuar këto ndryshime,” tha Quinlan.

Cilët faktorë ndikojnë në prodhimin e mjaltit?

  • Shumë faktorë ndikojnë në prodhimin e mjaltit, por kryesori është disponueshmëria e luleve. Bletët janë me të vërtetë mbledhëse të mira, duke mbledhur nektar nga një shumëllojshmëri bimësh me lule dhe duke e kthyer atë nektar në mjaltë.
  • Gjithashtu, një nga gjetjet më interesante, ishte rëndësia e produktivitetit të tokës, për të cilën studiuesit thonë se është një faktor pak i hulumtuar, në analizën se sa të përshtatshme janë peizazhet e ndryshme për pjalmuesit. Ndërsa shumë studime kanë shfaqur rëndësinë e lëndëve ushqyese në tokë, është bërë më pak punë se si karakteristikat e tokës si temperatura, struktura, vetitë që ndihmojnë në përcaktimin e produktivitetit, ndikojnë në burimet e pjalmuesve.
  • Shkalla e aplikimit të herbicideve ishte gjithashtu e rëndësishme në parashikimin e rendimenteve të mjaltit, potencialisht sepse luftimi i barojave të padëshiruara mund të zvogëlojë burimet ushqyese të disponueshme për bletët.

Sipas FAO, sasia e prodhimit të bimëve, polenizimi i të cilave varet nga insektet dhe pjalmuesit e tjerë, është rritur 300% gjatë 50 viteve të fundit. Mungesa e pjalmimit mund të bëjë që disa fruta dhe perime të bëhen më të rralla dhe më të shtrenjta, duke shkaktuar deficit në ushqim.

“Kolonitë e bletëve janë më të dobëta se sa ishin më parë dhe bletët e egra po pakësohen, ndoshta me shumë,” tha Dr. Rachel Winfree, ekologe dhe profesoreshë në Universitetin Rutgers, New Brunswick.

“Bujqësia po bëhet më intensive dhe ka më pak bletë, kështu që në një moment, pllenimi do të kufizohet. Edhe nëse bletët do të ishin të shëndetshme, është e rrezikshme të mbështeteni në një specie të vetme bletësh. Është e parashikueshme që parazitët do të synojnë të vetmen specie që kemi në këto fusha monokulturore.

Në Kosovë, sipas Raportit të Gjelbër 2023, të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2021 numri i koshereve u ul me 43.464 koshere, për faktin se kolonitë e bletëve u rrënuan pas dimrit jashtëzakonisht të ftohtë dhe të gjatë. Ky është gjithashtu kërcënimi kryesor për kolonitë e bletëve pasi lidhet me praktikat intensive të bujqësisë dhe ushqimin e dobët të bletëve.

Përveç kësaj, ata sulmohen nga viruset, patogjenët dhe speciet invazive. Rënia e numrit të koshereve ka vazhduar edhe në vitin 2022, ku krahasuar me vitin 2021 janë 22.955 koshere më pak ose 10.5%, pasi dimri në mes të vitit 2021 dhe 2022 ka qenë mjaft i ftohtë dhe i gjatë. Në vitin 2022, prodhimi i mjaltit në Kosovë ishte rreth 9 kg për koshere, duke rezultuar në një prodhim të përgjithshëm të mjaltit prej 1765 tonësh, prej të cilit 17.8% përdorej për konsum vetjak dhe 82.2% e kësaj sasie për treg.

Si duhet të veprohet?

“Tendencat që po shohim tani po na krijojnë probleme të sigurisë ushqimore,” tha Winfree. “Ne nuk jemi ende në një krizë të plotë tani por, tendencat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Studimi ynë tregon se ky nuk është një problem për 10 ose 20 vitet e ardhshme por, po ndodh pikërisht tani.”

Duke u bazuar në të dhënat e studimit të lartëpërmendur dhe statistikave të vendit tonë, bletarët kosovar po përballen me probleme të njëjta, dhe rënie të numrit të koshereve dhe sasisë së mjaltit, e ku ky fenomen po vazhdon të intensifikohet çdo vit e më shumë.

Rekomandohet që fermerët të rishikojnë nëse niveli i pesticideve dhe plehrave të hedhura në fusha është i përshtatshëm për bletët dhe të kuptojnë më mirë sasinë optimale të pllenimit të nevojshëm për të rritur rendimentet e të kulturave të tyre bujqësore.

Nga Viola Xhemajli për Agro Portalin

 

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Prill, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI