Psilla e Dardhës (Cacopsylla pyri): Dëmet dhe menaxhimi i dëmtuesit

Kultivimi i pemëve të ndryshme ka qenë traditë e fermerëve kosovar, por viteve të fundit është rritur numri i personave të cilët ngrisin plantacione me pemë, në mesin e tyre edhe plantacione me kulturën e dardhës. Sipas raportit të Gjelbër të publikuar nga MBPZHR, sipërfaqet e mbjellura me kulturën e dardhës gjatë vitit 2022 ishin 629 ha, me një rendiment prej mbi 9 tonë për hektar por, pavarësisht kësaj prodhimtarie, në Kosovë, ende në vend importohet sasi e konsiderueshme e dardhës.

Çfarë është Psilla e Dardhës?

Psilla e dardhës, është e njohur në Evropë për infestimet e saj të gjera që mund të shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në shumicën e rajoneve ku kultivohet dardha. Të gjitha varietetet tregtare në Evropë i përkasin species Pyrus communis L. dhe ato janë të gjitha të ndjeshme ndaj Psillës së dardhës. Ndjeshmëria rritet kur teknikat e pemishteve synojnë të maksimizojnë prodhimin e frutave, siç është dendësia e lartë e bimëve për hektar, përdorimi i madh i plehërave dhe ujitjet intensive. Psilla e dardhës, me emrin shkencor Cacopsylla pyri, është një insekt i vogël që shkakton dëme të mëdha në kulturën e dardhës edhe në Kosovë. Ky insekt është një problem serioz për kultivuesit, duke reduktuar cilësinë dhe prodhimin e frutave. Psilla është një dëmtues i rëndësishëm për dardhën i cili është vektor që transmeton phytosplasmën e dardhës (Candidatus Phytoplasma pyri), duke frenuar zhvillimin e fotosintezës sē bimëve dhe duke penguar zhvillimin normal të tyre.

Cikli jetësor i Psillës së Dardhës

Psilla e dardhës ka disa brezni në një vit ku dimëron si insekt i rritur, i cili lëshon vezët, që vendosen në fillim të pranverës, kryesisht në pjesën e re të bimëve. Pas daljes nga veza, larvat ushqehen me lëngjet e bimës, duke shkaktuar dobësim të pemëve. Insektet e rritura mbijetojnë gjatë dimrit dhe fillojnë ciklin e ri në pranverë. Më vonë gjatë verës, vezët vendosen pranë gjysmave të gjetheve, në bishtin e gjetheve dhe në sythat e luleve.

Simptomat e infektimit

  • Psilla ushqehet me lëngjet e gjetheve dhe degëve, duke shkaktuar tharjen e tyre. Kjo shpesh çon në një dobësim të përgjithshëm të bimës.
  • Zhvillimi i mykut të zi – ku psilla lëshon sekrecione të ëmbla që nxisin zhvillimin e një shtrese të zezë myku mbi sipërfaqen e gjetheve dhe frutave. Myku pengon fotosintezën, çka ndikon negativisht në rritjen dhe zhvillimin normal të bimës.
  • Tharja dhe deformimi i gjetheve – Gjethet e infektuara mund të përdridhen, të bëhen të verdha dhe të bien para kohe.
  • Deformimi i frutave – Frutat e dardhës që preken nga psilla, shpesh janë të deformuara dhe kanë njolla, duke ulur cilësinë dhe tregtueshmërinë e tyre.
  • Rritja e populacionit të insekteve – Prania e vezëve, larvave dhe insekteve të rritura të psillës në pjesët e reja të pemës, si gjethet dhe sythet, janë një tregues i qartë i infektimit.
  • Ngecje në rritje dhe dobësim i pemës – Një infektim i rëndë mund të çojë në ngadalësim të rritjes së pemës, si dhe në një rënie të ndjeshme të prodhimit të frutave.

Masat e Kontrollit

Menaxhimi i psillës së dardhës kërkon një kombinim të masave preventive dhe kurative, duke përfshirë ato mekanike, fizike, biologjike dhe ato kimike.

  • Masat preventive: Monitorimi është një hap shumë i rëndësishëm, ku kultivuesit duhet të monitorojnë rregullisht pemët për shenja të infektimit dhe të ndërmarrin masa në fazat e hershme të përhapjes.
  • Masat fizike: Krasitja e rregullt dhe eliminimi i gjetheve të infektuara ndihmojnë në zvogëlimin e popullatës së psillës. Përveç kësaj, përdorimi i varieteteve rezistente të dardhës mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për kultivuesit.
  • Kontrolli Biologjik: Një metodë natyrale është përdorimi i grabitqarëve natyrorë të psillës, si insektet dhe parazitët që ushqehen me larvat e saj. Anthocoris nemoralis është një nga armiqtë natyrorë më të suksesshëm kundër këtij dëmtuesi.
  • Kontrolli Kimik: Insekticidet janë shpesh një zgjidhje që përdoret për të luftuar infektimet e rënda. Sidoqoftë, duhet të respektohen rekomandimet e përdorimit të kimikateve për të shmangur rezistencën e insekteve ndaj insekticideve dhe për të ruajtur ekuilibrin ekologjik. Shumë insekticide të cilat janë përdorur deri më tani për të luftuar psilën e dardhës, nuk janë aprovuar për përdorim, siç është rasti me neonikotinoidet (thiacloprid, chlorpyrifos dhe spirodiclofen) për shkak të paraqitjes së rezistencës së demtuesit ndaj këtyre materieve aktive.

Prandaj, aktualisht insekticidet të cilat janë duke u përdorur për luftimin e këtij insekti janë insekticidet me spektër të gjerë veprimi me materiet aktive: deltamethrin dhe lambda cyhalothrin.

Psilla e dardhës mbetet një kërcënim i madh për prodhuesit e dardhës në Kosovë, prandaj njohja dhe aplikimi i strategjive të integruara të menaxhimit është thelbësor për mbrojtjen e dardhës dhe kulturave tjera të faroreve. Qëllimi kryesor është sigururimi i rendimentit dhe cilësisë sa më të lartë, në kuadër të zhvillimit sa më të qëndrueshëm të këtij sektori.

 

Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF