Psilla e Dardhës (Cacopsylla pyri): Dëmet dhe menaxhimi i dëmtuesit

Kultivimi i pemëve të ndryshme ka qenë traditë e fermerëve kosovar, por viteve të fundit është rritur numri i personave të cilët ngrisin plantacione me pemë, në mesin e tyre edhe plantacione me kulturën e dardhës. Sipas raportit të Gjelbër të publikuar nga MBPZHR, sipërfaqet e mbjellura me kulturën e dardhës gjatë vitit 2022 ishin 629 ha, me një rendiment prej mbi 9 tonë për hektar por, pavarësisht kësaj prodhimtarie, në Kosovë, ende në vend importohet sasi e konsiderueshme e dardhës.

Çfarë është Psilla e Dardhës?

Psilla e dardhës është një dëmtues i përhapur në Evropë, që shkakton dëme të konsiderueshme ekonomike në rajonet ku kultivohet dardha. Insekti i vogël Cacopsylla pyri përbën një problem serioz edhe për fermerët kosovarë, duke ndikuar negativisht në cilësinë dhe sasinë e frutave. Ndjeshmëria e pemëve ndaj psillës rritet veçanërisht në plantacione me dendësi të lartë të bimëve, përdorim të tepërt të plehrave, dhe ujitjes së pakontrolluar. Këta faktorë krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin dhe përhapjen e këtij dëmtuesi.

Cikli jetësor i Psillës së Dardhës

Psilla e dardhës ka disa brezni në një vit ku dimëron si insekt i rritur, i cili lëshon vezët, që vendosen në fillim të pranverës, kryesisht në pjesën e re të bimëve. Pas daljes nga veza, larvat ushqehen me lëngjet e bimës, duke shkaktuar dobësim të pemëve. Insektet e rritura mbijetojnë gjatë dimrit dhe fillojnë ciklin e ri në pranverë. Më vonë gjatë verës, vezët vendosen pranë gjysmave të gjetheve, në bishtin e gjetheve dhe në sythat e luleve.

Simptomat e infektimit

  • Psilla ushqehet me lëngjet e gjetheve dhe degëve, duke shkaktuar tharjen e tyre. Kjo shpesh çon në një dobësim të përgjithshëm të bimës.
  • Zhvillimi i mykut të zi – ku psilla lëshon sekrecione të ëmbla që nxisin zhvillimin e një shtrese të zezë myku mbi sipërfaqen e gjetheve dhe frutave. Myku pengon fotosintezën, çka ndikon negativisht në rritjen dhe zhvillimin normal të bimës.
  • Tharja dhe deformimi i gjetheve – Gjethet e infektuara mund të përdridhen, të bëhen të verdha dhe të bien para kohe.
  • Deformimi i frutave – Frutat e dardhës që preken nga psilla, shpesh janë të deformuara dhe kanë njolla, duke ulur cilësinë dhe tregtueshmërinë e tyre.
  • Rritja e populacionit të insekteve – Prania e vezëve, larvave dhe insekteve të rritura të psillës në pjesët e reja të pemës, si gjethet dhe sythet, janë një tregues i qartë i infektimit.
  • Ngecje në rritje dhe dobësim i pemës – Një infektim i rëndë mund të çojë në ngadalësim të rritjes së pemës, si dhe në një rënie të ndjeshme të prodhimit të frutave.
Masat e Kontrollit
Menaxhimi i psillës së dardhës kërkon një kombinim të masave preventive dhe kurative, duke përfshirë ato sanitare, biologjike dhe ato kimike.
  • Masat preventive: Monitorimi është një hap shumë i rëndësishëm, ku kultivuesit duhet të monitorojnë rregullisht pemët për shenja të infektimit dhe të ndërmarrin masa në fazat e hershme të përhapjes. Përveç kësaj, përdorimi i varieteteve rezistente të dardhës mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për kultivuesit.
  • Masat Sanitare: Krasitja e rregullt dhe eliminimi i gjetheve të infektuara ndihmojnë në zvogëlimin e popullacioneve të psillës. Po ashtu, largimi i mbetjeve të pemëve duke i groposur ose djegur konsiderohet si një masë sanitare efektive kundër këtij dëmtuesi.
  • Kontrolli Biologjik: Një metodë natyrale është përdorimi i grabitqarëve natyrorë të psillës, siç janë insektet dhe parazitët që ushqehen me larvat e këtij insekti. Anthocoris nemoralis është një nga armiqtë natyrorë më të suksesshëm kundër këtij dëmtuesi.
  • Kontrolli Kimik: Insekticidet shpesh janë një zgjidhje e përdorur për të luftuar infektimet e rënda. Megjithatë, duhet të respektohen rekomandimet për përdorimin e kimikateve për të shmangur rezistencën e insekteve ndaj insekticideve dhe për të ruajtur ekuilibrin biologjik. Shumë insekticide që janë përdorur deri tani për të luftuar psillën e dardhës nuk janë të aprovuara për përdorim aktualisht, si në rastin e thiacloprid, chlorpyrifos dhe spirodiclofen, për shkak të paraqitjes së rezistencës së dëmtuesit ndaj këtyre materieve aktive.
  • Aktualisht, insekticidet që kanë rezultuar të suksesshme në luftimin e këtij insekti janë ato me spektër të gjerë veprimi me përbërës aktivë si deltamethrini dhe lambda-cyhalothrini, si dhe vajrat nga parafina dhe abamektina. Kohëve të fundit, është përdorur edhe kaolina, si një produkt që krijon një mjedis të papërshtatshëm për zhvillimin e Psylla spp.

Psilla e dardhës mbetet një kërcënim i madh për prodhuesit e dardhës në Kosovë, prandaj njohja dhe aplikimi i strategjive të integruara të menaxhimit është thelbësor për mbrojtjen e dardhës dhe kulturave tjera të faroreve. Qëllimi kryesor është sigurimi i rendimentit dhe cilësisë sa më të lartë, në kuadër të zhvillimit sa më të qëndrueshëm të këtij sektori.

Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF