Psilla e Dardhës (Cacopsylla pyri): Dëmet dhe menaxhimi i dëmtuesit

Kultivimi i pemëve të ndryshme ka qenë traditë e fermerëve kosovar, por viteve të fundit është rritur numri i personave të cilët ngrisin plantacione me pemë, në mesin e tyre edhe plantacione me kulturën e dardhës. Sipas raportit të Gjelbër të publikuar nga MBPZHR, sipërfaqet e mbjellura me kulturën e dardhës gjatë vitit 2022 ishin 629 ha, me një rendiment prej mbi 9 tonë për hektar por, pavarësisht kësaj prodhimtarie, në Kosovë, ende në vend importohet sasi e konsiderueshme e dardhës.

Çfarë është Psilla e Dardhës?

Psilla e dardhës, është e njohur në Evropë për infestimet e saj të gjera që mund të shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në shumicën e rajoneve ku kultivohet dardha. Të gjitha varietetet tregtare në Evropë i përkasin species Pyrus communis L. dhe ato janë të gjitha të ndjeshme ndaj Psillës së dardhës. Ndjeshmëria rritet kur teknikat e pemishteve synojnë të maksimizojnë prodhimin e frutave, siç është dendësia e lartë e bimëve për hektar, përdorimi i madh i plehërave dhe ujitjet intensive. Psilla e dardhës, me emrin shkencor Cacopsylla pyri, është një insekt i vogël që shkakton dëme të mëdha në kulturën e dardhës edhe në Kosovë. Ky insekt është një problem serioz për kultivuesit, duke reduktuar cilësinë dhe prodhimin e frutave. Psilla është një dëmtues i rëndësishëm për dardhën i cili është vektor që transmeton phytosplasmën e dardhës (Candidatus Phytoplasma pyri), duke frenuar zhvillimin e fotosintezës sē bimëve dhe duke penguar zhvillimin normal të tyre.

Cikli jetësor i Psillës së Dardhës

Psilla e dardhës ka disa brezni në një vit ku dimëron si insekt i rritur, i cili lëshon vezët, që vendosen në fillim të pranverës, kryesisht në pjesën e re të bimëve. Pas daljes nga veza, larvat ushqehen me lëngjet e bimës, duke shkaktuar dobësim të pemëve. Insektet e rritura mbijetojnë gjatë dimrit dhe fillojnë ciklin e ri në pranverë. Më vonë gjatë verës, vezët vendosen pranë gjysmave të gjetheve, në bishtin e gjetheve dhe në sythat e luleve.

Simptomat e infektimit

  • Psilla ushqehet me lëngjet e gjetheve dhe degëve, duke shkaktuar tharjen e tyre. Kjo shpesh çon në një dobësim të përgjithshëm të bimës.
  • Zhvillimi i mykut të zi – ku psilla lëshon sekrecione të ëmbla që nxisin zhvillimin e një shtrese të zezë myku mbi sipërfaqen e gjetheve dhe frutave. Myku pengon fotosintezën, çka ndikon negativisht në rritjen dhe zhvillimin normal të bimës.
  • Tharja dhe deformimi i gjetheve – Gjethet e infektuara mund të përdridhen, të bëhen të verdha dhe të bien para kohe.
  • Deformimi i frutave – Frutat e dardhës që preken nga psilla, shpesh janë të deformuara dhe kanë njolla, duke ulur cilësinë dhe tregtueshmërinë e tyre.
  • Rritja e populacionit të insekteve – Prania e vezëve, larvave dhe insekteve të rritura të psillës në pjesët e reja të pemës, si gjethet dhe sythet, janë një tregues i qartë i infektimit.
  • Ngecje në rritje dhe dobësim i pemës – Një infektim i rëndë mund të çojë në ngadalësim të rritjes së pemës, si dhe në një rënie të ndjeshme të prodhimit të frutave.

Masat e Kontrollit

Menaxhimi i psillës së dardhës kërkon një kombinim të masave preventive dhe kurative, duke përfshirë ato mekanike, fizike, biologjike dhe ato kimike.

  • Masat preventive: Monitorimi është një hap shumë i rëndësishëm, ku kultivuesit duhet të monitorojnë rregullisht pemët për shenja të infektimit dhe të ndërmarrin masa në fazat e hershme të përhapjes.
  • Masat fizike: Krasitja e rregullt dhe eliminimi i gjetheve të infektuara ndihmojnë në zvogëlimin e popullatës së psillës. Përveç kësaj, përdorimi i varieteteve rezistente të dardhës mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për kultivuesit.
  • Kontrolli Biologjik: Një metodë natyrale është përdorimi i grabitqarëve natyrorë të psillës, si insektet dhe parazitët që ushqehen me larvat e saj. Anthocoris nemoralis është një nga armiqtë natyrorë më të suksesshëm kundër këtij dëmtuesi.
  • Kontrolli Kimik: Insekticidet janë shpesh një zgjidhje që përdoret për të luftuar infektimet e rënda. Sidoqoftë, duhet të respektohen rekomandimet e përdorimit të kimikateve për të shmangur rezistencën e insekteve ndaj insekticideve dhe për të ruajtur ekuilibrin ekologjik. Shumë insekticide të cilat janë përdorur deri më tani për të luftuar psilën e dardhës, nuk janë aprovuar për përdorim, siç është rasti me neonikotinoidet (thiacloprid, chlorpyrifos dhe spirodiclofen) për shkak të paraqitjes së rezistencës së dëmtuesit ndaj këtyre materieve aktive.
  • Aktualisht insekticidet të cilat janë duke u përdorur për luftimin e këtij insekti janë insekticidet me spektër të gjerë veprimi me materiet aktive: deltamethrin dhe lambda cyhalothrin si dhe vajrat nga parafina dhe Abamektina. Kohëve të fundit është në përdorim kaolina si produkt i cili krijon ambient të pa përshtatshëm për zhvillimin e Psylla sp.

Psilla e dardhës mbetet një kërcënim i madh për prodhuesit e dardhës në Kosovë, prandaj njohja dhe aplikimi i strategjive të integruara të menaxhimit është thelbësor për mbrojtjen e dardhës dhe kulturave tjera të faroreve. Qëllimi kryesor është sigururimi i rendimentit dhe cilësisë sa më të lartë, në kuadër të zhvillimit sa më të qëndrueshëm të këtij sektori.

Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF