Përmbyllet me sukses Konferenca III-të Ndërkombëtare për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Ndryshimet Klimatike

Me 12 dhe 13 shtator 2024, u mbajt Konferenca e III-të Ndërkombëtare për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Ndryshimet Klimatike e cila në fokus kishte temën “Inovacioni për një të nesërme të qëndrueshme: Akademia, Industria dhe Qeveria në Dialog” e organizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës (UP), dhe partnerëve: Projektit “Adapt” të USAID-it në Kosovë, GIZ Kosova dhe Rrjetit CSR Kosova duke udhëhequr kauzën drejt një të ardhmeje më të gjelbër.

Fjalët hyrëse për hapjen e konferencës u bënë nga zv. Rektorja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof.dr. Arta Basha Jakupi, znj. Eileen Devitt USAID Kosovo, Drejtoreshë e misionit në Kosovë, dr. Sebastian Leuschner, Atashe për çështje klimatike në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, zv. ministri i Ekonomisë z. Getoar Mjeku, përfaqësuesja e CSR Network znj. Zana Bajrami Rama si dhe ministri i mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturë z. Liburn Aliu i cili theksoi rolin e rëndësishëm të ndryshimeve klimatike dhe impaktin e drejtpërdrejtë ne sektorët e rëndësishëm ekonomik në Kosovë.

Ai për më tepër theksoi se:

“Jemi në një situatë mjaft sfiduese, ku ndryshimet klimatike tashmë po ndodhin dhe ne po i përjetojmë dhe po rezultojnë me një ndikim të drejtpërdrejtë si: në produktivitetin bujqësor, zjarret, ndryshimet në furnizim me ujë, temperaturat e larta, thatësia, vërshimet, erozionet, humbjet në biodiversitet, çrregullim në zinxhirin ushqimor. Të gjitha këto dëme përfshijnë edhe mjedisin edhe aspektin ekonomik. Vetëm në Skënderaj kemi 12 milion dëme nga vërshimet vitin e kaluar. Kjo sjell domosdoshmërinë që Kosova krahas politikave, ligjit dhe strategjisë për ndryshimet klimatike të reagojë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Në anën tjetër, Ministria e Ekonomisë është duke i vënë themelet e një sektori energjetik të pastër dhe të qëndrueshëm bazuar në strategjinë e parë të vendit e cila parashesh dekarbonizimin dhe ndërtimin e 1.600 MW të energjisë së ripërtërishme deri në vitin 2031.”

Kjo Konferencë u hap nga Prof.dr. Majlinda Daci-Ajvazi, drejtoreshë e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri e cila theksoi rëndësinë e ndalimit të emetimeve të karbonit dhe angazhimin kolektiv për këtë cështje.

“E ardhmja jonë kolektive varet nga aftësia jonë për të harmonizuar përparimin njerëzor në njërën anë dhe shëndetin e planetit tonë, në anën tjetër. Rreziqet klimatike kanë ndikim të pazakontë, disproporcional dhe të rëndë mbi Kosovën, gjë që është e pazakontë për një vend të vogël si ne. Për të shmangur katastrofën klimatike, ne jo vetëm që duhet të ndalojmë emetimet e vazhdueshme të dioksidit të karbonit në atmosferë, por ne duhet aktivisht ta largojmë një sasi të karbonit ekzistues. Aktualisht, ne emetojmë rreth 40 giga ton dioksid karboni në vit ndërsa largojmë vetëm 100 mijë ton dioksid karboni në vit.” theksoi znj. Daci-Ajvazi.

 

Sesioni tjetër i takoi Prof.dr. Noah Kittner nga Universiteti i North Carolina Chapel Hill, USA, i cili foli për “Avancimin e ruajtjes së energjisë: Reduktimi i shkarkimeve dhe sistemet e energjisë në tranzicion në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor”

Paneli i parë i diskutimit vazhdoi me temën “Navigimi i Sfidave Klimatike: Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe strategjitë bashkëpunuese për rritje të qëndrueshme” dhe vazhdoi me sesionin e parë në të cilin u fol gjerësisht për financimin e tranzicionit energjetik, vlerësimin e cënueshmërisë nga ndryshimet klimatike si hapi i parë për planifikimin e përshtatjes dhe për strategjitë kryesore për menaxhimin e burimeve ujore në Kosovë.

Sesioni i dytë mbuloi temën e “Perspektivave dhe inovacioneve në Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Ndryshimet Klimatike”, ku u shtjellua më shumë për sektorët me të prekur dhe zgjidhjet të cilat ofrohen, ndërsa kjo ditë u përmbyll me një panel diskutimi mbi organizatat joqeveritare lokale dhe avancimin e tyre ndaj qëndrueshmërisë ndaj klimës dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Dita e dytë konsistoi gjithashtu një agjendë me shumë sesione dhe panele diskutimi ku u përfshinë bizneset private duke përfshirë këtu bankat vendore dhe qasja e tyre ndaj qëndrueshmërisë mjedisore (qasja ESG), Limak Kosova dhe konsiderimi i reduktimit të emetimeve të karbonit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, diskutime rreth ekonomisë qarkore, inovacioneve lokale qarkore dhe përpjekjet e ripyllëzimit të hapësirave të shpyllëzuara duke përdorur teknologjinë me dron nga Sustainability Leadership Kosova.

Kjo konferencë u përmbyll me sukses ku u shtjelluan të gjitha temat rreth ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë mjedisore, ku u theksua roli i bashkëpunimit të sektorëve dhe harmonizimi i politikave për të adresuar dhe për të pasur një ndryshim pozitiv në të ardhmen rreth kësaj çështjeje.

 

 

Shiqo PDF