Paraqitja e dëmtuesve të ri invaziv në Kosovë: A do të ketë pasoja ekonomike?

Pemët e imëta, kanë kërkesë të lartë në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar për shkak të vetive të tyre të shëndetshme dhe fermerët e kanë përqafuar kultivimin e tyre, duke parë potencialin e madh të këtyre frutave dhe kërkesave në rritje për to. Në vitet e fundit, përveq shumë sukseseve në kultivim të pemëve të imëta, kemi pasur edhe sfida në sektor që nga rënia e cmimeve e deri te përballja me ndryshimet klimatike që kanë pasur ndikim negativ në prodhim të tyre dhe rendiment final. Nga temperaturat ekstreme të larta e deri tek shirat dhe lagështia e tepërt, plantacionet e pemëve të imëta në Kosovë kanë hasur edhe në probleme tjera si paraqitja e insekteve dëmtuese invazive sic është rasti i insektit Drosophila suzukii. Drosophila suzukii është një dëmtues karantinor që është përfshirë në listën A2 të Organizatës Evropiane dhe Mesdhetare për Mbrojtjen e Bimëve (EPPO). Kjo specie është native e Azisë Lindore dhe është përhapur me shpejtësi në Evropë që nga viti 2008. Përgjatë një studimi që është bërë në vitin 2023 pikërisht për prezencën dhe monitorimin e këtij insekti dhe duke u bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera në luftën me këtë insekt ky artikull shërben si informacion shtesë për fermerët e vendit tonë dhe përballjen e mëtutjeshme me këtë insekt.

Drosophila suzukii (Matsumura) është një nga dëmtuesit më të rëndësishëm invaziv të pemëve të buta në mbarë botën. Kjo specie shkakton dëme të mëdha në pemë të imëta për shkak se ushqehet me frutin e freskët dhe ka fazën aktive kur fruti fillon pjekjen e deri në fund të vegjetacionit. Drosophila suzukii është dëmtues polifag në krahasim me drosophila të tjera, dhe në Evropën Perëndimore (Itali, Zvicër, Holandë), D. suzukii është regjistruar të ushqehet me 84 lloje bimësh në 19 familje. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo specie ka nxitur studime të shumta në lidhje me biologjinë dhe kontrollin e saj.

E këto vështirësi përballë luftës me këtë insekt përballen edhe shtetet e tjera si Franca edhe në kulturat e tjera :

“Drosophila suzukii – një makth absolut për prodhuesit francezë të qershisë

Më 29 qershor, me kërkesë të FDSEA, kultivuesit e qershive të departamentit të Loire kërkuan në Saint-Etienne për të denoncuar presionin në rritje të Drosophila suzukii në plantacionet e tyre dhe mungesën e burimeve. Përballë zhdukjes graduale të zgjidhjeve aktive dhe kushteve aktuale të motit që favorizojnë përparimin e këtij insekti, prodhuesit janë në humbje. Madje, sektori francez i qershisë ka frikë nga një humbje prej mbi 50% e potencialit të prodhimit në vitet e ardhshme. Për këtë arsye, ajo kërkon nga autoritetet publike franceze zgjidhje teknike efektive, si dhe ndihmë të jashtëzakonshme financiare për humbjet e shkaktuara gjatë kësaj fushate. “ – shkruan artikulli i FreshPlaza.com

“Studimet nga Kalifornia zbulojnë disa probleme me rezistencën ndaj insekticideve të Drosophila suzukii

Në Kaliforni, Drosophila suzukii, e njohur si SWD, po zhvillon rezistencë në rritje ndaj insekticideve. Ky insekt është bërë problem për kultivuesit e qershisë dhe luleshtrydheve që nga ardhja e tij në vitin 2008, duke u përhapur edhe në shtete të tjera në SHBA, Meksikë dhe Evropë.”- shkruan artikulli i cherrytimes.it

E këto janë vetëm disa pjesë të shumë artikujve dhe raportimeve nga e gjithë bota për problemet me Drosophila suzukii dhe kontrollin e saj. Së fundi, Drosophila suzukii po ndikohet nga faktorë të lidhur me ndryshimet klimatike. Ndryshimi aktual i klimës po e lejon këtë specie të kolonizojë rajone më të ftohta. Prandaj në fokus po diskutohet se si progresi i ndryshimeve klimatike mund të nxisë aftësinë e kësaj specie për të mbijetuar dhe për t’u përhapur më tej.

Është e rëndësishme që të fillohet me masa menaxhuese duke përdour qasjen IPM (menaxhimin e integruar të dëmtuesve) për të luftuar në mënyrë të suksesshme këtë insekt. Në vijim do të paraqesim disa nga metodat më të thjeshta për kontroll të Drosophila suzukii në plantacione:

  1. Masat agroteknike: Higjiena e mirë e fushës është thelbësore për parandalimin e përhapjes së D.suzukii ;  zhvillimi i një sistemi të monitorimit me ekspertë të fushës duke përfshirë të gjithë regjionin e Kosovës ; mbledhja e rregullt e frutave të pjekura minimizon grumbullimin e popullsisë ; eliminimi i të gjitha frutave të dëmtuara nga fusha ; përdorimi i rrjetave
  2. Kontrolli biologjik: Përdorimi i parazitoidëve si agjentë potencialë biokontrolli të Drosophila suzukii nga familjet Braconidae dhe Cynipidae ; disa studime raportojnë se Orius insidiosus ushqehet ekskluzivisht me Drosophila suzukii, megjithatë, roli i organizmave të dobishëm në menaxhimin e këtij insekti nuk është ende plotësisht i konfirmuar.
  3. Kontrolli kimik: Përdorimi i insekticideve është gjithashtu efektiv kundër Drosophila suzukii; preferenca e këtij insekti për frutat e pjekura kërkon përdorimin e insekticideve me intervale më të shkurtra para vjeljes për të kontrolluar popullsinë.

Sikurse edhe me dëmtuesit e tjerë, është një rrugë e gjatë e menaxhimit dhe kontrollit të këtij insekti por, me menaxhim të duhur dhe monitorim të vazhdueshëm mund të ndikojmë pozitivisht në humbjet ekonomike në të ardhmen.

Nga Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF