NJË TOKË E SHËNDETSHME: PËR NJË TË ARDHME ME USHQIM TË SIGURT

Marrëdhënia komplekse midis shëndetit të njeriut dhe tokës

Tokat e shëndetshme ofrojnë përfitime të shumta për mjedisin tonë, nga zbutja e ndryshimeve klimatike deri te ruajtja e ujit dhe përmirësimi i cilësisë së tij. Tokat e shëndetshme ndihmojnë gjithashtu drejtpërdrejt në sigurinë e ushqimit që është rritur në to. Ushqimi nga toka të shëndetshme është më i mirë për shëndetin tuaj, falë një kombinimi kompleks faktorësh.

Toka është themeli i bujqësisë dhe ka një rol kryesor në sigurimin e lëndëve ushqyese, ajrit të pastër dhe ujit. Aktivitetet njerëzore mund të dëmtojnë shëndetin e tokës dhe, për rrjedhojë, të ndikojnë në të gjithë ekosistemin. Praktikat e qëndrueshme të bujqësisë si mbrojtja biologjike e të korrave dhe menaxhimi i integruar i dëmtuesve, mbrojnë dhe ndikojnë pozitivisht në rigjenerimin e tokës.

Pse është i rëndësishëm shëndeti i tokës?

Toka është një mjedis kompleks me shumë komponentë thelbësorë: lëndë organike, bashkësi mikroorganizmash (mikrobe) dhe minerale. Tokat e shëndetshme sjellin dobi thelbësore si:

  • Bëjnë rregullimin e ujit, ruajtjen e tij dhe rregullimin e lëvizjes së tij brenda tokës,
  • Jep mbështetje për jetën bimore dhe shtazore ku, toka kontribuon në diversitetin dhe produktivitetin e organizmave të gjallë.
  • Ndihmon në filtrimin e ndotësve ku, mineralet dhe mikrobet e tokës filtrojnë ndotësit, gjë që mbron cilësinë e ujërave nëntokësore.
  • Ndihmon në qarkullimin e lëndëve ushqyese: toka dhe mikrobet e saj marrin pjesë në ruajtjen dhe qarkullimin e lëndëve ushqyese si fosfori, azoti dhe karboni, të cilët janë thelbësorë për rritjen e bimëve.

Biodiversiteti i tokës na siguron ushqim dhe ujë të pastër

Organizmat e tokës kontribuojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e lëndëve ushqyese siç është azoti. Ato mund të shpërbëjnë lëndën organike dhe t’a shndërrojnë atë në lëndë ushqyese që bimët mund ta marrin.

Tokat e shëndetshme prodhojnë bimë më të fuqishme që mund të luftojnë dëmtuesit dhe patogjenët. Tokat e shëndetshme gjithashtu mund të ruajnë më shumë karbon, duke zbutur ndryshimet klimatike.

Fatkeqësisht, shëndeti i tokës është nën kërcënim në mbarë botën për shkak të disa faktorëve, si bujqësia intensive, pylltaria dhe ndryshimet klimatike. Për shembull, një studim i fundit vlerëson se 61% e tokave në Bashkimin Evropian preken nga degradimi i tokës. Tokat në këtë përqindje të tokës konsiderohen të pashëndetshme.

Çka është degradimi i tokës?

Shumë faktorë ndikojnë në degradimin e tokës dhe ndikojnë në shëndetin e tokës si:

  • Ngjeshja e tokës: toka e ngjeshur nuk ka hapësirë ​​të mjaftueshme për lëvizjen e ajrit, ujit dhe rrënjëve të bimëve. Makineritë e rënda bujqësore dhe punimi i tepërt i tokës mund të shkaktojnë ngjeshje të tokës.
  • Erozioni i tokës paraqet humbjen e shtresës së sipërme të tokës me një ritëm më të shpejtë se sa formohet. Kjo shtresë është pjesa pjellore e tokës dhe, për rrjedhojë, është thelbësore për rritjen e bimëve. Erozioni ndodh kryesisht për shkak të ekspozimit të tokës ndaj kushteve klimatike duke e dëmtuar atë nga lëvrimi dhe shpyllëzimi.
  • Ndotja kimike: pesticidet kimike, plehrat dhe kemikatet e tjera industriale mund të kenë një ndikim negativ në mikrobet e tokës. Ato ulin sasinë dhe diversitetin e organizmave të tokës dhe dëmtojnë më tej shëndetin e tokës. Ato gjithashtu shkaktojnë një ulje të pjellorisë së tokës.

Si rezultat i degradimit të tokës, cilësia e tokës bëhet më e dobët në lëndë ushqyese dhe humbet aftësinë e saj për të mbajtur ujin. Përpunimi i shpeshtë i tokës, lëshon karbon në atmosferë, duke kontribuar në emetimet e gazrave nga serrat, duke shkaktuar një impakt negativ në shëndetin e dobët të tokës. Në përgjithësi, kjo kontribuon në ndryshimin e klimës.

Sipas FAO, 33% e tokave globale tashmë janë të degraduara. Për më tepër, IPBES thotë se mbi 90% e tokës mund të degradohet deri në vitin 2050.

Lidhur me këtë problem që ka ndikim të madh në të ardhmen e ushqimit, Komiteti i Mjedisit i Parlamentit Evropian (ENVI) miratoi me 11 mars të këtij viti një projekt-raport mbi ligjin e parë të BE-së për tokën (Ligjin për Monitorimin e Tokave), duke hedhur hapin e parë drejt tokës së shëndetshme deri në vitin 2050, duke u kërkuar vendeve të përmirësojnë statusin ekologjik të tokave të tyre brenda gjashtë deri në dhjetë vitet e ardhshme.

“Ne jemi më në fund afër arritjes së një kuadri të përbashkët evropian për të mbrojtur tokat tona nga degradimi,” tha eurodeputeti liberal Martin Hojsík, raportues për dosjen, pas votimit.

Eurodeputetët mbështetën ambicien e Komisionit për të pasur toka të shëndetshme të BE-së deri në vitin 2050 dhe ranë dakord që vendet e BE-së, duhet të monitorojnë shëndetin e të gjitha tokave në territorin e tyre dhe të ndërmarrin veprime për të përmirësuar statusin e tyre ekologjik.

Ligji për Monitorimin e Tokës u propozua nga Komisioni korrikun e kaluar si pjesë e strategjisë së BE-së për tokën e paraqitur në vitin 2021, e cila synonte t’i jepte tokës një status të mbrojtur të ngjashëm me atë të ajrit ose ujit, ku që të dyja mbulohen nga legjislacioni specifik.

Vlerësohet se rreth 60-70% e tokave evropiane janë në gjendje jo të shëndetshme, me llojet më të zakonshme të degradimit të tokës që janë: lirimi i karbonit organik të tokës (53%), humbja e biodiversitetit të tokës (37%) dhe rreziku i degradimit të strukturës dhe substratit të saj (30%).

Drafti i komitetit ENVI kërkon që vendet e BE-së të përmirësojnë “tokat e degraduara në mënyrë kritike” në “toka të degraduara” brenda dhjetë viteve. Ndërkohë, “tokat e degraduara” duhet të përmirësohen në statusin ekologjik “të moderuar” brenda gjashtë viteve dhe ato me status “të moderuar” duhet të arrijnë statusin ekologjik “të mirë” brenda të njëjtës periudhë.

Si mund të ndikojmë pozitivisht me praktika të mira bujqësore për të promovuar shëndetin e tokës

Ndërsa bujqësia është një nga nxitësit e rënies së shëndetit të tokës, ka një sërë praktikash bujqësore që mund të ndryshojnë dhe të ndihmojnë në ri-vendosjen e shëndetit të tokës.

Krijimi i shëndetit të mirë të tokës fokusohet në praktikat rigjeneruese të bujqësisë, të cilat synojnë të rigjenerojnë tokat e degraduara. Duke ndjekur këto praktika, kultivuesit mund të:

  • Reduktojnë përdorimin e kemikateve: duke gjetur zgjidhje natyrale si produkte biokontrolli dhe inpute organike. Këto janë më të sigurta për organizmat e dobishëm dhe mund të ruajnë biodiversitetin e tokë;
  • Rrisin sasinë e lëndës organike: kjo mund të bëhet me një kulturë mbuluese, duke lënë mbetje të bimëve në sipërfaqen e tokës ose duke përdorur mulçërim organik. Kjo i ndihmon mikrobet e tokës të shpërbëjnë lëndën organike, e cila shndërrohet në lëndë ushqyese të dobishme për bimët. Kjo gjithashtu mban lagështinë e tokës dhe ngadalëson erozionin;
  • Zvogëloni ngjeshjen e tokës nga makineritë dhe bagëtitë;
  • Praktikoni Qarkullimin bimor: kjo rrit diversitetin mbi dhe brenda tokës dhe prish ciklin e dëmtuesve dhe sëmundjeve. Bishtajoret (leguminozet) janë kultura të mira për tu përdorur për qarkullim bujqësor, pasi ato rrisin azotin në tokë;
  • Menaxhimi i integruar i dëmtuesve: kjo qasje kufizon efektet e padëshiruara në mjedis, duke përfshirë këtu edhe kontributin në ruajtjen e shëndetit të tokës.

Nga M.Sc. Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Prill, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI