NDIKIMI I BRESHËRIT NË HARDHINË E RRUSHIT

Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik në Kosovë. Përveç kontributit në prodhimin e ushqimit, ky sektor gjithashtu punëson një numër të konsiderueshëm të popullsisë.  

Viteve të fundit janë vërejtur lëvizje pozitive në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend. Fermerët e Kosovës kanë përmirësuar ndjeshëm teknikat e prodhimit, kanë kultivuar varietete të reja, kanë përdorur masa më të avansuara kundër dëmtuesve të ndryshëm dhe në përgjithësi janë bërë më konkurues në treg.  

Mirëpo, përkundrejt suksesit të arritur në vitet e fundit në sektorin e bujqësisë në Kosovë, fermerët janë përballur me shumë rreziqe, kryesisht të lidhura me motin (kushtet atmosferike). Kushtet atmosferike kanë ndikuar në cilësinë dhe prodhimin e shumë kulturave bujqësore, dhe në veçanti kanë dëmtuar sektorin e frutave. Rreziku më i madh atmosferik për sektorin e frutave në Kosovë është breshëri. Ndërsa, një nga nën-sektorët më të prekur nga breshëri në Kosovë është vreshtaria.  

Ndikimi i breshërit në vreshta: 

Breshëri në vreshta zakonisht shfaqet nga fundi i prillit deri në fund të gushtit, por për të qenë më të saktë breshëri ndodh më shumë përgjatë muajve maj dhe qershor, pastaj frekuenca e paraqitjes bie gjatë muajve korrik dhe gusht, dhe shumë rrallë mund të shfaqet edhe në dhjetëditëshin e parë të shtatorit. 

Breshëri mund të bëjë dëme të konsiderueshme në hardhinë e rrushit duke dëmtuar kryesisht llastarët, gjethet dhe kalaveshin. 

Llastarët e rinjë: Breshëri mund të shkaktojë dëmtime të rënda në llastarët e rinjë dhe të hollë tek hardhia e rrushit, ku kokrrat e breshërit që bien në llastarët e hardhisë krijojnë plagë që dëmtojnë lëvoren e llastarëve të hardhisë. Plagë konsiderohet çdo thyerje apo gërvishje në lëvoren – mbrojtësen e jashtme të llastarëve të hardhisë së rrushit që bën ekspozimin e ksilemit. Indet e bimëve që janë lënduar nuk mund të zëvendësohen ose riparohen. Pas kësaj ngjarje, plaga e re shërben si burim i rëndësishëm për lëndët ushqyese të cilat do të jenë në dispozicion për një numër mikroorganizmash, duke përfshirë insektet dhe patogjenët. Këto lëndime në pjesët tjera të hardhisë së rrushit do të sjellin probleme të tjera për zhvillimin e hardhisë në vitin e ardhshëm. 

Koha e nevojshme për të mbyllur një plagë gjithashtu varet nga vendi ku ndodhet plaga në hardhinë e rrushit, periudha kur ka ndodhur dëmtimi (plaga), dhe cilat pjesë të bimës ju kanë nënshtruar ekspozimit të plagës (janë prekur nga ky dëmtim). Plagët që ndodhin në fazat e fundit të vegjetacionit mund të infektohen më shpejtë për shkak të sporimit më të vrullshëm të kërpudhave.  

Gjethet: Rënia e gjetheve gjithashtu mund të vie si pasojë e goditjeve nga breshëri. Në disa raste, sidomos në rastet me goditje më të rënda, kjo mund të sjellë një vonesë në maturimin e frutave dhe zhvillimin e tepërt të llastarëve anësor. 

Kalaveshi: Kur kalaveshi goditet nga breshëri, kjo mund të rezultojë me dëme të konsiderueshme, të cilat janë listuar më poshtë: 

  1. Breshëri në periudhën e hershme të vegjetacionit – dëmi i breshërit gjatë fazave të hershme të vegjetacionit në kalavesh mund të shkaktojë plasje ose ramje komplet të kokrrave të kalaveshit në tokë. Nëse paraqitet breshër në pranverë, kur rrushi është me madhësi bizeleje, atëherë kokrrat e dëmtuara do të thahen dhe do të bien në tokë, nëse në vazhdim të vegjetacionit moti pasohet me kushte të thata. Pas breshërit të pranverës, hardhia e rrushit do vazhdojë të prodhojnë ende rrush të mjaftueshëm për prodhuesit e verës dhe se prodhimi i tyre ka shumë gjasë të jetë i shëndoshë dhe kualitativ. 
  1. Breshëri në periudhën para ose pas fillimit të pjekjes (ndryshimi i ngjyrës së kokërrave të rrushit) – fillimi i pjekjes së rrushit përfaqëson fazën kaluese nga rritja e kokrrës deri në pjekjen e plotë të kokrrës (kalaveshit). Në këtë periudhë ndodhin shumë ndryshime në zhvillimin e kokrrës në fazën e fillimit të pjekjes, dhe kjo rrjedhimisht sjellë edhe më shumë fruta të kalbura. Kjo nënkupton që kur breshëri godet vreshtat më vonë gjatë sezonit, kokrra (kalaveshi) ka më pak gjasa për përmirësim (shërim). Pas breshërit në kohën e fillimit të pjekjes së rrushit, është e mundur vetëm përdorimi i produkteve kimike të mbrojtjes së bimëve për të cilat periudha e caktuar e karencës garanton se nuk do të dëmtojë shëndetin e njeriut ose nuk do të shkaktojë pasoja negative në procesin e fermentimit.  

Dy fotografitë e mëposhtme paraqesin dy shembuj të dëmeve të rrushit nga goditjet e breshërit  

Kalbëzimi i frutave

Rënia e gjetheve të hardhisë së rrushit nga breshëri

Koha e fillimit të vjeljes varet nga kushtet klimatike dhe ndryshon nga viti në vit (nuk varet plotësisht nga gjenetika e varieteteve të hardhisë së rrushit). Kjo do të thotë që nuk ka një datë të saktë të kohës së vjeljes për secilin varietet. Çdo varietet i rrushit të verës ka qasje të veçantë për kohën dhe metodologjinë e vjeljes, por ekziston një rregull që potencon se së pari duhet të përfundojë vjelja e varieteteve të bardha ndaras që të vazhdohet pastaj me varietete të rrushit të zi. Varietetet e rrushit të verës duhet të vjelen menjëherë në tërë vreshtin dhe është krejtësisht ndryshe nga rrushi i tryezës që rekomandohet të vjelet 2-3 herë, për shkak të pjekjes suksesive. 

Si mund t’i zbusin këto rreziqe fermerët (vreshtarët)? 

  • Është e këshillueshme që të aplikoni fungicide pasi breshëri të ketë goditur hardhinë e rrushit. Fungicidet duhet të aplikohen sa më shpejtë të jetë e mundur për të kontrolluar kalbëzimin e kalaveshit. Kokrrat e dëmtuara të rrushit janë mjedis i përshtashëm dhe i lehtë për organizmat që shkaktojnë kalbëzimin, sidomos kërpudha Botrytis cinerea, e cila shkakton kalbëzimin. Kërpudhat gjithashtu mund të jenë tashmë të pranishme në kalavesh si infeksione latente që nga lulëzimi. Prandaj është e këshillueshme që të aplikoni fungicidet në vreshtat e dëmtuara nga breshëri sa më shpejtë të jetë e mundur, veçanërisht nëse shiu ose moti i lagësht është parashikuar sipas prognozës meteorologjike. 
  • Të priten (shkurtohen) llastarët e lënduar për të nxitur zhvillimin e llastarëve anësor afër trungut të hardhisë së rrushit. Kjo do të rezultojë në prodhimin e llastarëve të shëndetshëm dhe të frytshëm për vitin e ardhshëm.  
  • Vazhdoni të mbroni gjethet dhe llastarët nga hiri për pjesën tjetër të sezonit për të nxitur rritjen e shëndetshme të llastarëve për të mbijetuar dimrin e ardhshëm. 
  • Pajisuni me sigurim bujqësor. Produkti tradicional i sigurimit bujqësor është dizajnuar për të mbrojtur prodhuesit e rrushit të verës kundër dëmtimeve të breshërit në vreshtat e tyre, duke siguruar mbështetje financiare në rast të një reduktimi të ndjeshëm të vëllimit të prodhimit të rrushit si rezultat i paraqitjes së breshërit. Përveç kësaj, këto produkte të sigurimit përfaqësojnë një mjet të rëndësishëm për të zbutur rreziqet dhe për të siguruar një rrugë më të sigurt për investimet në vreshta. 

Duke pas parasysh që nën-sektori i vreshtarisë në Kosovë zë një vend të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, ku sipas Raportit të Gjelbër 2021, vetëm në vitin 2020 kanë qenë mbi 3 mijë ha me vreshta, me më shumë se 70% të destinuara për rrush për verë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që rreziqet nga moti të rrushit të verës të zbuten dhe sidomos rreziqet nga breshëri, në mënyrë që vreshtarët kosovarë të mund të vazhdojnë me prodhimin, të rrisin cilësinë e tyre dhe të jenë më konkurrues në tregjet vendore dhe ndërkombëtare. 

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Maj, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI