Mbjelljet vjeshtore të drithërave në Kosovë

Në vendin tonë, gruri është kultura që zë sipërfaqen më të madhe kultivuese dhe është ndër kulturat më të rëndësishme lavërtare. Për të arritur rendimente më të larta të grurit vjeshtor në Kosovë, duhet pasur parasysh: të zbatohen praktikat e mira agroteknika, të përdoren farërat sa më cilësore dhe të certifikuara nga autoritetet kompetente dhe harmonizim të drejtë të lëndëve ushqyese sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit (plehërimi adekuat) në bazë të planifikimit për rendiment të pritshëm, si dhe bazuar në kërkesat varësisht nga tipi i tokës ku realizohen mbjelljet. Fermerët vendorë duhet të mbështesin prodhimin e grurit duke zbatuar teknologji të reja kultivuese dhe duke ndjekur masat e përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative, bazuar në kalendarin agronomik. Për të pasur një sukses dhe rendiment më të lartë duhet të konsiderohet se tani është afati i duhur për përgatitjen e tokës për mbjelljet vjeshtore të grurit.

Pas një periudhe të gjatë thatësie gjatë verës, shiu i ditëve të fundit ka qenë me shumë përfitime për tokën. Prandaj, konsideroni këto kushte të favorshme për të përgatitur tokën dhe për të mbjellë gjithë sipërfaqen e planifikuar.

Masat të cilat duhet të aplikohen gjatë kultivimit të grurit janë:

  • Zgjedhja e farës cilësore (kultivarit)
  • Qarkullimi bimor
  • Punimi bazë dhe plotësues me kohë
  • Mbjellja në afatin optimal
  • Përdorimi i ushqimit të balancuar, bazuar në analizat e tokës
  • Ri-plehërimi në kohë
  • Menaxhimi i duhur nga sëmundjet, dëmtuesit dhe barërat e këqija

Kërkesat e grurit për lëndë minerale (plehra) ndryshojnë dhe përcaktohen varësisht nga lloji i tokës dhe para-kultura. Për të përcaktuar dozat e duhura dhe për të siguruar përdorimin optimal të plehrave kimike, rekomandohet të kryhen analizat e tokës. Gjatë mbjelljeve vjeshtore, është e rëndësishme të merren parasysh masat e mëposhtme:

Zgjedhja e farave të përshtatshme për mbjellje

Përcaktoni cilat lloje të farave të drithërave janë të përshtatshme për tokën dhe klimën në zonën tuaj. Në Kosovë, drithërat e zakonshme për mbjelljet vjeshtore janë gruri, elbi dhe thekra. Zgjedhja e farës me cilësi të lartë dhe të certifikuar është thelbësore për një rendiment të mirë. Gjithashtu, duhet të zgjidhen fara të certifikuara dhe të lira nga sëmundjet. Fara duhet të jetë e certifikuar – kategoria (C2 ), ku madhësia e fraksionit të farës duhet të jetë ndërmjet 2 dhe 2,2 mm, me aftësi mbirëse min. 92%.

Afati optimal i mbjelljes

Mbjellja duhet të realizohet me makina pneumatike, ndërsa distanca në mes rendeve është 12.5 cm dhe thellësia 2-5 cm, varësisht nga tipi i tokës dhe cilësia e punimit. Për mbirje uniforme, pas mbjelljes përdorni cilindrin për ngjeshje të sipërfaqes së mbjellë. Mbjelljet vjeshtore zakonisht duhet të kryhen në periudhën nga fundi i shtatorit deri në fillim të nëntorit, në varësi të kushteve atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë do të zhvillohet më mirë dhe do të ketë rritje të shëndetshme. Kjo periudhë i mundëson farës të krijojë rrënjë të forta para dimrit, duke e bërë më rezistent ndaj temperaturave të ulëta. Nëse mbjelljet vonohen pas 10 nëntorit, sasinë e farës duhet shtuar për 1% për çdo ditë vonesë.

Përgatitja e tokës

Qarkullimi bimor – Aplikoni qarkullimin bimor shumë fushor me bishtajore (bizele, sojë, fasule, foragjeret një dhe shumë vjeçare), të cilat fiksojnë azotin atmosferik dhe pasurojnë të tokën me azot. Praktika e mbjelljes së grurit si monokulturë (mbjellje të grurit për shumë vite në të njëjtën sipërfaqe) duhet ndryshuar, sepse monokultura, favorizon shtim të dëmtuesve dhe sëmundjeve specifik, por edhe  shfrytëzim të njëanshëm të materieve ushqyese nga sipërfaqja.

Lëvrimi – Toka duhet të lëvrohet me kohë për të përmirësuar ajrosjen dhe për të krijuar një shtrat të përshtatshëm për farat. Lëvrimi i hershëm është i rekomandueshëm për të mundësuar përthithjen e lëndëve ushqyese dhe ruajtjen e lagështisë në shtresat më të thella të tokës. Thellësia e punimit bazë varet nga shumë faktor, por ajo mesatarisht sillet rreth 25 cm. Punimi plotësues cilësor, realizohet me (rrafshues, roto freza, disk, lesë dhe mjete të tjera) me qëllim të krijimit të shtresës së imtësuar, ku do të mbjellet fara e grurit.

Plehërimi – Preferohen të bëhen analizat e tokës për të përcaktuar nevojat për plehra. Plehërimi organik ose mineral, duhet të kryhet për të siguruar që toka të jetë e pasur me lëndët ushqyese të nevojshme, duke mundësuar rritje cilësore dhe rendiment të lartë për drithërat që do të mbillen. Në vjeshtë për plehërim bazë për grurë, aplikoni formulën e plehrave: NPK (7: 20: 30 ose (10 : 30 : 20); (8 : 26 : 26). Para plugimit dhe gjatë mbjelljes, për rendimentin e planifikuar prej 7 t/ha, në vjeshtë rekomandohen këto doza: N (azot) 30-40 kg/ha; P2O5 (fosfor) 80-120 kg/ha dhe K2O (kalium) 130-180 kg/ha).

Menaxhimi ndaj sëmundjeve, dëmtuesve dhe barërave te këqija

Përdorimi i herbicideve për të shmangur konkurrencën me barërat e këqija është i rëndësishëm. Gjithashtu, drithërat janë të ndjeshme ndaj disa sëmundjeve dhe dëmtuesve (insekte), prandaj monitorimi dhe trajtimi me fungicide dhe insekticide, nëse është e nevojshme, duhet të kryhet para mbjelljes (si masë parandaluese) dhe pas mbjelljes (si masë kuruese).

Kujdesi pas mbjelljes

Duhet të sigurohet që bima të ketë lagështi të mjaftueshme pas mbjelljes; nëse ka mungesë reshjesh, duhet të sigurohet lagështia e nevojshme për mbirjen e farërave. Kjo mund të arrihet përmes ngjeshjes së tokës me rul, në mënyrë që fara të jetë në kontakt me lagështinë dhe mbjellja të bëhet në kohë.

Kontrolli i rregullt i tokës dhe bimëve për barërat e këqija, insektet apo sëmundjet duhet të vazhdojë edhe gjatë dimrit, në mënyrë që të ndërhyhet me masa mbrojtëse në kohën e duhur.

Nëse përcillen këto rekomandime dhe nëse bëhet një përgatitje e kujdesshme, do të ndihmojë në arritjen e një rendimenti më të lartë dhe në ruajtjen e cilësisë së drithërave gjatë mbjelljes dhe rritjes.

Viola Xhemajli për Agro Portal

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Nëntor, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI