Kultivimi i Specit në Kosovë: Rëndësia Ekonomike dhe Sfidat e Kultivimit

Speci është një ndër kulturat perimore më të mbjellura në Kosovë, si për nga sipërfaqet ashtu edhe për nga rëndësia ekonomike. Forma kryesore e kultivimit të specit në vendin tonë është kultivimi në fushë të hapur. Kosova ka potencial të lartë për kultivimin e specit për shkak të klimës së favorshme, dhe për këtë arsye, sipërfaqet më të mëdha të mbjella me spec janë në fushë të hapur. Kultivimi i specit është i përqendruar në rajonin e Dukagjinit, i cili karakterizohet nga një klimë më e butë krahasuar me rrafshin e Kosovës. Prodhimi vendor i specit është i gatshëm për treg gjatë muajve korrik dhe shtator. Gjatë kësaj periudhe është i theksuar edhe eksporti, i cili kryhet përmes pikave grumbulluese që luajnë një rol të rëndësishëm në zinxhirin e vlerës.

Jo vetëm për nga aspekti i sipërfaqeve por edhe për nga niveli i përdorimit në ushqim nga popullata dhe rëndësia ekonomike, speci është bima kryesore perimore. Sipas Raportit të Gjelbër të vitit 2023, të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, speci është mbjellur në një sipërfaqe prej 3,154 hektarësh, duke prodhuar rreth 55,353 ton. Rendimenti i raportuar për këtë kulturë është 17.55 ton për hektarë. Këto statistika theksojnë rëndësinë e madhe të specit në bujqësinë e Kosovës, si për nga sipërfaqja e mbjellë ashtu edhe për prodhimin dhe efikasitetin e tij të lartë.

Çmimet e specit në Kosovë luhaten varësisht nga sezoni, varieteti dhe kërkesa e tregut. Kosova nuk mund të përmbushë kërkesat e konsumit nacional me produkte vendore jashtë sezonit, prandaj edhe çmimet për speca të importuar janë më të larta në treg. Prodhimi vendor kryesisht është i pranishëm gjatë muajve korrik-shtator. Çmimi mesatar vjetor me shumicë i specit shkon deri në 0.30-0.45 €/kg.

Një nga historitë e suksesit për kultivimin e specit në Kosovë është ajo e fermerit të dalluar dhe të suksesshëm, z. Mehdi Bresilla në Llugaxhi të Lipjanit, i cili ka një përvojë 39-vjeçare në sektorin e bujqësisë. Ai posedon 30 hektarë tokë të kultivuar me kultura të ndryshme si mollë, dredhëza, speca dhe drithëra. Sivjet ka planifikuar të mbjellë 20 hektarë me speca dhe të prodhojë rreth 500 mijë kg produkte për eksport, duke marrë parasysh kërkesën gjithmonë në rritje për produktet e tij.

“Duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi dhe të konsumohen më shumë produktet vendore, duke marrë parasysh që Kosova zë vendin e fundit në Evropë për përdorimin e pesticideve,” thotë z. Bresilla.

Kualiteti i produkteve vendore konsiderohet të jetë më i lartë dhe siguria dhe freskia e produktit më e madhe në krahasim me produktet e importuara nga vendet e tjera. Përveç sukseseve dhe kushteve të përshtatshme të kultivimit të specit në vendin tonë, ka edhe sfida ku nga ato më të mëdha theksohen të jenë: tregu, fuqia punëtore dhe ndryshimet e paparashikuara të kushteve klimatike.

“Për të fituar në bujqësi, nevojitet një periudhë e gjatë ku do të kesh nevojë për njohuri, përgatitje profesionale dhe një ekip. Nëse këto nuk bashkohen të gjitha, atëherë nuk do të arrihet deri te suksesi.” – thekson më tej z. Bresilla.

Për të kultivuar suksesshëm specin në kushtet e vendit tonë duhet të keni parasysh:

  1. Kushtet klimatike – Kërkesat ndaj kushteve klimatike kanë rëndësi të madhe në perimtari, duke qenë faktorë parësorë për kultivimin e perimeve. Temperatura, drita dhe uji janë faktorët kryesorë, dhe nëse këta faktorë janë optimalë dhe të përshtatshëm për kërkesat e perimeve në përgjithësi dhe të specit në veçanti, rendimenti nuk do të mungojë. Përveç kësaj, duhet të merren parasysh edhe të gjitha masat e tjera agroteknike, siç janë: lëvrimi në kohë, përdorimi i plehrave cilësore dhe të balancuara, ujitja dhe ushqimi cilësor përmes sistemit të ujitjes pikë-pikë, për kultivimin në serrë dhe në fushë të hapur gjithashtu.
  2. Tipi i tokës – Për prodhimin e specit, më të përshtatshme janë tokat e rrafshëta, të thella, të lëshueshme, të nxehta dhe të pasura me materie ushqyese. Tokat aluviale janë tokat më të përshtatshme për prodhimin e specit. Bima e specit është mjaft e ndjeshme ndaj reaksionit neutral deri në të dobët acidik dhe nuk i përballon reaksionit alkalik. Në prodhimin e specit, për shkak të ndjeshmërisë dhe kërkesave specifike që ka kjo kulturë, duhet gjithsesi të kultivohet në qarkullim me kulturat e tjera dhe kurrsesi në monokulturë. Para-kulturat më të mira për specin janë leguminozet një dhe shumëvjeçare, drithërat etj.
  3. Nxehtësia – Speci është bimë e klimës së nxehtë. Prodhimtaria më e mirë mund të arrihet vetëm gjatë verës së nxehtë, krahas lagështisë së mjaftueshme. Kërkesat e specit për nxehtësi ndryshojnë varësisht nga faza e rritjes dhe zhvillimit të bimës. Sipas hulumtimeve të shumta, është vërtetuar se temperaturat optimale për rritjen dhe zhvillimin e bimës së specit sillen në kufijtë 25 ± 5 – 7oC. Fara fillon të mbijë në 13oC, ndërsa temperatura optimale për mbirje është 25oC. Temperaturat e ulëta nën 15oC, sidomos nëse ato shoqërohen me mungesë të dritës, mund të sjellin deri te rënia e luleve. Deri në fazën e frutifikimit, gjatë ditëve me diell, temperatura duhet të jetë 22-25oC, ndërsa gjatë natës 16-18oC. Gjatë fazës së frutifikimit (formimit dhe rritjes së frutit), preferohet që temperatura të jetë 25-28oC gjatë ditës dhe 18-22oC gjatë natës. Gjatë kohës me vranësira, preferohet që këto temperatura të jenë për 5-7oC më të ulëta. Speci ka kërkesa të mëdha edhe ndaj temperaturës së tokës. Ndërrimi i fidanëve duhet të fillojë kur temperatura e tokës të arrijë 22-23oC, sepse në tokë të ftohtë bimët e specit ngecin në rritje.
  4. Drita – Speci është një bimë tipike me kërkesa të mëdha për dritë (heliofite), duke filluar nga fazat e hershme të rritjes. Në kushte të mungesës së dritës, bimët e specit zgjaten, etiolizohen dhe lulet dhe frutat e sapoformuara bien. Për këtë arsye, duhet pasur kujdes që gjatë prodhimit bimët të kenë në dispozicion dritë të mjaftueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në prodhimin në mjedise të mbrojtura. Në fushë të hapur, duhet të kemi kujdes që bimët të mbillen (ndërrohen) në distanca optimale.
  5. Lagështia – Kërkesat e specit për lagështi janë mjaft të theksuara në të gjitha fazat e rritjes dhe zhvillimit të bimëve. Ndërkaq, sistemi rrënjor i specit është relativisht dobët i zhvilluar në krahasim me pjesën mbitokësore, e cila ka transpiracion mjaft intensiv. Andaj, ujitja e rregullt e bimëve është një nga parakushtet më të rëndësishme për arritjen e rendimenteve të larta. Deri në kohën e frutifikimit, lagështia në tokë është e preferuar të jetë afër 70% të kapacitetit fushor ujor, ndërsa në kohën e frutifikimit 80%. Pra, rritja më e hovshme e masës mbitokësore (kërcelli, gjethet dhe frutat) te speci arrihet kur lagështia e tokës mbahet në nivelin e 70-80% të kapacitetit ujor tokësor dhe lagështia e ajrit sillet prej 60-80%. Ujitja me sistem pikë-pikë përfaqëson mënyrën më të përshtatshme të ujitjes së bimëve. Nëpërmjet ujitjes me sistem pikë-pikë, prodhuesi ka mundësi të kontrollojë me saktësi dozat e ujit dhe të plehrave që u duhen dhënë bimëve. Për pasojë, rritet mundësia për të realizuar prodhime të larta dhe me cilësi më të mirë. Andaj, në prodhimin intensiv të specit, është e preferuar që gjithmonë të përdoret sistemi i ujitjes pikë-pikë.
  6. Plehërimi optimal – Speci, si shumica e bimëve të tjera perimore, është një kulturë intensive që jep një masë të madhe vegjetative dhe të frytit. Duke pasur parasysh këtë fakt, është e nevojshme që speci gjatë gjithë vegjetacionit të ketë në dispozicion sasi të mjaftueshme të materieve ushqyese dhe në gjendje lehtë të shfrytëzueshme nga ana e bimëve. Duke marrë parasysh kërkesat mjaft të mëdha të specit për lëndë ushqyese, vegjetacionin relativisht të gjatë dhe kultivimin në kushte të ujitjes, është e nevojshme që speci të plehërohet me sasi të mjaftueshme plehrash organik dhe mineral. Nga plehrat organik zakonisht përdoret plehu i stallës, dhe ai në sasi 30-50 t/ha. Sasitë orientuese të lëndëve ushqyese, në formë të materieve aktive, për rendimentin e planifikuar prej 35-40 t/ha, janë: 130-150 kg N/ha, 80-100 kg P2O5/ha dhe 150-250 kg K2O/ha. Afatet e dhënies së plehrave minerale duhet të adaptohen sipas mënyrës së prodhimit, kultivarit dhe qëllimit të prodhimit.
  7. Paraqitja e sëmundjeve dhe dëmtuesve, sfidë në kultivimin e specit – Gjatë kultivimit duhet të kemi parasysh edhe mbrojtjen e bimëve të specit kur paraqiten ADB-të (Agjentët e dëmshëm biologjik), ku përfshihen sëmundjet, dëmtuesit dhe barojat e padëshiruara. Mbrojtja e suksesshme fillon me identifikimin e saktë të ADB që paraqiten më së shumti. Sëmundjet që më së shumti e prekin kulturën e specit janë: Rënia e fidaneve (Pythium spp.), Vrugu i specit (Phytophtora capsici), Vyshkja verticillioze (Verticillium sp.), Hiri i specit dhe domates (Leveilulla taurica) etj. Insektet dëmtuese janë: Krimbat tel (Elateridae), Krimbat e bardhë (Scarabaeidae), Dosëza e dheut (Gryllotalpa gryllotalpa), Tripsat (Thrips sp.), Krahëbardha (Trialeuroides vaporariorum), Morrat e gjetheve (Aphidet, Homoptera- Aphididae).

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Korrik, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI