KONFERENCA NDËRKOMBËTARE E PEMËVE TË IMËTA NË HOLANDË: MUNDËSI PËR INOVACION DHE RRJETËZIM

Konferenca ndërkombëtare e pemëve të imëta, e cila u mbajt më 10 dhe 11 Janar 2024 e organizuar nga Delphy në Holandë, ishte një ngjarje e rëndësishme që mblodhi rreth 1000 pjesëmarrës nga e gjithë bota duke përfshirë këtu mbi 100 kompani ekspozuese të zingjirit të prodhimit të pemëve të imëta. Kjo konferencë shërbeu si një vend për rrjetëzimin, shkëmbimin e njohurive dhe përparimin e industrisë në fushën e kultivimit të pemëve të imëta. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Shoqatës Nacionale ‘Mjedra e Kosovës’, si dhe fermerëve të dalluar nga Shqipëria, inkurajoi krijimin e lidhjeve të reja dhe shkëmbimin e njohurive të vlefshme.

Konferenca nisi me një vizitë të ekspozitës, ku një varg i gjerë ekspertësh ndërkombëtarë mbajtën prezantime mbi tema të ndryshme. Këto përfshinin strategjitë për rritjen e prodhimit të pemëve të imëta, zhvillimet e fundit në prodhimin me përdorim të ndricimit LED gjatë gjithë vitit, si dhe tendencat në prodhimin global. Sesionet trajtuan tema si teknikat e avancuara të rritjes së boronicave, zhvillimet në kultivarët e rinj të mjedrës dhe manaferrës, mbrojtjen e qëndrueshme të dredhëzës dhe teknologjitë e fundit për kultivimin me sukses të pemëve të imëta.

Në ditën e parë kanë prezantuar 16 folës ku pati diskutime interesante mbi të ardhmen e kultivimit të pemëve të imëta, përdorimin e teknologjive të fundit për të rritur rendimentin dhe metodat praktike të ujitjes. Dita e parë u mbyll me fjalët përmbyllëse nga Bart Jongenelen- udhëheqës i sektorit të pemëve të imëta në Delphy, duke siguruar një përfundim të suksesshëm për një ditë të mbushur me njohuri të vlefshme.

Dita e dytë u ofroi pjesëmarrësve mundësinë për të fituar njohuri praktike përmes vizitave në terren në qendrën inovative të pemëve të imëta Delphy dhe pemishten dhe fidanishten më moderne të pemëve të imëta jo vetëm në Holandë, Genson. Këto vizita ofruan përvoja praktike në lidhje me kultivimin e dredhëzës dhe mjedrës.

Në përgjithësi, konferenca ndërkombëtare e pemëve të imëta e mbajtur në Holandë ishte e rëndësishme në lehtësimin e shkëmbimit të njohurive, duke prezantuar zhvillimet më të fundit dhe nxitjen e lidhjeve domethënëse brenda industrisë globale të pemëve të imëta. Ngjarja tregoi rolin kryesor të teknologjisë holandeze në nxitjen e inovacionit në këtë sektor dhe theksoi angazhimin e industrisë për përmirësim të vazhdueshëm. Për më tepër, pjesëmarrja e Shoqatës Nacionale ‘Mjedra e Kosovës’ ishte shumë e rëndësishme duke krijuar lidhje të reja me industrinë në botë, veçanërisht përmes ekspertëve ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në 8-të konferencat e mjedrës të organizuara në Kosovë. Kjo ka kontribuar në një imazh pozitiv të sektorit të pemëve të imëta të Kosovës, duke shprehur interes të konsiderueshëm nga ekspert dhe fermer nga bota për të vizituar Kosovën dhe për të filluar me bashkëpunime profesionale, kërkimore dhe për tregtimin e produktit shumë cilësor i cili prodhohet në Kosovë.

Nga Dr. sc. Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës” për Agro Portalin

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Prill, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI