IFC realizon dy iniciativa në Kosovë, duke kontribuuar në rritje të sektorit të bujqësisë në Kosovë

  • IFC ndihmoj Kosovën në themelimin e sistemit të sigurimeve bujqësore dhe
  • Qasja në financa për fermerët është rritur përmes bashkëpunimit të IFC-së me partnerët e sektorit financiar: ProCredit Bank, KEP, AFK, dhe KRK

Prishtinë, Kosovë, 12 dhjetor, 2023 — Rreth 3 mijë kredi në vlerë 25 milionë euro u janë distribuuar fermerëve kosovarë përgjatë tri viteve të fundit, si dhe rreth 1 milionë euro kredi janë mbështetur me sigurime bujqësore. Ky proces është lehtësuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Bankës Botërore, përmes projekteve të bujqësisë në Kosovë.

Në tri vitet e fundit, IFC ka asistuar institucionet e Kosovës në themelimin e sistemit të sigurimeve si dhe në rritjen e qasjes në financa për fermerët.

IFC ka ndihmuar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në ndërtim të kapaciteteve, zhvillim të produkteve bujqësore dhe në krijim të kornizës ligjore për themelim të sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë. IFC ka trajnuar stafin e katër institucioneve financiare në Kosovë dhe ka zhvilluar produkte financiare, duke ndihmuar në zgjerim të portfolios së tyre të kredive.

Sektori bujqësor në Kosovë krenohet me potencialin që ka për tu rritur, aktualisht ky sektor mbulon 25 përqind të punësimit në vend, si dhe kontribuon në mbi 7 përqind të BPV-së. Sipas të dhënave të Raportit të Gjelbër të vitit të kaluar, kreditë bujqësore në sektorin bankar përbëjnë përqindjen më të ulët, prej vetëm 2.1 përqind, përderisa sektori i mikro-financave ka përformancë më të mirë, me rreth 19.5 përqind distribuim në kredi bujqësore.

“Përmes këtyre projekteve vitale, IFC ka ndihmuar në zhbllokimin e potencialit për rritje të sektorit të bujqësisë duke mbrojtur fermerët nga rreziqet e ndërlidhura me motin, dhe duke iu rritur mundësitë për qasje në financa” tha Menaxheri i zyrës së IFC-së për Kosovë dhe Maqedoni Veriore, Visar Perani.

Projekti për Sigurime Bujqësore është fokusuar në ndërtimin e sistemit të sigurimeve bujqësore që u ofron fermerëve mbrojtje nga rreziqet që ndërlidhen me motin. IFC ka këshilluar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në themelimin e infrastrukturës ligjore, ndërtim të kapaciteteve për të udhëhequr në mënyrë efikase sistemin e sigurimeve bujqësore si dhe në zhvillim të produkteve të sigurimeve bujqësore.

“MBPZHR ka prezantuar për herë të parë në Kosovë programin e subvencionimit të primit bujqësor, duke e përfshirë atë në programin e pagesave direkte. Subvencionimi i 75 përqind të shumës së primit të sigurimit për fermerët, e bënë Kosovën një nga mbështetësit më të mëdhenj të skemës së sigurimeve bujqësore në Evropë,” ka thënë Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Iniciativa e dytë e IFC-së ka qenë e fokusuar në projektin për financim bujqësor, duke prirë në ndërtim të kapaciteteve të institucioneve financiare, përshtatje të metodave të avancuara në procesin e vlerësimit të kredive, si dhe ulje të rreziqeve përmes teknologjive të bujqësisë së mençur klimatike.

Projektet e IFC-së kanë ndihmuar në krijim të sistemeve të cilat shfrytëzojnë veglat financiare për fermerë dhe që rrisin besueshmërinë në lëshim të kredive bujqësore” tha Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Projektet e IFC-së për Financim të Bujqësisë dhe Sigurime Bujqësore kanë qenë të financuara nga Programi Global për Siguri të Bujqësisë dhe Ushqimit, që synon të rris qasjen në financa të sektorit bujqësor përbrenda vendit.

Në lidhje me IFC-në

IFC— subjekt anëtar i Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh për zhvillimin global, që fokusohet tek sektori privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje e mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2023, IFC zotoi një shifër rekorde prej 43.7 miliardë dollarësh për kompanitë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët ndërsa ekonomitë ballafaqohen me ndikimet e krizave të ndërlikuara globale. Për më shumë informata, vizitoni www.ifc.org.

Qëndroni të lidhur me  IFC në media sociale

Lidhur me Programin Global për Siguri të Bujqësisë dhe Ushqimit

Programi Global për Siguri të Bujqësisë dhe Ushqimit (GAFSP) është një përpjekje globale që mbledh burime të donatorëve për të financuar programe të fokusuara në rritje të prodhimtarisë bujqësore si një mënyrë e uljes së varfërisë dhe rritje të sigurisë së ushqimit dhe të ushqyerit. Dritarja e Sektorit Privat, e administruar nga IFC dhe e mbështetur nga qeveria e Australisë, Kanadasë, Japonisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Shteteve të Bashkuara, ofron kredi afat-shkurta dhe afat-gjata, garancion kredie, asistencë kapitale dhe teknike për kompanitë e sektorit privat si dhe ndërmjetësim financiar. Ndërlidh fermerët e vegjël me tregje duke përmirësuar qasjen e tyre në financa, teknologji, ekspertizë dhe inpute.

 

 

Shiqo PDF
NGJARJET
<
Prill, 2024
>
DI MA ENJ PR SH
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930
REZULTATI I ANKETAVE

Fermerë të dashur, çfarë lloj media-burime te informimit përdorni për marrjen e informatave në bujqësi?

MOTI