FUSHATA E KORRJE-SHIRJEVE TË GRURIT NË KOSOVË KËTË VIT PREMTON PRODHIMTARI TË LARTË

Fushata e korrje-shirjeve ka filluar dhe sigurimi i lëndës së parë për prodhimin e bukës mbetet prodhimi esencial për vendin tonë dhe gruri si një ndër kulturat kyçe për mbjellje. Për dallim nga viti i kaluar, sivjet fushata e korrje-shirjeve ka filluar në kohë. Nisur nga rëndësia që ka procesi i korrje-shirjeve të drithërave të bardha, duhet të kemi parasysh edhe ndryshimet klimatike që po ndodhin edhe në vendin tonë, ku rekomandohet që të shfrytëzohen kushtet atmosferike të favorshme dhe, aty ku gruri ka arritur pjekjen teknologjike ta bëhet korrja. Përgatitjet për fillimin dhe realizimin e procesit të korrje-shirjeve të drithërave tanimë janë bërë për vitin 2024 nga MBPZHR në bashkëpunim me palët e tjera të interesit. Këtë vit pritet që prodhimtaria të jetë shumë më e lartë për njësi sipërfaqësore në raport me vitet paraprake. Prodhimtaria e qëndrueshme e grurit, varet nga një sërë faktorësh si:

  • Zgjedhja e kultivarëve cilësor të farës së grurit,
  • Masat e duhura agroteknike,
  • Punimi i tokësduke përfshirë: punimin themelor dhe atë plotësues,
  • Mbjellja në kohë,
  • Menaxhimi i ushqimitplehërimit të balancuar(bazë dhe atij plotësues), si dhe
  • Menaxhimi në kohë dhe me preparatet e duhura të barojave të padëshiruara si dhe menaxhimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve kyç që prekun kulturat e grurit.

Pra, këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë dhe sasisë së grurit për njësi të sipërfaqes, të cilat masa duhet të merren parasysh në të ardhmen.

Të gjithë fermerët të cilët kanë filluar me korrjen e grurit duhet të marrin parasysh rekomandimet që të mos fillojnë me korrje-shirjet para pjekjes së plotë të grurit, pasi që do të ketë humbje të grurit dhe ndikim në ulje të rendimentit mesatar, si dhe pikat grumbulluese nuk do ta pranojnë grurin nga fermerët nëse lagështia e grurit nuk është brenda normave optimale të lagështisë (12 -13 %). Këtë vit, çmimi i sugjeruar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në çmimin e tanishëm të derivateve, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, të jetë 130 €/ha, gjithnjë duke u bazuar në faktin se çmimi caktohet me marrëveshje mes fermerëve dhe auto kombajnerëve.

Sipas Ministrit të Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci, “sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur nga 46.931 ha (viti 2020) në 66.964 ha (viti 2023), respektivisht për 42.69%. Po ashtu, ai theksoi se në total sipërfaqet e mbjella me kultura të drithërave janë rritur nga 78.251 ha (viti 2020) në 112.047 ha (viti 2023), respektivisht për 43.19%. E këto shifra për vitin 2024 sipas ministrit Peci janë rritur ende dhe duke e pasur parasysh që në vendin tonë konsumohen mesatarisht 260 mijë tonë grurë në vit, sivjet gruri i prodhuar pritet të jetë së paku rreth 300 mijë tonë, ku edhe nevojat e konsumit do të përmbushen. Ky rendiment i pritur vjen si rezultat i rritjes së sipërfaqeve të mbjella për 60%, politikave të reja bujqësore, rritjes së mbështetjes në subvencione për 200%”. Për më tepër, ky rezultat është arritur falë punës së palodhshme të fermerëve të Kosovës, të cilët kanë rolin kryesor që tokat tona të jenë të mbjella dhe të na sjellin begati.

Të gjithë fermerëve gjatë kësaj fushate të korrje-shirjeve ju urojmë një vit të bereqetshëm dhe punë të palodhshme!

Nga Viola Xhemajli për Agro Portalin

Shiqo PDF