Fushata e korrje-shirjeve të grurit në Kosovë po ecën mbarë!

Pas një pranvere me reshje të vazhdueshme të shiut, nga java e kaluar edhe zyrtarisht ka filluar fushata e korrje-shirjeve në Kosovë. Sipas Ministrit të Bujqësisë Pylltarise dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci, sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur nga 46.931 ha (viti 2020) në 66.964 ha (viti 2023), respektivisht për 42.69%. Po ashtu, ai theksoi se në total sipërfaqet e mbjella me kultura të drithërave janë rritur nga 78.251 ha (viti 2020) në 112.047 ha (viti 2023), respektivisht për 43.19%. Ndërsa, profesori i Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Bujqësisë, z. Imer Rusinovci, potencoi se rendimenti mesatar i grurit për hektar edhe këtë vit rezulton të jetë ende i ultë, pra diku më poshtë se 4000 kg/ha.

Gjatë një analizë që ka bërë stafi i Agro Portal-it, del se reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë muajve maj dhe qershor, 2023, kanë patur një ndikim negativ në uljen e rendimentit, ku është manifestuar me një tkurrje të kokrrës së grurit dhe deformim të indit ushqyes ose endospermës, e cila ka rezultuar me një rendiment më të ultë.

Po ashtu, Agro Portal vlerëson se prodhimtaria e qëndrueshme të grurit, varet nga këta faktorë si: zgjedhja e varieteteve cilësore të farës së grurit, masat agroteknike, punimi i tokës duke përfshirë: punimin themelor dhe atë plotësues, mbjellja në kohë, menaxhimi i ushqimitplehërimit të balancuar (bazë dhe atij plotësues), si dhe menaxhimi në kohë dhe me preparatet e duhura ekologjike të barojave të padëshiruara. Pra, këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë dhe sasisë se grurit për njësi te sipërfaqes, të cilat masa duhet të merren parasysh në të ardhmen.

Qoftë ky një vit i bereqetshëm!

Agro Portal, ju uron punë të mbarë të gjithë fermerëve në fushatën e korrje-shirjeve!

 

 

 

 

Shiqo PDF