CERTIFIKIMI ORGANIK I BMA-ve

Në zhvillimin e hovshëm të sektorit të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, vend të rëndësishëm zë edhe certifikimi organik.

Ç’është certifikimi organik?!

Certifikimi Organik mund të shpjegohet si një procedurë me të cilën trupa certifikuese e akredituar me anë të një certifikate të fushëveprimit dëshmon që sistemi i prodhimit ose përpunimit të një operatori apo kompanie është vlerësuar në mënyrë metodike dhe është në përputhje me kërkesat e specifikuara, siç parashikohen në programin për prodhimin organik. Natyrisht që standardet dhe procedurat duhet të jenë të formuluara në harmoni me standardet e tjera ndërkombëtare që rregullojnë importin dhe eksportin e produkteve organike.

Certifikimi i organik i BMA-ve garanton cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produktit tek konsumatori në nivel vendor dhe në nivel ndërkombëtar (nëse produkti është eksportuar). Po ashtu, certifikimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga ndonjë falsifikim i mundshëm dhe mbrojtjen e prodhuesve nga konkurrenca e pandershme.

Popullsia botërore ka kaluar 8 miliardë banorë, temë kyçe natyrisht që është ushqimi dhe prejardhja e tij. Andaj, për të krijuar vlerë dhe një pikë dallimi në treg, një sistem funksionimi i fuqishëm dhe i vlefshëm për të verifikuar standardet organike në të gjithë zinxhirin e furnizimit është i një rëndësie jetike. Për më tepër certifikimi ka mundësuar shpërndarjen e gjerë gjeografike të produkteve organike nga BMA-të.

Kërkesa për produkte organike është vazhdimisht në rritje, dhe sipërfaqja e tokës nën prodhim organik po rritet vazhdimisht. Kjo rritje është si rezultat që njerëzit po bëhen më të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të shqetësuar për shëndetin, mirëqenien dhe ushqimet e tyre. Ndër të tjera në studime të ndryshme konsumatorët kanë raportuar se blejnë ushqim organik sepse është më mirë për ta, më mirë për fëmijët e tyre, më mirë për mjedisin dhe më i mirë për kafshët. Për më tepër, përpunuesit ushqimor e farmaceutik duhet të kenë produkte të certifikuara organike të cilat i përdorin si lëndë të para, në mënyrë që produkti i tyre final të jetë i sigurt dhe organik.

Në aspektin praktik në Kosovë dhe Shqipëri si trupë e parë certifikuese dhe më e njohur në sektorin e BMA-ve është Albinspekt (tani me emrin Bio.inspecta https://www.bio-inspecta.al/sq/home), e cila i certifikon kompanitë që janë të përfshira në stadet e ndryshme të sektorit të BMA-ve, qoftë mbledhje spontane, kultivim apo përpunim. Pra, fermerët për tu certifikuar së pari duhet të kontaktojnë trupën certifikuese dhe trupa certifikuese njofton fermerët për standardet që duhet plotësuar dhe rregullat që duhet ndjekur. Njëkohësisht aplikon vizita metodike në terren, nëse është e nevojshme edhe analiza të ndryshme për të verifikuar ndonjë dyshim të mundshëm sa i përket spektrit organik. Natyrisht që edhe bëhet pajisja me certifikatë kundrejt një pagese, e cila është në harmoni me punët, vizitat dhe angazhimet e trupës certifikuese të aplikuara për ngastrat e fermerit. Pasi fermeri të ketë pranuar certifikatën natyrisht që me lehtësi mund të bëj shitjen e produktit të tij sidomos në tregun e eksportit.

Certifikimi organik natyrisht që kontribuon me një përqindje në kostot totale të produktit, por në nivel të përgjithshëm konsiderohet paksa sfidë për fermerët e rinj si rezultat i disa pengesave administrative dhe sistematike të cilat në nivel botëror pengojnë zhvillimin më të shpejtë të këtij sektori. Megjithëse, certifikimi organik është dritarja më e madhe drejt tregjeve botërore për produkte organike.

Nga PhD.kandidat Ardit Sertolli, ekspert në zhvillimin e qëndrueshëm rural, për Agro Portalin.

Shiqo PDF