Bimët mjaltëdhënëse: Rëndësia e tyre për bletët

Bletët (Apis mellifera L.) janë një ndër insektet më të rëndësishme dhe një ndër organizmat më të dobishëm në natyrë. Ato kanë një marrëdhënie të ngushtë me bimët e lulëzuara. Bimët janë burim i nektarit dhe polenit, të cilët sigurojnë lëndët ushqyese thelbësore për bletët. Nektari shërben si burim i karbohidrateve dhe sasive të vogla të vitaminave, mineraleve dhe aminoacideve, kurse, poleni është burimi i proteinave dhe i sasive të ndryshme të aminoacideve, lipideve, vitaminave dhe mineraleve. Një shkëmbim i tillë bëhet përmes procesit të polenizimit /pjalmimit.

Roli i bletëve në pjalmimin e bimëve është theksuar si një kontribut i drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe biodiversitet. Ato kryejnë polenizimin/pjalmimin e shumë llojeve bimore dhe kulturave bujqësore, si dhe prodhojnë mjaltë. Disa nga kulturat bujqësore më të përhapura në vendin tonë, që polenizohen përmes bletëve janë: pemët frutore – molla, kumbulla, dardha; perimet – trangujt, lulelakra, brokoli; bishtajoret – jonxha, e shumë kultura tjera, duke rritur kështu produktivitetin bujqësor prej 30-80% gjatë vitit.

Cilat janë Bimët kryesore mjaltë-dhënëse?

Identifikimi i bimëve mjaltë-dhënëse, përkatësisht, bimëve prodhuese të nektarit dhe polenit është poashtu i rëndësishëm për bletarët. Ata e kanë më të lehtë të zgjedhin vendin dhe kohën e duhur për vendosjen e koshereve, si dhe të njohin origjinën botanike të mjaltit. Prejardhja botanike e mjaltit është një nga parametrat më të rëndësishëm të cilësisë së mjaltit. Mjalti i përfituar nga bimë të ndryshme ka karakteristika dhe përdorime të ndryshme, si në mjekësi ashtu edhe në industrinë ushqimore.

Për më tepër, ofrimi i një game të larmishme të bimëve mjekësore mund të ndihmojë në mbështetjen e shëndetit të bletëve gjatë gjithë vitit. Mentha arvensis L.  (Mendër/menta), Lavandula angustifolia L. (lavender) dhe  Matricaria chamomila L. (kamomili) janë disa nga bimët mjekësore që preferohen nga bletët.

Kurse, disa nga barojat më të përhapura në vendin tonë, të cilat konsiderohen si bimë mjaltë-dhënëse janë: Daucus carota (karrotë e egër), Achillea millefolium L. (barpezmi mijëfletësh), Anthemis arvensis L. (luleqeni), Centaurea cyanus L. (kokoҫel i kaltër/ciani), Sonchus arvenis L. dhe Sonchus oleraceus L. (tamëlҫaku), Sinapis arvensis L. (sinapi i arave), Fumaria officinalis L. (fom mjekësor), Ajuga reptans L. (ajugë zvarritëse), Lamium purpureum L. (hithëbutë e purpurtë), Papaver rhoeas L. (lulëkuqja), si dhe Linaria vulgaris Mull. (linarie e rëndomtë), etj.

Gjithashtu, një nga lulet më të mira për pjalmuesit dhe insektet e dobishme është edhe Phacelia tanacetifolia Benth. (facelia) ku, kjo bimë me madhësi mesatare është një domosdoshmëri për çdo plantacion. Phacelia tanacetifolia Benth. (Facelia), njihet gjithashtu edhe si ‘mik i bletës’ dhe ky është një term i qëlluar për këtë bimë, ajo konsiderohet një bimë e mjaltit, dhe kosheret e bletëve të vendosura në vende të mbjellura me Facelia mund të prodhojnë 81.64 kg – 680 kg mjaltë për hektar dhe 136 kg – 453 kg polen për hektar. Për shkak të sasisë  të nektarit dhe polenit që prodhon Facelia, ajo ka një vlerë të veçantë për bletët vendase që mbështeten në këto burime.

Aktivitetet njerëzore, përkatësisht, bujqësia intensive, shpyllëzimi dhe zhvillimi urban po shkaktojnë humbjen e habitateve, burimeve të disponueshme ushqimore dhe foletë e bletëve vendas. Andaj, mbrojtja e bletëve dhe pjalmuesve të tjerë është një çështje kritike, ku, ekuilibri në mes sistemit të qëndrueshëm bujqësor dhe biodiversitetit të mjediseve natyrore është më se i nevojshëm.

Dr. Rozafa Fetahaj për AgroPortalin

Shiqo PDF