Konferenca e 2-të: Promovimi i teknologjive të reja në sektorin e qumështit në Kosovë

Më 10 dhjetor 2024, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), në bashkëpunim me organizatën We Effect, organizoi konferencën e radhës me temë: “Përdorimi i teknologjive të reja në sektorin e qumështit”. Kjo konferencë synoi të nxisë diskutime mbi zhvillimin e sektorit të qumështit përmes inovacioneve dhe përmirësimit të praktikave aktuale.

Konferenca filloi me një fjalë hyrëse nga z. Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili prezantoi masat mbështetëse të qeverisë gjatë viteve të fundit. Ai nënvizoi rëndësinë e politikave mbështetëse për zhvillimin e sektorit të qumështit, duke përmendur masat e ndërmarra nga MBPZHR, si: grantet për bujqësi dhe zhvillim rural, subvencionet për krerët e gjedhit dhe cilësinë e qumështit, subvencionet për therrjet e raportuara të gjedhit, si dhe mbështetjen për viçat për majmëri.

Më pas, z. Naser Bajraktari, përfaqësues i SHPQK-së, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin e qumështit për të përmirësuar cilësinë dhe produktivitetin në këtë sektor jetik.

Në kuadër të fjalimeve hyrëse, z. Arben Musliu, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, theksoi rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik, studentëve dhe sektorit privat për të forcuar lidhjet midis arsimit dhe industrisë.

Pas fjalimeve hyrëse, pjesa e prezantimeve u fokusua në inovacionet teknologjike dhe praktikat më të mira në sektorin e qumështit:

  • Znj. Vabona Ylli nga Shoqata Shqiptare e Blegtorëve prezantoi temën: “Aplikimet e reja teknologjike që ndihmojnë fermerët të përmirësojnë menaxhimin dhe efikasitetin”.
  • Z. Behlul Behluli diskutoi mbi temën: “Teknologjitë në të ushqyerit e gjedhit”.
  • Z. Vladimir Kakurinov ndau përvoja mbi: “Aplikimin e inxhinierisë dhe dizajnin higjienik”, duke theksuar rritjen e standardeve të cilësisë në përpunimin e qumështit.
  • Në fund, z. Basri Hyseni prezantoi analizën sektoriale të sektorit të qumështit, duke adresuar sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e tij në Kosovë.

Konferenca vazhdoi me një panel diskutimi të moderuar nga z. Kurtesh Sherifi. Panelistët, përfaqësues nga sektori privat dhe publik, eksploruan tema të rëndësishme për të ardhmen e industrisë së qumështit. Panelistët ishin:

  • Znj. Hidajete Demaj Nika- fermere
  • Z. Sadush Kabashi, nga Milky Way Farm;
  • Z. Halim Ajvazi, nga Agro Xhelili SH.P.K;
  • Z. Arban Hoxha, nga MBPZHR.

Diskutimi u përqendrua në përparësitë, dobësitë dhe mundësitë që ofron ky sektor për zhvillimin ekonomik dhe social në vend.

Në përfundim, pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publikë, privatë dhe akademikë për të promovuar inovacionet dhe për të rritur konkurrencën e sektorit të qumështit në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Kjo konferencë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të qumështit, duke nxitur adoptimin e teknologjive moderne dhe përmirësimin e praktikave të punës për fermerët kosovarë.

Scroll to Top