UJI – roli dhe rëndësia e ujitjes te bimët

Uji ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e duhur të bimës. Detyra e ujitjes është të rregullojë regjimin e nevojshëm të ujit, ajrit, nxehtësisë, mikrobiologjik dhe mineral të tokës, domethënë të sigurojë kushte optimale për rritjen dhe zhvillimin e bimëve në kushte të ndryshme moti.

Me anë të ujit, bima transporton në trupin e saj lëndët ushqyese të nevojshme, me ç‘rast me anë të fotosintezës dhe proceseve të tjera kimike, formohet lënda organike, e cila është material bazë për ndërtimin e trupit të bimës dhe premisës për frutifikimin e saj.

Ujitja, veçanërisht në sezonin me thatësi dhe pa të rreshura (muajt korrik dhe gusht), kompenson deficitin e ujit gjatë periudhës së vegjetacionit dhe ndikon në faktorë të rëndësishëm për rritjen e bimëve.

Ndikimi i ujit në bimë është kompleks dhe i rëndësishëm, sepse uji është një pjesë integrale e bimës dhe për rritjen normale, cilësinë e prodhimit  dhe rendimentin e planifikuar, është e nevojshme të sigurohen sasi optimale të ujit .

Për të përcaktuar metodën e ujitjes dhe sasinë e saj, nevojitet paraprakisht që të dihet struktura dhe tekstura e tokës, veçoritë dhe kërkesat e bimës për ujë përgjatë fenofazave të zhvillimit të bimës por edhe mënyrën ujitjes dhe kjo bazohet në:

  • mënyra e kultivimit (serra, ambiente të hapura),
  • sipërfaqja gjethore,
  • sistemi rrënjor,
  • koha e kultivimit, (periudha ose stina)
  • periudha e vegjetacionit, (fazat e zhvillimit)
  • dendësia e mbjelljes,
  • forma e gjethes, lloji i bimës etj.

Sasia e ujit për ujitjen e bimëve në një tokë të caktuar, varet nga poroziteti i saj. Me porozitet kuptojmë raportin e volumit të tokës me hapësirat që ekzistojnë në mes thërrmijave të tokës në një volum të caktuar toke.

Kështu për tokat argjilore, poroziteti (hapësira me ajër) është rreth 65 %, në tokat ranore është 35 % dhe në ato subargjilore (e mesme) është rreth 50 %.

Sasia e ujit që “hidhet” në tokë, nuk thithet e tëra nga bimët, por shkon në këto drejtime:

  • Një pjesë avullohet nga toka në atmosferë,
  • Një pjesë shkon si ujë graviteti në shtresat më të thella të tokës nëpërmjet filtrimit,
  • Një pjesë thithet nga rrënjët e bimëve (të kultivuara ose të pa kultivuara).

Format e ujit në tokë:

Uji i gravitetit – është uji që tenton të largohet nga toka nga forcat tërheqëse të gravitetit të tokës, pasi hapësirat e tokës nuk kanë mundësi ta mbajnë. Kjo formë e ujit thithet mirë nga bima.

Ujë kapilar – është uji që mbetet pas largimit të ujit të gravitetit, nëpër hapësirat e tubave kapilare të tokës. Kjo sasi është rreth 17% e volumit të tokës për tokat ranore, 30 % për tokat argjilore dhe rreth 23 % për tokat e mesme.

Uji higroskopik – është sasia e ujit që mbetet pas largimit të ujit kapilar përreth grimcave të dheut. Deri këtu bima ka mundësi ta thithë këtë sasi uji për nevojat e saj.

Kur sasia e ujit arrin deri në nivelin e ujit higroskopik, do te thotë, kur toka nuk ka ujë më, dhe fillon thithjen e lagështisë nga lagështia e ajrit, atëherë bima kalon në vyshkje, në qoftë se nuk ndërhyhet me ujitje.

Është vërtetuar se mbi 99 .4 % e sasisë së ujit që bimët marrin nga toka, përdoret për rregullimin e regjimit të temperaturave të trupit të tyre, nëpërmjet procesit të transpirimit. Vetëm 0.6 % e ujit është ujë kimikisht i lidhur dhe shfrytëzohet për nevojat e bimës.

Si caktohet norma e ujitjes?

Norma e ujitjes shprehet në mm/m2 ose m3/ha. Ekziston një normë ujitje neto dhe bruto. Norma neto është sasia e ujit të përdorur nga bimët dhe toka për avullim. Norma bruto e ujitjes përfshin gjithashtu humbjet e ujit të ujitjes, rrjedhjet e ndryshme sipërfaqësore si dhe rrjedhjet nëntokësore, avullimin dhe humbjet në rrjet. Shkalla neto e ujitjes përcaktohet nga ekuacioni i bilancit të ujit të tokës. Pra, shkalla neto e ujitjes është diferenca midis avullimit dhe rezervave të ujit të tokës.

Nga reshjet e përgjithshme, vetëm pjesa që arrin në shtresën aktive të tokës përdoret për të përcaktuar shkallën e ujitjes dhe ky fenomen quhet “reshje efektive” që redukton nevojën për ujë përmes ujitjes.

Në tokat e lehta jo skeletore (ku fraksionet e koloideve tokësore janë të mëdha-tokat ranore), ujitja duhet të bëhet me sasi më të vogla dhe me turnuse të shpeshta. Ndërsa, te tokat e rënda skeletore (ku fraksionet e koloideve të dheut janë të vogla-tokat argjilore) ujitja duhet të behet me sasi më të mëdha të ujit  dhe me turnuse të vogla.

Norma e ujitjes për bimët, përcaktohet nga koeficienti i transpiracionit. Koeficienti i transiracionit është sasi a e ujit që i nevojitet bimës për të krijuar 1 g të masës së thatë. Për krijimin e 1 kg të masë së thatë, bimës i nevojiten, varësisht, nga 200 ml-1000 ml (1L) ujë. Pra 1 koeficient është baras me 200ml-1L ujë.

P.sh. nëse duam që rendimenti në 1 Ha mollë të jetë 60 tonë, atëherë për krijimin e kësaj mase të thatë, nevojiten së paku 60 milion litra ujë. Themi së paku ngase, kjo sasi e ujit shfrytëzohet edhe për krijimin e habitusit të bimës dhe jo vetëm për rendimentin.

Në tabelën e mëposhtme paraqesim koeficientin e transpiracionit të disa bimëve:

Kultura Koeficienti i transiparcionit/mm
Gruri 450-600
Misri 250-300
Orizi 500-800
Barërat 500-700
Perimet 500-800
Pemët 350-600

Uji i përdorur për ujitje duhet të plotësojë disa kushte specifike fizike, kimike dhe mekanike. Në përgjithësi, uji i papërpunuar nuk është i përshtatshëm për përdorim, pasi përmban substanca të ndryshme që ndikojnë negativisht në cilësinë e tij. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për sistemet e ujitjes pikë-pikë, ku uji i papërpunuar mund të bllokojë pikatoret.

Nga Dr. Muzafer Luma për Agro Portalin

Scroll to Top