U MBAJT CEREMONIA E PROMOVIMIT TË KONTRAKTIMIT TË FERMERËVE LOKAL ME KOMPANINË “JONI-SH” NË BALLOFC TË PODUJEVËS

Sot, më 15.05.2024, u mbajt ceremonia e promovimit të kontraktimit të fermerëve lokal me kompaninë “JONI-SH” në Ballofc të Podujevës. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të donatorëve ndërkombëtar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe CARITAS-i Zviceran në Kosovë (projekti EREA) përfaqësues nga drejtoria e bujqësisë, komuna e Podujevës, përfaqësues të shoqatave nacionale dhe fermerë të zonës.
Qëllimi i kësaj ceremonie ishte promovimi i kultivimit të bazuar në kontratë dhe lidhjet me tregun si dhe shpërndarja e inputeve për kultivimin e sipërfaqeve të reja (duke siguruar lëndën e parë cilësore). Gjatë këtij eventi u bë shpërndarja e rreth 21,160 fidaneve, për 2.7 ha për 18 fermerë të rinj të mjedrës.
Kjo iniciativë jo vetëm që mbështet fermerët lokal duke u ofruar atyre burime të nevojshme, por gjithashtu, nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe fuqizimin e komunitetit rural.
Përmes këtij programi synohet rritja e prodhimit bujqësor dhe përmirësimi i cilësisë së jetës për fermerët dhe familjet e tyre. Kompanitë si “JONI-SH” janë model i praktikave të mira dhe shembull për funksionimin e kontraktimit me fermerë në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ky bashkëpunim ndërmjet sektorit privat, organizatave ndërkombëtare dhe fermerëve lokal përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të qëndrueshme dhe të begatë për bujqësinë në vend dhe për sektorin e mjedrës në veçanti.
Scroll to Top