Shoqata ORGANIKA më datën 28.06.2024 ka lansuar softuerin e parë për Bujqësi Organike në Kosovë. Në këtë event u bë prezantimi i përdorimit të softuerit dhe lehtësimi i proceseve të mbajtjes së shënimeve. Softueri ‘Regjistri për Bujqësi Organike-ORMS’, është softuer për mbajtjen e regjistrimeve në fermë dhe është i përshtatshëm për të gjithë fermerët, kompanitë dhe pikat grumbulluese të cilët implementojnë standardin organik, duke i plotësuar kërkesat e këtij standardi sa i përket mbajtjes së regjistrimeve. Ky softuer do të ndihmoj agrobizneset të planifikojnë aktivitetet e tyre, të masin efikasitetin e prodhimit, të zbusin rreziqet nga humbjet dhe të bëjnë parashikime rreth bizneseve të tyre. Zhvillimi i softuerit ‘Regjistri për Bujqësi Organike-ORMS’ është mbështetur nga projekti ‘Entrepreneurship Promotion’ i GIZ Kosovo. Gjatë këtij eventi, pas përfundimit të programit të trajnimit (ToT) për kultivimin organik të BMA-ve dhe grumbullimin e qëndrueshëm të PPJD-ve u bë shpërndarja e certifikatave për 12 këshilltarë të rinj të cilët përfunduan me sukses programin 32-ditor dhe trajnimet e zhvilluara në 14 module (teori dhe vizita në terren). Trajnimi i trajnerëve për Bujqësi Organike, Kultivim të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA) dhe Grumbullim të Qëndrueshëm të Produkteve Pyjore Jo-Drusore (PPJD) u mbështet nga GIZ Kosovo (projekti Entrepreneurship Promotion) dhe CNVP Kosovo (projekti Sustainable Natural Resources for Environment and Economic Development), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarise dhe Zhvillimit Rural.