Produktet për Mbrojtjen e Bimëve dhe Siguria ushqimore: Rëndësia e Nivelit Maksimal të Mbetjeve (MRL) për eksportet nga Kosova

Përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve në bujqësi është një praktikë e zakonshme për mbrojtjen e kulturave nga dëmtuesit, sëmundjet dhe barojat e padëshiruara. Megjithatë, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar që ushqimi është i sigurt për konsum, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur standarde strikte për Nivelin Maksimal të Mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve (MRL) në produktet bujqësore. MRL përkufizohet si sasia maksimale e mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve e lejuar në një produkt ushqimor të caktuar, pa përbërë rrezik për shëndetin e njeriut.

Kjo praktikë ka një rëndësi të veçantë për kulturat që synojnë eksportin, pasi produktet bujqësore që nuk përmbushin standardet e BE-së për Nivelin Maksimal të Mbetjeve (MRL) nuk lejohen të hyjnë në tregun evropian. Një nga kulturat me potencial të lartë eksporti nga Kosova dhe rajoni është domatja. Në këtë artikull, do të fokusohemi te MRL-të e produkteve për mbrojtjen e bimëve për domatet, duke paraqitur disa nga materiet aktive më të përdorura dhe kufijtë e përcaktuar nga BE-ja për to.

MRL për Domatet sipas Rregulloreve të BE-së

Sipas rregulloreve të BE-së, për secilën materie aktive janë të përcaktuara MRL-të, bazuar në testime rigoroze dhe studime shkencore që vlerësojnë rrezikun për shëndetin e konsumatorëve. MRL-të kontrollohen dhe përditësohen rregullisht, në përputhje me të dhënat më të fundit. Në lidhje me domatet, disa nga produktet për mbrojtjen e bimëve më të përdorura janë klorpirifos, cipermetrin, dhe lambda-cihalotrin, të cilat përdoren për kontrollin e insekteve – dëmtues tek domatja.

1.  Klorpirifosi (Chlorpyrifos)

Klorpirifosi është një insekticid që përdoret gjerësisht për kontrollin e një sërë dëmtuesish, përfshirë ato që prekin domatet. Për këtë materie aktive, MRL-ja në domate sipas Rregullores (BE) Nr. 396/2005 është 0.01 mg/kg. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i klorpirifosit është kufizuar në disa vende të BE-së, për shkak të shqetësimeve për ndikimet e tij në shëndetin publik.

2.  Cipermetrin (Cypermethrin)

Cipermetrin është një insekticid pyrethroid që përdoret për kontrollin e insekteve në kultura të ndryshme, përfshirë domatet. Sipas rregullores së BE-së, MRL-ja për cipermetrinën në domate është 0.5 mg/kg. Cipermetrina përdoret në doza të kontrolluara për të shmangur tejkalimin e këtij limiti, duke u bazuar në periudha të përcaktuara të pritjes përpara vjeljes.

3.  Lambda-cialotrina (Lambda-cyhalothrin)

Lambda-cihalotrin është një tjetër insekticid piretroid që përdoret në domate për të kontrolluar një spektër të gjerë insektesh. MRL-ja e saj për domatet është 0.3 mg/kg, sipas standardeve të

BE-së. Kjo materie aktive kërkon përdorim të kujdesshëm për të shmangur tejkalimin e limitit të lejuar, veçanërisht gjatë periudhës së para-vjeljes.

Rëndësia e MRL-ve për Eksportin e Domateve

Për prodhuesit dhe eksportuesit e domateve në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, përmbushja e kërkesave për nivelet maksimale të mbetjeve (MRL) është thelbësore për të siguruar akses në tregun e Bashkimit Evropian. Çdo tejkalim i MRL-së gjatë analizave të kontrollit të cilësisë në vendet importuese mund të rezultojë në bllokimin e produkteve ose në kosto të larta për asgjësimin e tyre.

Praktikat e mira bujqësore, si përdorimi i sigurt i produkteve për mbrojtjen e bimëve sipas udhëzimeve, respektimi i periudhave të pritjes përpara vjeljes dhe kryerja e analizave laboratorike të rregullta për monitorimin e mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve, janë thelbësore për të shmangur tejkalimin e niveleve maksimale të lejuara (MRL). Në këtë kontekst, bashkëpunimi i ngushtë me laboratorët e akredituar për analizimin e mbetjeve dhe zbatimi i praktikave të integruara të mbrojtjes së bimëve përfaqësojnë disa nga masat më të rëndësishme për sigurimin e produkteve të sigurta dhe të përshtatshme për eksport.

Përfundim

Rregulloret për Nivelin Maksimal të Mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve (MRL) janë një element kyç për sigurinë ushqimore dhe përputhshmërinë me kërkesat e tregjeve ndërkombëtare. Për kultura me potencial të lartë eksporti, si domatja, është thelbësore që prodhuesit të jenë të informuar dhe të angazhuar për respektimin e kufijve të MRL-ve të përcaktuara nga BE-ja. Kjo kërkon një qasje të integruar, që përfshin monitorimin e vazhdueshëm të mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe përdorimin e teknikave moderne të mbrojtjes së bimëve, për të siguruar që produktet e eksportuara të jenë të sigurta dhe konkurruese në tregun global.

Nga Arbnora Berisha për Agro Portalin

Scroll to Top