Rrushi është një nga kulturat më të vjetra të kultivuara në Kosovë. Përmbajtja e pasur e rrushit me vitamina dhe ushqyes të tjerë të rëndësishëm e bëjnë atë një frut të shëndetshëm për trupin e njeriut. Vitaminat kryesore që mund të gjenden në rrush janë vitamina C dhe K, gjithashtu ka edhe shumë fibra dhe antioksidantë.
Në ditët e sotme, Kosova prodhon rrush të cilësisë së lartë në mbi 3400 hektarë, ku rrushi i verës përfshin sipërfaqen më të madhe, me mbi 2500 hektarë dhe pjesa tjetër kultivohet me rrush të tryezës, kryesisht për konsum lokal.
Rrushi i verës kultivohet kryesisht në komunat Rahovec dhe Suharekë, ndërsa përpunuesit më të mëdhenj të rrushit ndodhen në Rahovec. Ekzistojnë disa varietete të rrushit të verës në dispozicion në treg si: Vranq Cabernet, Smedervka dhe Pinot. Aktualisht, ekzistojnë rreth 12 verari që veprojnë dhe prodhojnë verë me cilësi të lartë në Kosovë. Një pjesë e prodhimit është e dedikuar për eksport, ndërsa shumica është e destinuar për konsum lokal.
Rrushi i verës është një nga kulturat më të rëndësishme për Kosovën për shkak të numrit të madh të fermerëve të angazhuar në këtë aktivitet dhe rëndësisë ekonomike të kësaj kulture që ka për ekonominë e Kosovës. Me zhvillimin e kapaciteteve përpunuese, Kosova është e pranishme në tregun ndërkombëtar, në shumë vende të BE-së, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç mund të shihet në figurën më poshtë, sipërfaqet e rrushit në Kosovë kanë qenë pothuajse konstante përgjatë periudhës pesë vjecare 2016-20. Ndërsa sa i përket prodhimtarisë, ajo ka shënuarndryshime të dukshme përgjatë kësaj periudhe, ku në dy vite pa shënuar rënie.
Kultivimi i rrushit, rrushit të verës (ha), dhe prodhimi (t) në Kosovë për periudhën 2016-2021
Rënies në prodhimtari në vitet e fundit mund t’u atribuohen shumë faktorëve, mirëpo një nga faktorët më të rëndësishëm është moti (kushtet atmosferike). Edhe pse kultivimi i rrushit të verës në Kosovë ka disa përparësi, siç janë kushtet e motit, pozicioni gjeografik dhe faktorët tjerë, kultivuesit e rrushit të verës përballen gjithashtume shumë rreziqe të lidhura me kushtet e motit derisa të kenë produktin e tyre përfundimtar në duart e tyre. Ndër këto rreziqe më kryesoret janë temperaturat e ulëta, ngricat pranverore, reshjet e mëdha të shiut dhe breshëri. Kushtet e këqija të motit ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e prodhimit. Në vitet e fundit, fermerët shpesh kanë hasur vështirësi për të arritur një prodhim të dëshirueshëm në vreshtat e tyre. Përveç masave agronomike të ndërmarra për të mbrojtur prodhimet e tyre, atyre u mungojnë instrumentet financiare si sigurimi bujqësor për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit dhe qëndrueshmërinë e biznesit. Shembuj të ngjarjeve të fundit të motit që ndodhën përgjatë viteve të fundit në Kosovë, mund të përmendet në veçanti acari pranveror në vitet 2016 dhe 2017 dhe breshëri në vitin 2018, duke shkaktuar miliona euro humbje për kultivuesit e rrushit.
Disa nga përfitimet kryesore të sigurimit bujqësor për vreshta janë listuar më poshtë:
- Të mbrojë vreshtarët nga rënia e të hyrave për shkak të humbjes (uljes) së rendimentit;
- Siguron vazhdimësi të biznesit në rast të ndodhjes/ paraqitjes së faktorëve të ndryshëm klimatik;
- Të forcojë kapacitetin e vreshtarëve për të shlyer borxhet (p.sh., pagesa mujore e kredisë);
- Të inkurarojë vreshtarët të investojnë (adaptojnë) praktika dhe teknologji bujqësore më të reja dhe më produktive.
Me disponueshmërinë e sigurimeve bujqësore, fermerët e Kosovës do të jenë më të sigurt për të rritur investimet e tyre në fushën e vreshtarisë dhe të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare me produkte cilësore.