Pse iu duhet sigurim bujqësor fermerëve të Kosovës?
Kushtet atmosferike kanë pësuar një ndryshim të madh në dekadën e fundit, si në Kosovë ashtu edhe në botë. Kjo mund t’i atribuohet ndryshimeve që vijnë nga pasojat e ngrohjes globale. Ngjashëm me vendet e tjera, në prill të viteve 2016 dhe 2017, Kosova u përball me disa ditë me temperatura të ulëta që shkaktuan humbje të mëdha të prodhimit, kryesisht në sektorin e frutave. Mbi 80% e rendimentit të pritur nga frutat ishte humbur si pasojë e ngricave pranverore. Ngjashëm gjatë viteve 2009, 2012, dhe 2015, Kosova u përball me disa ditë me thatësira që shkaktuan humbje në rendiment, kryesisht në grurë dhe misër. Përsëri në vitin 2011, Kosova u përball me një mot të keq me acar pranveror, i cili shkaktoi dëme në pemishte, sidomos në vreshta. Ky nuk ishte viti i vetëm që Kosova u përballë me humbje në prodhim për shkak të motit të keq, ku sidomos sektori i frutave pësoj goditje edhe më të madhe gjatë viteve në vijim. Këto ngjarje të shkaktuara nga ndryshimet klimatike që goditën sektorin e bujqësisë, kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e fermerëve të Kosovës. Rreziqet në bujqësi krahasuar me rreziqet e tjera janë të ndryshme, për shkak që ngjarjet nga moti i ligë përfshijnë shumë fermerë në të njëjtën kohë, duke shkaktuar humbje sistematike dhe të jashtëzakonshme. Këto humbje gjithpërfshirëse janë shumë të vështira për t’u mbuluar për të gjithë fermerët në të njëjtën kohë duke marrë parasysh mungesën e burimeve financiare si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendrorë. Regjistrimi i humbjeve në vlera tejet të larta, solli nevojën e domosdoshme që në Kosovë të zhvillohet sistemi i sigurimeve bujqësore. Një sistem i qëndrueshëm dhe efikas i sigurimeve bujqësore, do të ofronte kontribut të madh në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend, duke ulur rreziqet dhe duke rritur mundësinë e investimeve për fermerët.
Çfarë është sigurimi i bujqësisë, si funksionon,dhe cfarë është sigurimi i bazuar në principet e Indeksit?
Ekzistojnë mundësi të ndryshme për fermerin për të zvogëluar rrezikun gjatë sezonit të prodhimit. Një nga mjetet që ndihmon në tejkalimin e rreziqeve është sigurimi bujqësor, që përbën një instrument për mbrojtjen e fermerit nga rreziqet e ndryshme si pasojë e kushteve të motit. Sigurimi bujqësor është një instrument financiar efektiv për të siguruar pagesa për fermerët, nëse ata përballen me humbje në prodhim për shkak të motit të keq. Sigurimi bujqësor mund të siguroj vazhdimësi të biznesit për fermerët në rast të humbjeve. Ai përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të zbutur rreziqet dhe siguron një rrugë më të sigurt për investimet e bankës, ku fermerët mund të paguajnë kreditë e tyre edhe në rast të dështimit të kulturave (prodhimit bujqësor). Së pari, sigurimi bujqësor mund të përdoret si mjet për të ndihmuar në mbulimin e pjesërishëm të vlerës së kolateralit për kredi, pasi që një nga shumë vështirësitë me të cilat përballet fermeri, është ofrimi i kolateralit të mjaftueshëm, kërkesë kjo e parashtruar nga bankat për të lëshuar kredi. Së dyti, vështirësi tjetër është mungesa e likuiditetit në periudhat kur prodhimi bujqësor dëmtohet nga kushtet atmosferike, atëherë sigurimi bujqësor ndihmon për të paguar këstin e kredisë. Në përgjithësi, me sigurim bujqësor do të jetë shumë më e lehtë për bankat dhe institucionet mikro financiare (MIF-të) që të japin kredi bujqësore.
Por, përveç sigurimit bujqësor, ekzistojnë edhe mjete të tjera që ndihmojnë fermerët për të zbutur rreziqet si: a) diversifikimi (kultivimi i kulturave të ndryshme, bagëtisë, diversifikimi gjeografik, të ardhurat nga burime të tjera), b) teknologjitë e reja (rrjeta kundër breshërit, ujitja në formën e shiut ndaj ngricave pranverore, dhe mjete/ masa të tjera).
Duke pas parasysh se në Kosovë nuk ka ekzistuar asnjë sigurim bujqësor deri më tani, Korporata Ndërkombëtare Financiare (International Finance Corporation- IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka zhvilluar modelet e para të sigurimit bujqësor për fermerë. Këto modele janë përgatitur me anë të llogaritjeve aktuariale dhe në fushën e sigurimeve njihen si produkte INDEKS. Por cfarë është sigurimi indeks? Ky lloj i sigurimit bujqësor paraqet një mjet për fermerët për të zbutur rrezikun kur ngjarjet e pafavorshme të motit si temperatura shumë të ulëta ose shumë të larta, reshje të tepërta të shiut dhe thatësira. Për të gjitha humbjet në të ardhura të shkaktuara nga këta faktorë të motit të përmendur më sipër, të gjithë fermerët që kanë blerë sigurimin do të kompensohen direkt nga kompanitë e sigurimeve.
Pse fermerët kanë nevojë për sigurim bujqësor?
Themelimi i sistemit të sigurimeve bujqësore në bujqësi është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë, duke pas parasysh edhe ndikimin pozitiv që ky sektor ka në rritjen ekonomike të vendit. Fermerët që do të pajisen me sigurim bujqësor do të kenë një stabilizim të rrjedhës së parasë së tyre nga pengesa të paparashikuara që lidhen me fatkeqësitë e motit. Sigurimi bujqësor do të ndihmojë në rritjen e produktivitetit bujqësor, fermerët do të kenë nevojë për qasje në financa për të blerë më shumë tokë (fermat duhet të rriten në madhësi për t’u bërë më efikase); blejnë fara me cilësi të mirë dhe inpute të tjera për rritjen e rendimenteve, të investojnë në sektorin e vlerës së shtuar për të zëvendësuar importin. Duke pasur parasysh se mbijetesa e fermerit varet nga cilësia dhe sasia e prodhimit që prodhon, sigurimi i kulturave ndihmon në vazhdimësinë e prodhimtarisë bujqësore, zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe rritjen ekonomike në përgjithësi.
Roli i qeverisë në zhvillimin e sistemit të sigurimeve bujqësore
Kushtet ekstreme të motit që kanë qenë të pranishme në Kosovë gjatë viteve të fundit, veçanërisht ato të viteve 2016 dhe 2017, kanë shkaktuar humbje të jashtëzakonshme ekonomike, duke e bërë të pamundur që këto dëme të mbulohen me mjetet buxhetore të Ministrisë së Bujqësisë. Nëse gjendja e ngjashme e motit vazhdon të ndodhë edhe në vitet e ardhshme, do të jetë shumë e vështirë për strukturën qeveritare që të ofrojë mbështetje financiare përmes skemës së pagesave “ad hoc”. Pra, për Qeverinë e Kosovës dhe sidomos për Ministrinë e Bujqësisë, është shumë e rëndësishme të zbatohet një sistem i Sigurimit Bujqësor i cili do të sigurojë mbrojtje për fermerët që prodhojnë në Kosovë.
Krahas programeve të granteve dhe subvencioneve që ofrohen në baza vjetore nga Ministria e Bujqësisë, ky institucion ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje edhe në sigurimin bujqësor, duke mbuluar rreth 75% të vlerës së polisave të sigurimit për të gjithë fermerët të cilët dëshirojnë të blejnë produkte të sigurimit. Qeveria e Kosovës e këshilluar nga IFC / Grupi i Bankës Botërore do të ndjek praktikat më të mira nga vendet e tjera si: SHBA, Kanada,, Turqia dhe Spanja, dhe të zbatoj këto programe për fermerët në Kosovë. Duke marrë këtë hap në mbështetjen e politikës së sigurimit, Ministria e Bujqësisë është duke treguargatishmërinë për të avancuar më tej zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Skema e sigurimeve bujqësore në Kosovë do të organizohet në një partneritet midis tre akterëve kryesorë – fermerëve, Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (kompanitë e sigurimeve) dhe MBPZHR-së.
Produktet e para të sigurimeve bujqësore për fermerët e Kosovës
Korporata ndërkombëtare financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, përmes Projektit për Financimin e Bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore dhe projektit për Financimin dhe Sigurimin e Bujqësisë, në bashkëpunim me MBPZHR-në, kanë zhvilluar dymbëdhjetë produkte të sigurimit bujqësor indeks për fermerët e Kosovës.
Sektori i frutave në Kosovë është me rëndësi për Ministrinë e Bujqësisë, meqë ka pasur një rritje të vazhdueshme të zonave të mbjellura gjatë viteve. Produktet e para të sigurimit bujqësor janë përzgjedhur në bazë të analizave të fitimeve (profitabilitetit), sidomos ato të sektorit të frutave dhe perimeve, numrit të fermerëve dhe, në të njëjtën kohë, rrezikut të ekspozimit të tyre ndaj kushteve të motit. Një arsye tjetër është se sektori i frutave dhe perimeve kanë pësuar humbje të mëdha përgjatë viteve të fundit, ku shumica prej këtyre humbjeve nuk janë mbuluar siç duhet nga ndonjë mekanizëm lehtësues të humbjeve. Për të mbrojtur sipërfaqet aktuale të kultivuara me fruta dhe perime dhe me produkte të tjera bujqësore, dhe në përgjithësi për të zhvilluar më tej këtë sektor, duke mos konsideruar investime të tjera potencialisht të nevojshme në formën e teknikave më të mira të prodhimit, është e rëndësishme për të mbështetur fermerët me një mekanizëm lehtësues të rrezikut siç është sigurimi bujqësor.
Produktet që janë përzgjedhur për t`u pajisur me sigurim bujqësor janë molla, mjedra, dredhëza, speci, rrushi i verës, kumbulla, dardha, arra, qërshija,vishnja, fasulja, misri dhe gruri.
Shitja e polisave të sigurimit do të kryhet nga kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë. Fermerët do të jenë në gjendje t’i qasen atyre në të gjitha komunat dhe kudo që ka një zyrë të kompanisë së sigurimit. Produkti i parë i sigurimeve do të jetë i bazuar në kushtet e motit – produktet e sigurimit të indeksit që mbulojnë rreziqet nga temperatura të ulëta, temperature të larta, thatësira dhe shiut të tepërt.
Produktet e sigurimit dhe periudhat e mbulueshmërisë së rrezikut:
Pas konsultimeve me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë janë përcaktuar periudhat e rrezikut më të madh për këto 12 kultura dhe njëherit këto do të përbëjnë edhe periudhën e mbulueshmërisë së rrezikut me polisen e sigurimit.
Në tabelën në vijim janë përshkruar kulturat, rreziqet e siguruara, si dhe periudha e mbulueshmërisë së rrezikut:
Produkti |
Rreziku i mbuluar |
Molla |
20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore në fazën e lulëzimit dhe formimit të fruteve |
Mjedrat | 1 Korrik – 31 Gusht
Temperatura ekstreme të larta në fazën e formimit të frutit |
Dredhëza | 1 Mars – 30 Prill
Ngricat pranverore në fazën e lulëzimit dhe formimit të fruteve |
Kumbulla | 20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore |
Rrushi i Verës | 20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore në fazën e lulëzimit dhe formimit të fruteve, sasia e madhe e shiut gjatë fazës së formimit të kokrrës së rrushit dhe para vjeljes |
Arra | 20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore |
Dardha | 20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore |
Vishnja &
Qershi |
20 Mars – 15 Maj
Ngricat pranverore |
Misri | 25 Qershor – 25 Korrik
Temperatura ekstreme të larta në fazën e lulëzimit dhe formimit të frutit |
Fasulja | 15 Qershor – 15 Gusht
Temperatura ekstreme të larta në fazën e lulëzimit dhe formimit të frutit |