Në Ballofc të komunës së Podujevës, në kuadër të ditëve të mjedrës, sot u mbajt ngjarja “Dita e Mjedrës,” e organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”. Kjo ngjarje fushore theksoi angazhimin e madh të fermerëve, interesimin e rritur për kultivimin e mjedrës, dhe përparimin në rritjen e konsumit vendor përmes bujqësisë së kontraktuar.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci ka thënë se Ministria e Bujqësisë e ka rritur përkrahjen e saj për këtë sektor për 70%, prej se ai e drejton këtë ministri, ndërsa ka shtuar se investimet në ngritjen e plantacioneve, ku përfshihen edhe pemët manore, zënë një vend të rëndësishëm në Programin kombëtar për bujqësi dhe zhvillim rural 2023-2027.
“Mjedra është një frut strategjik, kultivimi i së cilës ka dëshmuar potencialin e madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ofruar mundësi të reja për kultivuesit dhe duke kontribuar në përmirësimin e jetës për qytetarët tonë që jetojnë në zonat rurale. Kultivimi i manoreve, sidomos i mjedrës kërkon një kujdes të veçantë dhe klimë të favorshme dhe Kosova ka shumë zona të përshtashme për kultivimin e saj” ka theksuar z. Peci.
Gjithashtu, z. Georg Schnetzer, ambasador i Austrisë në Kosovë, ka thënë se kultivimi i mjedrës, është një storie suksesi për Kosovën.
“Kjo është storie suksesi në Kosovë. Kosova dhe Austria kanë një miqësi afatgjate. Mbështetja austriake për ekonomin e Kosovës mbulon sektorë të ndryshëm. Që disa vite Austria është në pesë vendet e para me investime në Kosovë. Mbështetja jonë në sektorin e bujqësisë ka qenë e vazhdueshme për vite të tëra. Nuk ka të bëjë vetëm me tokën, ka të bëjë me njerëzit. Kontributi i secilit individ është jetësor për suksesin tonë kolektiv” ka thënë ambasadori z. Schnetzer.
Ndërsa, z. Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës, ka thënë se komuna që ai udhëheqë ka ndihmuar kultivuesit e këtij fruti në forma të ndryshme.
“Në kuadër të ndarjes së subvencioneve që japim çdo vit, prodhuesit e këtij fruti i kemi ndihmuar me fidane por edhe në forma të tjera me të vetmin qëllim që të rriten sipërfaqet e mbjellura”, ka thënë ai.
z.Kujtim Lepaja, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare “Mjedra e Kosovës”, ka thënë se kultura e mjedrës ka përmirësuar imazhin e bujqësisë së Kosoës në Evropë për shkak të cilësisë dhe kualitetit që është eksportuar.
“Sot është një ditë e veçantë për kulturën e mjedrës. Kultura e mjedrës na ka përmirësuar imazhin e bujqësisë në Evropë për shkak të cilësisë dhe kualitetit që është eksportuar. Kërkesat jashtëzakonisht kanë qenë gjithmonë të mëdha”, ka thënë ai.
Ndërsa, pronari i kompanisë “JONI-SH”, z. Alban Shabani në fund tha:
“Mjedra duhet të merret si shembull se si duhet të organizohet një zinxhir i vlerës, prej prodhimit deri tek procesimi dhe plasimi në tregje”.
Në këtë event morën pjesë fermerë, studentë, donatorë, përfaqësues të institucioneve publike dhe shumë akterë të tjerë të sektorit të bujqësisë.