ÇKA JANË NIVELET MAKSIMALE TË MBETJES SË PESTICIDEVE?

Kur ushqimi që ne konsumojmë ka një verifikim shtesë që është i sigurt, konsumuesve ua lehtëson blerjen, për shkak se viteve të fundit, problem kryesor e që paraqitet edhe në vendin tonë është siguria ushqimore. Qeveritë dhe fermerët në mbarë botën ndihmojnë në sigurinë e kulturave ushqimore. Kjo përfshin rregullimin e pesticideve dhe sigurimin e përdorimit të tyre në mënyrë sa më të përgjegjshme.

Niveli maksimal i mbetjeve (MRL) është një standard tregtimi dhe një masë e nivelit më të lartë të mbetjeve të pesticideve që tolerohet ligjërisht në ushqimin për konsum të njerëzve, kur pesticidet aplikohen në mënyrë korrekte.

Qeveritë në mbarë botën monitorojnë mbetjet e pesticideve duke testuar kryesisht mostra të produkteve finale. Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), publikon çdo vit një raport monitorimi mbi mbetjet. Ai raport tregon se në Bashkimin Evropian, rreth gjysma e të gjitha mostrave janë pa gjurmë mbetjesh të dallueshme. Në gjysmën e mbetur (45%), mbetjet e gjetura ishin brenda kufijve ligjorë (MRL). Vetëm rreth 2 përqind e artikujve të testuar, i tejkaluan këta kufij, të cilët ende nuk paraqesin një problem sigurie për shkak të sasive të tyre të vogla.

Pesticidet aplikohen në të gjitha fazat e rritjes së kulturave për t’i mbrojtur ato nga agjentët e dëmshëm biologjik. Fermerët ndjekin praktika të mira bujqësore, për të siguruar që mbetjet e mundshme janë në nivelin e lejuar, në kuadër MRL-ve. Është thelbësore që fermerët të respektojnë kërkesat e MRL, në mënyrë që të shesin produktet e tyre në vend dhe për eksport. Për më tepër, Menaxhimi i Integruar i Dëmtuesve – një qasje efektive ndaj bujqësisë së qëndrueshme që përfshin përdorimin e përgjegjshëm të pesticideve e cila, mbështet minimizimin e mbetjeve te pesticideve.

Deri vonë, ushqimi prodhohej, shitej dhe konsumohej kryesisht në vend. Gjatë shekullit të kaluar, sasia e ushqimit të tregtuar ndërkombëtarisht është rritur në mënyrë eksponenciale. MRL-të janë gur themeli për tregtimin e produkteve bujqësore, e sidomos atyre që janë të destinuara për tregun e freskët. Një produkt bujqësor, nuk tregtohet ligjërisht nëse tejkalon MRL-të. Nuk ka MRL të harmonizuara globalisht dhe kjo mund të jetë një sfidë sepse fermerët duhet të respektojnë MRL-të si në vendet eksportuese, ashtu edhe në vendet e ndryshme importuese. Për shembull, nëse mjedrat e Kosovës tregtohen për në vendet e Bashkimit Evropian, ato duhet të jetë në përputhje me MRL-të e Kosovës dhe ato evropiane (respektivisht në vendin ku ato eksportohen). Kështu, fermerët duhet të jenë të informuar mirë për kërkesat e MRL-ve, të të gjitha tregjeve të tyre. Ata duhet të verifikojnë nëse ndjekja e udhëzimeve të etiketës në vend, do të përmbushë kërkesat e një vendi importues për mbetjet.

MRL-të si standarde tregtare

MRL-të, bazuar në provat e mbetjeve të përcaktuara nga rregullatorët, verifikojnë nëse fermerët kanë përdorur pesticidet në mënyrë korrekte. Siguria e demonstruar e konsumatorit është një parakusht i domosdoshëm për dhënien e MRL-ve. Tregtarët dhe importuesit mund të besojnë se ushqimet që porosisin, përmbushin kërkesat e sigurisë dhe cilësisë, duke siguruar kështu tregtueshmërinë e produkteve. Nëse një MRL tejkalohet, është kundër ligjit, si rrjedhim, prodhimi nuk mund të shitet dhe do të shkatërrohet-asgjësohet. Ka shumë sisteme të ndryshme për vendosjen e MRL-ve në mbarë botën, si në Shtetet e Bashkuara dhe BE, si dhe të ofruara nga Codex Alimentarius ndërkombëtarisht. Në çdo treg, një MRL vendoset në mënyrë rutinore përpara se një produkt – pesticid të regjistrohet, por jo automatikisht në tregjet e importit. Nëse një produkt nuk është i regjistruar në një treg importi, prodhuesi duhet t’u kërkojë rregullatorëve të tregut importues, të vendosin një tolerancë importi, e cila në mënyrë ideale duhet të jetë MRL në tregun eksportues.

Siguria e bazuar në MRL

Edhe nëse kufiri maksimal ligjor për mbetjet tejkalohet, nuk ka gjasa që të jetë rrezik për shkak të masave strikte të sigurisë të cilat janë në fuqi. Për shembull, një person duhet të hajë 28,000 luleshtrydhe në një ditë të vetme, për t’iu afruar tejkalimit të kufirit të sigurisë për këtë frut.

Çka janë MRL?

Sasitë e mbetjeve që gjenden në ushqim duhet të jenë të sigurta te konsumatorët dhe duhet të jenë sa më të ulëta. Niveli maksimal i mbetjeve (Maximum Residue Levels), është niveli më i lartë i mbetjes së pesticideve që tolerohen ligjërisht në ushqimin për konsum. Komisioni Evropian rregullon MRL-të për të gjitha ushqimet. MRL-të për të gjitha kulturat dhe të gjitha pesticidet mund të gjenden në bazën e të dhënave për Nivelin Maksimal të Mbetjeve.

Si rregullohen MRL-të?

Autorizimet jepen në bazë kombëtare për shkak të kushteve lokale dhe mjedisore dhe dallimet në shfaqjen e dëmtuesve (dhe për rrjedhojë përdorimi i pesticideve) mund të ndryshojë. Për shembull, në shtetet anëtare jugore ku është më ngrohtë, ka më shumë insekte dhe kështu nevojiten më shumë insekticide. Në pjesë të tjera të BE-së, ku klima është më e lagësht – kushte që i përshtaten infektimit me kërpudha dhe semundje të tjera, dhe për këtë arsye nevojiten më shumë fungicide. Kur MRL vendosen, këto dallime duhet të merren parasysh.

Për kulturat e kultivuara jashtë Bashkimit Evropian, MRL-të përcaktohen me kërkesë të vendit eksportues.

Baza e të dhënave MRL

Për të gjetur se cila MRL është e aplikueshme për cilin produkt bujqësor dhe cilin pesticid, mund të konsultohet një bazë e të dhënave në ueb-faqen e Komisionit Evropian (mu ti gjeni në linqet më lartë). Me një mjet kërkimi të pështatshëm për përdoruesit, MRL-të mund të shikohen sipas kulturave, grupeve të bimëve, kodit të produkteve bujqësore ose pesticideve në të gjitha gjuhët e BE-së. Është bërë një lidhje me legjislacionin ku miratohet MRL dhe mund të ndiqet historiku i ndryshimeve në MRL. Informacioni mund të eksportohet në formatin excel.

 

Nga Viola Xhemajli për Agro Portalin

Scroll to Top