Javët e fundit të muajit Qershor, në vendin tonë ishin sfiduese për sektorin bujqësor ku përpos temperaturave të larta të shënuara, breshëri shkaktoi dëme të konsiderueshme në kulturat e mbjellura. Stuhitë e breshërit mund të shkaktojnë dëme të mëdha në kulturat bujqësore, duke bërë dëme të konsiderueshme dhe duke rezultuar në humbje financiare për fermerët e prekur. Ndikimi i breshërit në kulturat bujqësore mund të jetë shkatërrues, duke çuar në rendimente të reduktuara, fruta të dëmtuara e deri në humbje të plotë të të korrave. Breshëri është një fenomen i zakonshëm meteorologjik, i cili është vazhdimisht i pranishëm me frekuencë dhe ashpërsi të lartë e duke u përsëritur dhe duke u bërë shumë më i ashpër viteve të fundit. Zakonisht ndodh në “muajt e ngrohtë të vitit”, duke filluar nga muaji maj deri në gusht. Frekuenca më e madhe e breshërit ndodh gjatë muajit maj dhe qershor, por në një kuptim më të gjerë mund të ndodhë edhe më herët, si fundi i prillit deri në fund të shtatorit – kjo ka ardhur ne shprehje edhe si rezultat i ndryshimeve klimatike, ku, dëmet nga breshëri në mbarë botën janë më shumë se 1 miliardë euro në vit. Dëmet në Kosovë tejkalojnë shumën prej një milion euro në vit. Paraqitja e breshërit në Kosovë ndryshon varësisht nga regjioni dhe ndodh zakonisht çdo 3 vite mirëpo, nganjëherë mund të paraqitet edhe 3 herë brenda muajit (Rajoni i Gjilanit) në qershor të vitit 2018. Sipërfaqet e prekura nga breshëri përfshijnë sipërfaqe dhe shirita të ngushtë dhe dëmet janë të konsiderueshme, sidomos në vreshtat, pemishtet dhe disa kultura perimore, të tilla si speca dhe domate. Breshëri ndikon në kualitet dhe shkakton humbje të rendimentit. Megjithatë, në pemishtet e mollës, breshëri shkakton më shumë dëmtime në cilësi, sesa në sasi.
Këtë vit, u raportuan dëme në shumë kultura, një shembull mund të marrim edhe dëmet që ka pësuar kultivimi i mjedrës me kultivarë pranveror (të cilët kultivarë japin fruta në llastarët dyvjeçar) në Reçan të Prizrenit, i regjion është goditur rëndë nga breshëri, duke shkatërruar prodhimin e këtij viti dhe dëmtuar llastarët e rinj për prodhim në vitin e ardhshëm. Pra, dëmet janë të dyfishta, dëmet e shkaktuara për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm. Boronica e kultivuar gjithashtu ka pësuar dëmtime të mëdha. Dëme të tjera të raportuara përfshijnë edhe mollën, rrushin, specin, domaten etj. në të gjithë Kosovën duke shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Dëmet e kulturave të mbjellura të shkaktuara nga breshëri mund të ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe intensitetit të breshërit, si dhe nga faza e rritjes së tyre. Bimët e reja dhe kulturat e buta janë veçanërisht të ndjeshme ndaj dëmtimeve nga breshëri, pasi strukturat e tyre delikate mund të thyhen lehtësisht nga forca e ‘kokrrave’ të breshërit. Për shembull, një stuhi breshëri me kokrra breshëri me përmasa të mëdha mund të dëmtoj frutat, perimet, madje edhe drithërat. Përveç dëmtimit fizik, breshëri mund të ndikojë gjithashtu në shëndetin e përgjithshëm dhe produktivitetin e kulturave të mbjellura. Kokrrat e breshërit, mund të heqin shtresën mbrojtëse të gjetheve, duke i ekspozuar bimët ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Kjo i lë kulturat e mbjellura të pambrojtura ndaj infeksioneve dhe mund të çojë në një rënie të cilësisë dhe vlerës së tyre në treg. Implikimet financiare të dëmeve nga breshëri në kulturat bujqësore mund të jenë thelbësore. Fermerët investojnë burime të konsiderueshme në mbjelljen, kultivimin dhe mirëmbajtjen e kulturave të mbjellura të tyre dhe një stuhi e vetme breshëri mund të dëmtoj të gjithë investimin e tyre. Humbjet në kulturat e mbjellura bujqësore për shkak të breshërit mund të rezultojnë në ulje të të ardhurave dhe paqëndrueshmëri financiare për fermerët, duke çuar potencialisht në pasoja ekonomike afatgjata si për individët ashtu edhe për sektorin bujqësor në tërësi.
Si të tejkalohen dëmet nga breshëri?
- Sigurimi bujqësor i kulturave bujqësore ndaj breshërit luan një rol vendimtar në ndihmën për fermerët që të rikuperohen nga dëmet e shkaktuara. Duke ofruar mbrojtje financiare kundër humbjeve nga dëmet e shkaktuara nga breshëri, mbulimi i primit të sigurimit nga ana e qeverisë është një mundësi shumë e mirë për fermerët. Sidoqoftë, është e nevojshme të shtohen kultura të reja si pjesë e programit të sigurimit të kulturave bujqësore. Ndër to, duhet të shtohet boronica, por gjithashtu, duhet të shtohet edhe mbulueshmëria ndaj breshërit si faktor në kuadër të programit të sigurimit të kulturave bujqësore me potencial të lartë në Kosovë. Sigurimi ndihmon që fermerët të marrin kompensim për dëmet e shkaktuara. Me mbështetjen e sigurimit ndaj breshërit, fermerët mund të zbusin rreziqet financiare që lidhen me stuhitë e breshërit dhe të vazhdojnë operacionet e tyre pa u përballur me pengesa të rënda financiare.
- Për të minimizuar rrezikun e dëmtimit nga breshëri, fermerët mund të zbatojnë praktika dhe strategji të caktuara. Këto praktika përfshijnë instalimin e rrjetave të breshërit ose strukturave mbrojtëse që mund të mbrojnë kulturat e mbjella nga kokrrat e breshërit. Monitorimi i parashikimeve të motit dhe marrja e masave parandaluese, si vjelja e hershme ose mbulimi i kulturave të ndjeshme gjatë stuhive me breshër, mund të ndihmojnë në reduktimin e dëmeve të mundshme.
Nga Viola Xhemajli për Agro Portalin