Antraknoza e specit është një sëmundje që prekë rëndë kulturën e specit dhe shkaktohet nga një grup kërpudhash brenda gjinisë Colletotrichum. Dy speciet kryesore të cilat prekin specin janë C. gloeosporioides dhe C. acutatum. Colletotrichum gloeosporioides të cilat, më shumë infektojnë frutat e pjekura, ndërsa Colletotrichum acutatum ka më shumë gjasa të infektojë frutat e papjekura. Shumë lloje të Colletotrichum infektojnë më shumë se një bimë amvise dhe shumë specie mund të infektojnë një bimë amvise të vetme. Ky patogjen përhapet përmes sporeve që ndodhen në tokë, në mbeturinat e bimëve, dhe mund të transmetohet edhe me anë të ujit ose përhapësve të tjerë.
Në Kosovë, sipas hulumtimeve shkencore të bëra në vitin 2022 është zbuluar Colletotrichum scovillei në bimët e specave të kultivuar në fushë të hapur, ku është ngritur shqetësimi nga dëmet të cilat mund të paraqiten me këtë detektim/zbulim. Hulumtimi shkencor i cekur është raporti i parë i C. scovillei për specin në Kosovë dhe Evropë. Meqenëse C. scovillei konsiderohet një patogjen sfidues që mund të rezultojë në humbje të konsiderueshme të rendimentit dhe cilësisë, dhe speci është kultura kryesore e perimeve në Kosovë, rezultatet e paraqitura në raport theksojnë se nevojiten urgjentisht masa për të siguruar kontrollin e sëmundjes në zonën e shpërthimit dhe çrrënjosjen e patogjenit, përpara përhapjes së tij të mundshme në zona të reja në Evropë. Kjo që u tha më lartë ka rëndësi për shkak se dihet edhe nga vitet e kaluara se Antraknoza ka bërë dëme të konsiderueshme, me fokus në kulturën e specit. Në vitin 2016 sipas burimeve të ndryshme është raportuar të ketë shkaktuar dëme goxha të mëdha. Kjo sëmundje fillimisht e ka prekur specin e kuq, ku nëse e marrim në bazë të përqindjes së asaj që është mbjellë ka bërë mbi 10 milionë euro dëme dhe dëmet konsiderohen që të jenë mbi 60% të sipërfaqes së kultivuar. Pra, edhe në Kosovë Antraknoza ka ndikuar që të ketë ulje të rendimentit përfundimtar dhe kualitetit të specave të kultivuar.
Bimët amvise
Antraknoza dihet se infekton një gamë të gjerë të bimëve, ku një ndjeshmëri të theksuar kanë rezultuar të kenë kultura e specit dhe familja Solanaceae në përgjithësi. Për më tepër, këto specie mund të shkaktojnë kalbje të kurorës dhe frutave të luleshtrydhes.
Simptomat dhe identifikimi
Të gjitha pjesët mbitokësore të bimës janë të ndjeshme ndaj infeksionit, por frutat janë më të prekura nga kjo sëmundje. Frutat e pjekura kanë tendencë të jenë më të ndjeshme, por bimët e specit mund të infektohen në çdo fazë të rritjes, si dhe pas vjeljes.
Lezionet e paraqitura në fruta janë simptoma më e zakonshme. Fillimisht, lezionet janë të vogla dhe rrethore. Ndërsa sëmundja përparon, ato bëhen shumë më të mëdha dhe zhvillojnë sporet, duke bërë që sipërfaqja e tyre të duket e lagësht. Qendrat e lezioneve mund të ndryshojnë nga ngjyrë kafe ose portokalli në kafe ose të zezë. Rrathët koncentrikë zakonisht rrethojnë lezionet. Përfundimisht, i gjithë fruti do të kalbet. Antraknoza mund të shkaktojë një infeksion latent kur është i kontaminuar; frutat e papjekura mund të mos shfaqin simptoma të sëmundjes derisa të piqen plotësisht.
Kushtet e favorshme mjedisore për sëmundjen
Patogjeni preferon temperaturat rreth 27⁰C dhe nivele të larta reshjesh dhe lagështie. Patogjeni mbijeton brenda ose në sipërfaqen e farave. Ai, gjithashtu mund të dimërojë në tokë në formën e mikrosklerotieve, të cilat janë masa shumë të vogla. Spërkatja nga shiu, bartë spore kërpudhore nga toka e infektuar, mbeturinat e bimëve dhe/ose frutat në bimët aty pranë. Shiu i tepërt mund të çojë në shkallë më të lartë të infeksionit dhe humbje të rendimentit.
Menaxhimi i përgjithshëm i Antraknozës
Menaxhimi i kësaj sëmundjeje kërkon një qasje të integruar që përfshin praktikat parandaluese dhe masat e kontrollit.
Zbatimi i teknikave të mëposhtme mund të ndihmojë në parandalimin e humbjeve për shkak të Antraknozës:
- Përdorimi i farave të certifikuara dhe të pastra në aspektin sanitar dhe që kanë vërtetësi varietore. Pra, të zgjedhni burimet e farës që janë të certifikuara ose të njohura se janë pa patogjenë për të parandaluar futjen e sëmundjes.
- Qarkullimi bimor – duhet të praktikohet qarkullimi bimor, ku duhet të konsiderohet qarkullim i kulturave të ndryshme, dhe të shmanget mbjellja e kulturave të familjes Solanaceae për 2-3 vjet. Për pasiqë dredhëza është një amvis alternativ, po ashtu kjo kulturë duhet të shmanget gjithashtu.
- Përdorimi i sistemit të ujitjes pikë-pikë – duhet të shmangen sistemet e ujitjes në formë të shiut nga lartë. Për më tepër, kufizimi i operacioneve në terren kur bimët janë të lagura do të ndihmojë në uljen e përhapjes.
- Kontrolli barojave të padëshiruara sidomos ato që i përkasin familjes Solanaceae. Të konsiderohet të bëhen herrje të rregullta ose kontrolli kimik i barojave kur ka dendësi të madhe të tyre.
- Shkatërrimi i mbetjeve të bimëve – pas vjeljes së frutave, plantacionet duhet të kositen menjëherë. Të gjitha mbeturinat bimore duhet të kthehen në tokë, për të nxitur shpërbërjen e plotë të materialit të infektuar ose të digjen mbetjet e infektuara.
- Monitorimi i shpeshtë i sipërfaqes së kultivuar për shenja sëmundjeje dhe heqja e menjëhershme e frutave të infektuara.
- Përdorimi i mulçërimit përmes plastikës së zezë ose materialeve të tjera – krijimi i një pengese midis patogjenit në tokë dhe bimëve do të minimizojë paraqitjen e sëmundjes. Alternativat ndaj plastikës së zezë përfshijnë kashtën ose mbulesën me copëza druri, përderisa këto krijojnë barrierë adekuate për të parandaluar inokulimin nga kontakti me materialin bimor.
- Drenazhim adekuat në fusha. Drenazhimi i mirë është i nevojshëm për të reduktuar lagështinë shtesë dhe akumulimin e ujit në sipërfaqet e mbjella.
Masat kimike
- Përdorimi i fungicideve. Parashikimi i kushteve adekuate të paraqitjes së sëmundjes është një ndër masat më praktike për të parandaluar sëmundjen. Përgjatë përvojave të shumta është vërejtur se fungicidet janë më efektive kur aplikohen në mënyrë parandaluese (para se të shfaqet sëmundja), veçanërisht kur kushtet janë të favorshme për zhvillimin e Antraknozës (p.sh., lagështia e lartë dhe temperaturat e ngrohta).
- Siguroni mbulim të plotë të të gjitha pjesëve të bimës, duke përfshirë pjesët e poshtme të gjetheve, ku shpesh mund të gjenden spore.
- Ndiqni gjithmonë udhëzimet e etiketës për normat e aplikimit, kohën dhe masat paraprake të sigurisë. Nëse keni të bëni me një shpërthim të rëndë ose nëse nuk jeni të sigurt për qasjen më të mirë, konsultimi me një ekspert lokal ose fitopatolog mund të ofrojë rekomandime profesionale.
- Preparatet (fungicidet) me materie aktive si: propiconazole, mancozeb+ mefenoxam (në fazat e hershme), axozystrobin+difenoconazole, mancozeb + baker etj. janë efektive nëse aplikohen në kohën e duhur dhe para shkallës së lartë të infeksionit me Colletotrichum.
Viola Xhemajli për Agro Portalin