Viti 2024: Bujqësia e Kosovës përballë sfidave të ndryshimeve klimatike dhe strategjitë e përshtatjes

Viti 2024 ka qenë një ndër vitet më sfiduese për bujqësinë në përballje me ndryshimet klimatike në mbarë botën. Sfidat që përjetojnë fermerët në Francë, siç janë trajtuar në artikullin e Mathilde Gérard në Le Monde, kanë ngjashmëri të mëdha me situatën në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit. Reshjet e tepërta, thatësirat e zgjatura dhe ngjarjet ekstreme klimatike po ndikojnë në mënyrë të ndjeshme prodhimin bujqësor në mbarë Evropën, përfshirë edhe Kosovën, duke sjellë sfida të reja dhe urgjencë për zgjidhje të qëndrueshme.

Sipas një studimi të publikuar në Klima.al, parashikohet që temperaturat në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të rriten me 4°C në dekadat e ardhshme, duke sjellë pasoja serioze për prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore. Fenomene të tilla si përmbytjet e pakontrolluara dhe thatësirat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, paraqesin një rrezik të madh për ekzistencën njerëzore dhe ekonominë bujqësore në këtë rajon. Parashikimet tregojnë se, me ngrohjen dhe rritjen e temperaturës me 4°C, sasia e reshjeve do të zvogëlohet me 20-30%, dhe frekuenca e ditëve të thata do të rritet me 20%. Kjo do të shoqërohet me një reduktim prej 45% të sasisë së ujit në burimet ujore gjatë muajve të verës në 5 dekadat në vijim, duke ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë:

  • Reshjet e tepërta dhe breshëri gjatë periudhave kritike të mbjelljes dhe korrjes/vjeljes kanë shkaktuar mbingopje të tokës dhe dëme fizike, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e rendimentit të të vjelave. Ky fenomen nuk ka anashkaluar as Kosovën, ku reshjet dhe breshëri kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin bujqësor.
  • Periudhat e thata në vitet e fundit kanë shkaktuar mungesë uji, e cila ka ndikuar në ujitjen e kulturave të tilla si gruri, misri, pemët dhe perimet. Kjo mungesë ka bërë që rendimenti dhe cilësia e prodhimeve të jenë më të ulëta, duke pasur si pasojë edhe një cilësi të dobët të tyre.
  • Po ashtu, intensiteti i rritur i reshjeve ka shkaktuar erozion të tokës, duke ulur cilësinë dhe produktivitetin e saj bujqësor.

Sfidat në Kosovë dhe lidhja me sfidat globale

Çështjet me të cilat përballen fermerët e Kosovës përputhen me ndikimet e gjera të ndryshimeve klimatike që vërehen globalisht. Në Francë, për shembull, ferma e Jérôme Genty ka përjetuar një reduktim prej 30–40% të prodhimit të të korrave dimërore për shkak të reshjeve të tepërta. Kjo përkon me përvojat e fermerëve të Kosovës, ku moti ekstrem ka sjellë rendimente më të ulëta dhe vonesa në mbjellje. Një shembull konkret janë dëmet e shkaktuara në Reçan të Prizrenit, te kooperativa ‘Red Gold’, ku breshëri ka prekur rëndë plantacionet e mjedrave, duke shkaktuar humbje të parikuperueshme për këtë kulturë të rëndësishme dhe strategjike për ekonominë lokale.

Disa nga strategjitë për përshtatje në Kosovë

Për të zbutur këto sfida dhe për të ndërtuar qëndrueshmëri, Kosova në të ardhmen duhet të adoptojë praktika inovative dhe të qëndrueshme në lidhje me klimën. Kjo përfshin:

  1. Varietet/kultivarë rezistente ndaj thatësisë – Mbjellja dhe promovimi i varieteteve dhe kultivarëve rezistente ndaj thatësirës, mund të ndihmoj fermerët të përshtaten me reshjet e parregullta dhe periudhat e thatësisë.
  2. Përmirësimi i menaxhimit të resurseve ujore – Zgjerimi i infrastrukturës së ujitjes dhe adoptimi i sistemeve efikase, si ujitja pikë-pikë por gjithashtu edhe ndërtimi i rezervuarëve dhe grumbullimi i ujit të reshjeve për përdorim gjatë thatësirave (me fokus gjate muajve korrik dhe gusht).
  3. Shërbime agro-meteorologjike – Instalimi i stacioneve agrometeorologjike për të siguruar të dhëna dhe parashikime të motit në kohë reale dhe trajnimi i fermerëve për të përdorur këto shërbime për planifikimin e mbjelljes, ujitjes, mbrojtjes dhe vjeljes.
  4. Praktika të ruajtjes së tokës – Inkurajimi i punimit minimal të tokës, qarkullimit bimor për të përmirësuar strukturën e saj për të parandaluar erozionin dhe promovimi i pyllëzimit dhe praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të tokës në zonat rurale.

Ndërtimi i një të ardhme të qëndrueshme për bujqësinë

Duke mësuar nga shembujt globalë, si përgjigja e Francës ndaj kushteve ekstreme të motit, Kosova mund të përshpejtojë tranzicionin e saj drejt bujqësisë së qëndrueshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike. Përpjekjet e përbashkëta të qeverisë, donatorëve ndërkombëtarë dhe fermerëve liderë, janë thelbësore për të siguruar ushqimin dhe për të ruajtur produktivitetin bujqësor përballë një të ardhmeje klimatike të pasigurt.

Kjo është një thirrje për veprim, që Kosova të trajtojë ndryshimet klimatike jo vetëm si një sfidë, por edhe si një mundësi për inovacion dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm në zbatimin e praktikave bujqësore të qëndrueshme.

Viola Xhemajli për Agro Portal

Scroll to Top