Ndryshimi klimatik dhe bujqësia janë procese të ndërlidhura, të cilat ndodhin në një shkallë globale. Bujqësia është industria e dytë më e madhe që kontribuon në lirimin e gazrave me efekt serrë me një sasi prej 5.6 miliard ton/vit të CO2 ekuivalent.
Së paku 14% e emetimeve globale të gazrave serrë vijnë direkt nga sektori i bagëtive.
Si prodhon sektori i bagëtisë kaq emetime të larta? Një nga shkaqet lidhet me vet aktivitetet që ndodhin në fermë:
- Lëvrimi i tokës, proces i cili krijon rritjen e dioksidit të karbonit në tokë.
- Mbarështimi i bagëtive, gjenerues i metanit në atmosferë dhe
- Lëndët djegëse dhe plehrat të cilat përdoren në aktivitete.
Bujqësia, gjithashtu përfshin edhe ndryshimin e qëllimit të përdorimit të tokës, ku hynë shpyllëzimet e pyjeve për qëllime të prodhimit primar bujqësor.
Konsiderohet se ekzistojnë 1.3 deri në 1.5 miliardë lopë të cilat kullosin, flejnë (pushojnë) ose shëtisin në planetin Tokë. Këto kafshë, të cilat mesatarisht peshojnë 580 kg kanë nevojë për sasi të madhe ushqimi. Njësoj sikurse te njerëzit që gjatë tretjes së ushqimit krijohen gazra të cilat duhet të lirohen edhe lopët kanë një veti të lirimit të shumta të gazrave (që kryesisht përmbajnë metan dhe dioksid karboni) dhe të cilat lirohen në atmosferë.
Të shohim se si dhe pse lopët lirojnë kaq shumë metan. Së pari, lopët hynë në grupin e ripërtypësve, që do të thotë se shumica e tyre kanë katër stomak që kryejnë procese të ndryshme. Në stomakun e parë të tyre (i njohur edhe si rumen) gjenden më shumë se 400 lloje të ndryshme të mikroorganizmave që ndikojnë në tretje të ushqimit dhe në formimin e gazrave në organizëm. Përqindja e gazrave varet shumë nga ekologjia e rumenës dhe ekuilibri i fermentimit.
Studimet e fundit në Universitetin e James Cook në Queensland, Australi, kanë zbuluar që disa alga të kuqe Australiane mund të pengojnë ndjeshëm emetimet e metanit nga lopët. Testimet me këto alga të kuqe të quajtura Asparagopsis që rriten në brigjet e Queensland kanë treguar se një shtesë prej më pak se 2% alga deti të thata në një dietë të lopës mund të reduktojë emetimet e metanit deri në 99%.
Pas tretjes, Asparagopsis prodhon një përbërës të quajtur Bromoform (CHBR3), që bashkëvepron me enzimat në rumen dhe ndalon ciklin e prodhimit të metanit para se të lirohet në atmosferë.
Disa fakte interesante:
Një lopë, mesatarisht liron 70-120 kg metan në vit. Metani është gaz me efekt serrë, i njëjtë sikurse dioksidi i karbonit (CO2). Mirëpo efekti negativ i metanit në atmosferë është 23 herë më i lartë se sa CO2. Kështu që, lirimi i 100 kg metan për vit nga një lopë është ekuivalente me afër 2,300 kg CO2/vit.
Ta krahasojmë: 2,300 kg CO2 gjenerohet nga djegia e 1,000 litrave karburant. Me një makinë që shpenzon 8 litra karburant për 100 km, ne mund të ngasim 12,500 km në vit.
Sipas Organizatës Ushqimore dhe Bujqësore të Kombeve të Bashkuara, blegtoria gjithashtu shkakton kontaminimin me azot dhe fosfor (eutrofikim). Kjo kontribuon në humbjen e ekosistemeve detare dhe për momentin regjioni më i rrezikuar është deti i Kinës.
Një citim nga Albert Einstein (nobelist) thotë: “Asgjë më shumë se evoluimi drejt dietës vegjetariane nuk do të jetë me e dobishme për ngritjen e gjasës për mbijetesën e jetës në Tokë dhe shëndetin e njeriut”