Luledielli (Helianthus annuus L.) është një nga kulturat më të rëndësishme për prodhimin e vajit në nivel global. Megjithatë, sëmundjet si vrugu i lulediellit, shkaktuar nga patogjeni Plasmopara halstedii, paraqesin një kërcënim të madh për këtë kulturë. Vrugu është një sëmundje e përhapur që prek rendimentin dhe cilësinë e prodhimit, dhe aktualisht ekzistojnë rreth 50 variante të këtij patogjeni në botë, me rritje të vazhdueshme të racave të reja edhe më agresive.
Për të mbrojtur lulediellin dhe për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm, është thelbësore të zbatohet një strategji gjithëpërfshirëse e Menaxhimit të Integruar të Dëmtuesve (MID). Kjo qasje jo vetëm që ndihmon në uljen e infektimit/infestimit nga agjentët dëmshëm biologjikë, por gjithashtu mbron mjedisin dhe shëndetin e njeriut.
Çfarë është Menaxhimi i Integruar i Dëmtuesve?
MID (IPM) u përcaktua nga Korniza e Komisionit Evropian për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve dhe përfshin një vlerësim të kujdesshëm të të gjitha metodave të mbrojtjes së bimëve. Qëllimi kryesor i MID është minimizimi i përdorimit të masave kimike (produkteve për mbrojtjen e bimëve), duke përdorur një kombinim të masave mekanike, fizike dhe biologjike, për të mbajtur popullatat e dëmtuesve nën kontroll të cilët janë ekonomikisht dhe ekologjikisht të justifikueshme.
Parimet e MID
MID bazohet në pesë parime kryesore, të cilat mundësojnë një menaxhim efektiv të dëmtuesve:
- Parandalimi dhe minimizimi i dëmeve: Kjo përfshin zhvillimin e sistemeve të prodhimit që minimizojnë rrezikun e humbjeve ekonomike dhe zvogëlojnë dëmet nga dëmtuesit. Masat përfshijnë qarkullimin bimor të kulturave të mbjellura dhe përdorimin e kultivarëve rezistentë.
- Monitorimi: Mbikëqyrja e rregullt e kulturave për të identifikuar shfaqjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve në fazat e hershme.
- Procesi i vendimmarrjes: Vendosja e pragut kritik për ndërhyrje bazuar në paraqitjen dhe dëmet e shkaktuara nga agjentët e dëmshëm biologjik dhe analizën e situatës aktuale të fushave të kultivuara.
- Intervenimi: masat mekanike, fizike, biologjike, praktikat e mira të kultivimit, duke e konsideruar si alternativë të fundit përdorimin e masave kimike.
- Vlerësimi dhe mbajtja e shënimeve: Vlerësimi i masave të aplikuara për mbrojtjen e bimëve, duke përfshirë një analizë shumë-sezonale për të vlerësuar suksesin dhe efektivitetin e strategjisë së zbatuar.
Zbatimi i IPM për Vrugun e Lulediellit
Vrugu i lulediellit është një sëmundje që paraqet sfida të mëdha për prodhuesit duke ndikuar në rendimentin dhe kualitetin e prodhimit. Zbatimi i metodave të MID për këtë sëmundje kërkon përdorimin e një game të gjerë strategjish që përfshijnë:
- Masat Fitosanitare: Zbatimi i praktikave të higjienës në fushë dhe gjatë procesit të mbjelljes për të reduktuar praninë e patogjenit.
- Fara të certifikuara dhe trajtimi i farës për mbjellje: Përdorimi i farërave të certifikuara që janë të trajtuara me fungicide për të ulur rrezikun e infeksioneve. Ka pak substanca aktive të regjistruara kundër P. halstedii për trajtimin e farës deri më sot. Një nga përbërësit më efikas për kontrollin e vrugut të lulediellit është Mefenoksami (Metalaxyl-M), i cili është përdorur prej kohësh për izolimin dhe mbrojtjen e farave në mbarë botën. Megjithatë, problemet e rezistencës së fungicideve ndaj përbërjes janë vërejtur gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye është efektive që të bëhen aplikime edhe të materieve aktive të tjera të cilat ofrojnë efikasitet të ngjashëm me mefenoxam. Këtu përfshijmë, komponimin oksatiapiprolin.
- Qarkullimi bimor: Aplikimi i qarkullimit bimor gjatë kultivimit në fushë ndihmon në për të ulur presionin e patogjenëve.
- Hibridet rezistente: Zgjedhja e varieteteve të lulediellit që kanë rezistencë ndaj racave specifike të vrugut.
- Kontrolli i barojave: Reduktimi i vegjetacionit të panevojshëm që mund të jetë burim infektimi.
- Respektimi i distancave të mbjelljes dhe ushqimi i ekuilibruar: Sigurimi i një distance të përshtatshme midis bimëve dhe furnizimi me ushqyesit e duhur për të rritur rezistencën natyrale të bimëve.
Sfidat dhe zhvillimet e reja
Prodhimi i lulediellit përballet me shumë sfida për shkak të ndryshimeve klimatike, presioneve ekonomike dhe nevojës për të ulur përdorimin e pesticideve sintetike. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që fermerët të adoptojnë metoda të reja dhe inovative si biostimulantët, modifikimet gjenetike (rezistenca horizontale dhe ndërhyrja me ARN). Këto teknologji të avancuara do të ndihmojnë në përballimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve, duke garantuar një prodhim të qëndrueshëm. MID është një qasje gjithëpërfshirëse dhe e domosdoshme për të menaxhuar vrugun dhe sëmundjet e tjera të lulediellit në mënyrë të qëndrueshme. Përmes kombinimit të metodave tradicionale dhe metodave të reja shkencore, fermerët mund të mbrojnë kulturat e tyre duke minimizuar ndikimin në mjedis dhe rreziqet për shëndetin e njeriut. Implementimi i vazhdueshëm i vlerësimit të masave të mbrojtjes dhe përshtatja ndaj ndryshimeve të patogjenit është çelësi për suksesin e menaxhimit të integruar të dëmtuesve.
Nga Arbnora Berisha për Agro Portalin