MENAXHIMI I BAROJAVE TEK BIMËT MJEKËSORE DHE AROMATIKE (BMA)

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të kërkesës për bimë mjekësore aromatike, pasuritë natyrore si burim kryesor i kësaj industrie bimore, po përballen me një kërcënim serioz të zhdukjes, për shkak të vjeljes dhe grumbullimit pa kritere. Për përballimin e një problemi të tillë, e vetmja mundësi është kultivimi i BMA në shkallë të gjerë. Nëse bimët mjekësore duhet të kultivohen në shkallë të gjerë, atëherë do të duhet të merren parasysh disa nga sfidat kryesore si: sistemi i ujitjes, plehërimi, menaxhimi i lëndëve ushqyese dhe menaxhimi i barojave. Pavarësisht, rolit të tyre në ruajtjen e qëndrueshmërisë së agro-ekosistemeve (psh. sigurimi i habitatit për insektet e dobishme ose rritja e nivelit të përgjithshëm të biodiversitetit në fermë), barojat, paraqesin një çështje mjaft serioze. Ndërveprimi mes BMA dhe barojave mund të ndryshoj në varësi të kulturës dhe llojeve të barojave, dendësisë së barojave dhe kohëzgjatjes së veprimit të tyre. Amaranthus retroflexus L. (nena e përveshur), Convolvulus arvensis L. (dredhje arash)  dhe Chenopodium album L. (minueri i bardhë), janë disa nga barojat më të përhapura tek BMA-të. Prania e barojave tek BMA rrit konkurrencën për dritë, ujë, hapësirë, materie ushqyese, si dhe shkakton ndryshime në përmbajtjen dhe cilësinë e metabolitëve aktiv të BMA. Kjo gjë ndikon negativisht në vlerën e tregut të produkteve bimore.

Meqë bimët mjekësore aromatike shërbejnë si lëndë e parë e industrisë farmaceutike, mbjellja dhe rritja e tyre është proces delikat. I tillë është edhe menaxhimi i agjentëve të dëmshëm biologjik, përkatësisht, barojave të padëshiruara:

  • Masat agroteknike (psh. plehërimi, farë e pastër dhe cilësore për mbjellje, qarkullimi bimor) dhe mekanike (psh. lëvërimi i thellë, i cekët, frezimi) para mbjelljes së bimëve mjekësore aromatike janë të doemosdoshme dhe parakusht që masat tjera për menaxhimin e barojave të jenë më efektive.
  • Praktika më e sigurt është padyshim herrja me dorë, megjithatë është një metodë që kërkon kohë dhe punë, si dhe është vlerësuar nevoja për 200–600 orë fuqi punëtore për hektar për heqjen e barojave. Zakonisht aplikohet në sipërfaqe të vogla kultivimi.
  • Mulçërimi është një praktikë alternative, e sugjeruar për shumë kultura të mbjellura në rende dhe në bujqësinë organike. Veҫ tjerash ruan pjellorinë dhe lagështinë e tokës.
  • Edhe pse janë kryer eksperimente të shumta shkencore mbi aplikimin e herbicideve tek BMA, metoda kimike vazhdon të jetë një masë jo aq e praktikuar.

Prodhimi i bimëve mjekësore aromatike përfshin kultivimin bazuar në metoda organike, të cilat, sipas rregulloreve të BE-së (Rregulloren 2018/848 të EU për prodhimin organik, çertifikimin dhe etiketimin e produkteve organike, Rregulloren 2092/91 të EU për prodhimin organik  dhe indikacionet  për produktet bujqësore dhe ushqimet dhe rregulloren 2078/92 të EU për politikën agro-mjedisore), ndalojnë ose lejojnë përdorimin e kufizuar të pesticideve, përkatësisht, herbicideve.

Dr. Rozafa Fetahaj për AgroPortalin

Scroll to Top