Krasitja është një ndër praktikat më të rëndësishme agronomike për pemët drufrutore, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e bimës, prodhimtarinë dhe cilësinë e frutave. Kjo teknikë përfshin largimin e degëve-degëzave të dëmtuara mekanikisht, ato qe dyshohet se kane sëmundje, apo edhe ato qe janë panevojshme; për të ndihmuar pemën të rritet ne mënyrë me te shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Krasitja është një masë e rregullt vjetore, e cila realizohet gjatë periudhës së qetësisë dimërore dhe gjatë vegjetacionit. Qëllimi kryesor i krasitjes është të sigurohet mundësia e rritjes dhe zhvillimit të degëzave me sytha prodhuese me një mase optimale vegjetative, duke kontribuar në rinovimin e vazhdueshëm të pemëve. Përmes krasitjes, sigurohet një ekuilibër mes rritjes vegjetative dhe asaj gjenerative.
Për të thjeshtuar, krasitja është arti i rregullimit të mënyrës natyrore të rritjes së pemëve, duke e orientuar atë në një formë më të përshtatshme për të prodhuar më shumë dhe në mënyrë cilësore. Krasitja ka si qëllim bazë ruajtjen e formës së kurorës, mënyrën e vegjetimit dhe jetëgjatësisë produktive apo dekorative të bimës. Roli i krasitjes është shumë i rëndësishëm dhe shpesh mund të jetë vendimtar për prodhimtarinë e pemëve.
Pse dhe kur aplikohet krasitja?
Qëllimet dhe dobitë e krasitjes
Krasitja është një praktikë thelbësore në menaxhimin e pemishtes, e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, produktivitetin dhe jetëgjatësinë e pemëve frutore. Ajo ka disa qëllime kryesore që lidhen ngushtë me dobitë që sjell për pemën dhe prodhimin e saj.
Qëllimet kryesore të krasitjes
- Formimi i kurorës së pemës: Për të rregulluar rritjen, strukturën dhe shpërndarjen e degëve, duke krijuar një formë optimale për prodhim.
- Kontrolli i prodhimit të alternuar: Ndihmon në reduktimin ose eliminimin e fenomenit të frutëzimit të alternuar, kur pemët prodhojnë shumë një vit dhe pak ose fare në vitin tjetër.
- Rritja e jetëgjatësisë së pemës: Përmes heqjes së degëve të dëmtuara, të tepërta ose të sëmura, duke ruajtur vitalitetin e pemës.
- Përmirësimi i depërtimit të dritës dhe ajrosjes: Rrit ekspozimin ndaj rrezeve të diellit dhe përmirëson qarkullimin e ajrit, duke ulur rrezikun e sëmundjeve.
- Balancimi i ushqimit midis rrënjëve dhe kurorës: Siguron një shpërndarje të ekuilibruar të materieve ushqyese, duke mundësuar një rritje harmonike dhe një prodhim të qëndrueshëm.
Dobitë e krasitjes
- Unifikimi i sistemit mbitokësor të pemës: Ndihmon në krijimin e një strukture të fortë dhe të qëndrueshme të kurorës.
- Drejtimi i rritjes dhe frenimi i dominancës apikale: Kontrollon rritjen e tepërt në majat e degëve dhe parandalon zhveshjen e bazës së pemës.
- Përshpejtimi i hyrjes në prodhim: Ndihmon pemët e reja të fillojnë të prodhojnë më shpejt.
- Rritja e prodhimit dhe cilësisë së frutave: Ofron mundësi për formim optimal të kurorës dhe prodhim maksimal me cilësi të lartë.
- Ekuilibër midis masës vegjetative dhe asaj prodhuese: Siguron që pema të mos ketë mbirritje në dëm të prodhimit.
- Shmangia e alternancës së prodhimit: Ndihmon në ruajtjen e një prodhimi të qëndrueshëm nga viti në vit.
- Lehtësimi i punimeve bujqësore: Thjeshton operacionet mekanike dhe shërbimet kulturore si korrja, spërkatja dhe mirëmbajtja.
- Nxitja e rritjes së shpejtë dhe forcimi i strukturës së pemës: Ndikon në zhvillimin e shpejtë të masës drurore dhe skeletit të pemës.
- Reduktimi i rrezikut nga sëmundjet: Me heqjen e degëve të dëmtuara ose të infektuara, krasitja ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Në përfundim, krasitja e rregullt dhe e duhur është një ndërhyrje jetike që ndikon pozitivisht në shëndetin e pemëve, rritjen e prodhimit dhe cilësinë e frutave, duke siguruar një pemishte më të qëndrueshme dhe më të produktive.
Llojet e krasitjes
- Krasitja Formuese – Kryhet në vitet e para të zhvillimit së pemës për të krijuar një strukturë të fortë dhe të ekuilibruar të kurorës.
- Krasitja Prodhuese – Përdoret për të rritur prodhimtarinë dhe cilësinë e frutave, duke siguruar që pema të ketë ndriçim dhe ajrim të mjaftueshëm.
- Krasitja Ri-gjeneruese – Bëhet tek pemët e vjetra ose të dëmtuara për të nxitur rritjen e re dhe për të zgjatur jetëgjatësinë e pemës.
- Krasitja Sanitare – Përfshin heqjen e degëve të thara, të dëmtuara-semuara, për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Klasifikimi sipas kohës së kryerjes së krasitjes
- Dimërore- është ajo krasitje që kryhet në periudhën e qetësisë dimërore deri në fillimin e vegjetacionit të ri.
- Verore (ose krasitja e gjelbër) – e cila kryhet kur pemët janë në fazën e rritjes intensive vegjetative dhe të frutit.
- Vjeshtore – e cila aplikohet pas vjeljes së prodhimit veçanërisht në bërthamorë (pjeshkë). Krasitja tenton në eliminim të më shumë se 50-70% të kurorës.
Kur aplikohet krasitja dimërore?
Krasitja dimërore kryhet gjatë periudhës së qetësisë natyrore të pemës, pas përfundimit të ngricave. Për pemët frutore, koha më e përshtatshme për krasitje është në muajt shkurt-mars, kur ato janë në gjendje pushimi dhe mund të përballojnë ndërhyrjet pa rrezik dëmtimi.
Kjo kohë siguron një periudhë më të mirë për shërimin e pemëve dhe një rritje më të shëndetshme në sezonin vijues. Meqenëse krasitja mund të përshpejtojë zhvillimin e sythave, është e këshillueshme që ajo të kryhet më vonë në zonat e rrezikuara nga ngricat, drejt fundit të periudhës së qetësisë (nga fundi i shkurtit deri në fillim të marsit). Gjithashtu, krasitja duhet të bëhet patjetër para se sythat të fillojnë mugullimin (të fryhen) dhe të nisë vegjetacioni i ri.
Pse është e mirë krasitja për parandalimin e infeksioneve në Pemët drufrutore?
Krasitja ndihmon në parandalimin dhe reduktimin e infeksioneve në pemët drufrutore për disa arsye kryesore:
- Heqja e burimeve të infeksionit – Krasitja largon degët e dëmtuara, të thara ose të sëmura, duke zvogëluar mundësinë e përhapjes së sëmundjeve të shkaktuara nga kërpudhat, bakteret dhe viruset.
- Zvogëlon përhapjen e sëmundjeve – Nëse një pjesë e pemës është e infektuar (p.sh., nga zjarri bakterial – Erwinia amylovora), prerja e menjëhershme ndihmon në parandalimin e përhapjes tek pjesët e shëndetshme të pemës ose tek pemët e tjera në afërsi.
- Kushtet e favorshme për rritje – Krasitja e kurorës lejon që ajri dhe dielli të depërtojnë më mirë. Kjo ndihmon në tharjen e lagështisë dhe ul rrezikun e sëmundjeve kërpudhore.
Krasitje si masë efektive ndaj infeksioneve
🔹 Krasitja duhet të bëhet me mjete (gërshërë) të dezinfektuara për të shmangur bartjen e sëmundjeve.
🔹 Prerjet duhet të jenë të pastra dhe të bëhen mbi një syth të shëndetshëm.
🔹 Degët e krasitura që janë të infektuara duhet të hiqen nga pemishtja dhe të digjen për të shmangur përhapjen e patogjenëve.
Përfundim
Krasitja siguron një formë optimale të kurorës dhe një zhvillim të qëndrueshëm të pemës, duke ndikuar në rendimentin dhe jetëgjatësinë e saj. Prandaj, një krasitje e rregullt dhe e kryer siç duhet është një investim i domosdoshëm për një prodhim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm. Krasitja është një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur pemët drufrutore nga infeksionet dhe sëmundjet. Duke hequr burimet e infeksionit, përmirësuar ajrosjen dhe lehtësuar trajtimet mbrojtëse, kjo praktikë ndihmon pemën të rritet më e fortë dhe të prodhojë fruta më cilësore.
Shënim i rëndësishëm: Të gjithë artikujt e publikuar në Agro Portal kanë qëllim informues, duke ofruar udhëzime mbi zbatimin e praktikave më të mira bujqësore. Përmbajtja bazohet në artikuj shkencorë, publikime të fushave përkatëse dhe interpretime nga ekspertë të sektorit bujqësor. Synimi ynë është të ofrojmë informacione të sakta dhe të përditësuara, duke e vendosur besueshmërinë dhe saktësinë si prioritet kryesor!