Konferenca Ndërkombëtare e Mjedrës në Kosovë – Edicioni i 9-të

Më 5 dhjetor 2024, në Prishtinë u mbajt Konferenca e 9-të Ndërkombëtare e Mjedrës, me temën “Përshtatja e Kultivimit të Mjedrës ndaj Sfidave Klimatike”. Ky event mblodhi rreth 300 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat për të ndarë praktikat më të mira, për të diskutuar sfidat aktuale dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi në industrinë e mjedrës.

Fjalën hyrëse e mbajti znj. Lindita Ibishi, sekretare gjenerale e Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, e cila theksoi rëndësinë e sektorit të mjedrës në Kosovë:
“Sektori i mjedrës në Kosovë përfaqëson një nga degët më premtuese të bujqësisë, duke luajtur rol kyç në zhvillimin e ekonomisë rurale dhe duke krijuar mundësi të mëdha për punësim dhe eksport – kështu duke theksuar rëndësinë dhe zhvillimin e këtij sektori gjatë viteve të fundit.”

Ajo shtoi se tema e këtij viti, “Përshtatja e kultivimit të mjedrës ndaj sfidave klimatike”, është më e rëndësishme se kurrë, duke marrë parasysh sfidat që kanë pasur fermerët këtë vit me fatkeqësitë natyrore si breshëri dhe temperatura ekstreme, të cilat ndikuan në rendimentin e mjedrës. “Ndryshimet klimatike po prekin mënyrën se si kultivojmë dhe qëndrueshmërinë e sektorit,” theksoi znj. Ibishi.

Ndërsa, me këtë rast, Zëvendësministri Imri Demelezi tha se mjedra është një nga kulturat më strategjike në bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës dhe, me potencialin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm që ka dëshmuar ndikimin ekonomik, por edhe social.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dedikuar 1.5 milionë euro për këtë sektor, duke reflektuar përkushtimin tonë për zhvillimin e kulturave strategjike me potencial të lartë për eksport. Po ashtu, duhet theksuar se sot 96% e prodhimit të mjedrës eksportohet, duke gjeneruar 7-7.5 milionë euro. Si frut i freskët apo i përpunuar, mjedra e Kosovës shkëlqen në tregjet evropiane për cilësinë dhe vlerën e saj, duke forcuar kështu bilancin tonë tregtar,” ka thënë Demelezi.

Gjithashtu, rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimin e Shoqatës në sektorin e mjedrës në Kosovë e theksuan edhe partnerët nga organizatat ndërkombëtare si Agjensioni Austriak për Zhvillim dhe GIZ gjatë fjalimeve hyrëse.

Konferenca përfshiu shumë prezantime dhe diskutime të thelluara mbi trendet dhe teknologjitë inovative në kultivimin e mjedrës. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të dëgjonin zgjidhje nga kompani si Irritec, G-berries, Sant’ Orsola, Battistinivivai, B+H Solutions, Van Iperen. Po ashtu, u zhvilluan panele diskutimi me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë diskutime nga industria e mjedrës në Kosovë dhe një panel për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, me përfaqësues nga USAID Adapt, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe kompani vendore.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishin edhe takimet B2B, të cilat krijuan mundësi të reja për bashkëpunime dhe partneritete strategjike.

Kjo konferencë dëshmoi edhe një herë suksesin dhe qëndrueshmërinë e sektorit të mjedrës në Kosovë, si një nga sektorët që ka pasur rritjen më të shpejtë gjatë këtyre viteve. Roli i këtyre konferencave vazhdon të jetë i madh, duke pasur parasysh rëndësinë e adresimit të sfidave dhe mundësive të reja gjatë viteve për fermerët, kompanitë, institucionet relevante, donatorët dhe ekspertët e kësaj fushe.

Scroll to Top