Importimi i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve tjera nga vendet e ndryshme përbën një rrezik të lartë për futjen e dëmtueseve të rrezikshëm dhe me potencial të lartë për të shkaktuar dëme ekonomike. Këta dëmtues janë të njohur si dëmtues karantinorë andaj, masa të ndryshme janë të domosdoshme të ndërmerren me qëllim të parandalimit të futjes së këtyre dëmtuesve në vendin tonë, apo parandalimit të përhapjes së tyre në zonat ku nuk janë të pranishëm. Dëmtuesit e tillë janë të rregulluar dhe kategorizuar me Ligjin e Mbrojtjes së Bimëve të Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 04/L-120), sipas rrezikut për shëndetin e bimëve dhe natyrës së dëmeve ekonomike që ata paraqesin. Disa dëmtues karantinor të ashtuquajtur dëmtues me prioritet të cilët prekin kulturat e dru frutorëve, pasojat e mundshme të të cilëve janë shumë serioze janë:
- Mizat e frutave të familjes Tephritidae të tilla sikurse; Rhagoletis pomonella (Walsh) (miza e mollës), Rhagoletis cingulate (Loew) (miza e qershisë); Rhagoletis fausta (Östen-Sacken) (miza e zezë e qershisë), Rhagoletis indifferens (miza perëndimore e qershisë) Curran, Anastrepha fraterculus (Wiedemann) (miza e Amerikës Jugore), Pardalaspis quinaria Bezzi) (miza pesë njollëshe), Bactrocera dorsalis (Hendel) (miza orientale) e njohur më parë si Dacus dorsalis,
- Anoplophora chinensis (Thomson) (brumbulli bri-gjatë i agrumeve)
- Anoplophora glabripennis (Motschulsky) (brumbulli bri-gjatë aziatik)
- Anoplophora malasiaca (Forster) (brumbulli me njolla te bardha)
- Choristoneura (krimbat e sythave)
- Cicadellidae – të njohura si vector të sëmundjes Pierce’s disease të shkaktuar nga Xylella fastidiosa të tilla si: Carneocephala fulgida Nottingham, Draeculacephala minerva Ball, Graphocephala atropunctata (Signoret)
- Conotrachelus nenuphar (Herbst) (turigjati i kumbullës)
- Naupactus leucoloma (Boheman) (turigjati hundëgjerë me thekë te bardhë)
- Popillia japonica (Newman) (bubrreci japonez)
- Spodoptera frugiperda (Smith) (krimbi i vjeshtës)
- Xiphinema californicum (Lamberti et Bleve-Zacheo) (nematoda e mprehtë)
- Drosophila suzukii (Matsumura) (miza e frutave)
Për të parandaluar futjen dhe përhapjen e dëmtuesve karantinor, rregullore të përbashkëta për të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian duhet të zbatohen. Rregullorja e Bashkimit Evropian (EU) 2016/2031 për masat mbrojtëse ndaj dëmtueseve të bimëve përfshinë:
- Hulumtimin e dëmtueseve për të mundësuar zbulimin e hershëm,
- Inspektimin e materialit bimorë të importuar nga Bashkimi Evropian,
- Gjurmimin e infestimeve nga dëmtuesit,
- Asgjësimin e materialit bimorë të infestuar.
Nëse konstatohet ndonjë dëmtues karantinor duhet të merren masa të menjëhershme për të ruajtur shëndetin e bimëve. Disa nga masat që mund të ndërmerren janë:
- Vendosja e masave se çka duhet të kultivohet ose për të trajtuar tokën dhe makineritë bujqësore.
- Kufizimi i lëvizjes dhe tregtimi i bimëve, materialit bimorë dhe objekteve tjera që mund të përhapin dëmtuesit, bazuar në rregulloret e përbashkëta.
- Diagnostikimi i dëmtueseve për tu siguruar që janë dëmtues karantinor në laboratorë të akredituar.
Dr. Saranda Musa për Agro Portalin