Tokat e ‘Arta’ të Kosovës – Gruri i Kosovës, simbol i punës, por jo i vlerësuar sa duhet

Përfundimi i sezonit të korrje-shirjes së grurit në Kosovë është një moment që përçon më shumë sesa thjesht një përfundim pune në tokën e kultivuar, është dëshmi e traditës, përkushtimit dhe rëndësisë që kjo kulturë ka për ekonominë bujqësore të vendit.

Gruri mbetet një ndër kulturat më të rëndësishme bujqësore në Kosovë, i lidhur ngushtë me sigurimin e ushqimit dhe traditën shumëvjeçare të bujqësisë vendore. Sipërfaqet e mbjella me grurë zënë një përqindje të konsiderueshme të tokës së punueshme, ndërsa mijëra fermerë në mbarë vendin angazhohen çdo vit për të siguruar prodhimin e kësaj kulture bazë.

Këtë vit, falë kushteve të favorshme klimatike, korrja e grurit në shumë rajone ka nisur më herët se zakonisht. Rendimentet, në përgjithësi, janë raportuar të jenë të larta dhe cilësore, një tregues i investimit dhe kujdesit të vazhdueshëm të fermerëve në teknologji dhe praktika të mira bujqësore.

Megjithatë, përballë këtij suksesi agronomik qëndron një sfidë e vazhdueshme: çmimi i ulët i grurit në treg gjate periudhës se korrje-shirjeve (18 cent/kg). Ndërsa rendimentet shënojnë rritje, çmimi për kilogram mbetet i papërfillshëm në raport me koston e prodhimit. Kjo disbalancë ekonomike po ndikon drejtpërdrejt në motivimin dhe vendosmërinë e fermerëve për të vazhduar punën në fushë. Pa një çmim të drejtë dhe të qëndrueshëm, edhe kultura më strategjike mund të kthehet në barrë për ata që e punojnë me përkushtim. Kjo situatë kërkon vëmendje urgjente nga akterët relevantë të sektorit bujqësor – përfshirë institucionet publike, grumbulluesit (mullistët) dhe përpunuesit – si dhe, nëse është e mundur, mbrojtje nga importet, me qëllim krijimin e një zinxhiri vlere që respekton punën e fermerit dhe siguron një shpërblim të drejtë për produktin e tij.

Scroll to Top