Më 2 qershor 2026, në Prishtinë u mbajt paneli i diskutimit me temën “Sisteme të qëndrueshme bujqësore dhe ushqimore në Kosovë: Analiza e politikave dhe ecuritë drejt vitit 2030”, i organizuar nga INDEP me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung.
Në panel morën pjesë eksperti i bujqësisë Fatmir Selimi, po ashtu menaxher i përgjithshëm i Fondacionit AgroDev dhe profesori universitar Alban Hyseni, të cilët diskutuan sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme në Kosovë.
Gjatë panelit u theksuan një sërë sfidash me të cilat përballet sektori bujqësor, duke përfshirë mungesën e transparencës dhe të sistemeve efektive të monitorimit, nivelin e pamjaftueshëm të edukimit dhe trajnimit të fermerëve, si dhe hendekun që ekziston në zbatimin e dokumenteve dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Po ashtu, u diskutua për emetimet e gazrave serrë dhe nevojën që fermat në Kosovë të përshtaten më shumë me kriteret mjedisore të BE-së.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave ekonomike të fermerëve, ku u theksua mungesa e të rinjve në bujqësi, vështirësitë në qasjen në financa dhe fakti se një pjesë e madhe e fermerëve mbështeten në kredi nga institucionet mikrofinanciare. Gjithashtu, u diskutua mungesa e sigurimit të produkteve bujqësore dhe perceptimi i bankave ndaj bujqësisë si sektor me rrezik të lartë.
Pjesëmarrësit trajtuan edhe çështjen e subvencioneve, duke ngritur shqetësime për mungesën e tyre gjatë këtij viti, keqpërdorimin e mundshëm dhe nevojën që ato të shpërndahen në mënyrë më të drejtë dhe progresive, bazuar në kritere të qarta dhe të matshme. U theksua se fermerët që plotësojnë kriteret duhet të kenë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare, ndërsa politikat publike duhet të garantojnë siguri më të madhe për investimet në sektor.
Në diskutim u nënvizua gjithashtu rëndësia e shërbimeve këshillimore për rritjen e cilësisë dhe rendimentit në bujqësi, nevoja për forcimin e kapaciteteve të institucioneve financiare për kreditimin e bujqësisë, si dhe zbatimi i rregulloreve që ndalojnë përdorimin e pesticideve të ndaluara nga Bashkimi Evropian. Paneli përfundoi me rekomandime për politika më të qëndrueshme dhe mbështetje më të madhe për fermerët në rrugën drejt arritjes së objektivave të sektorit bujqësor deri në vitin 2030.



