Në kuadër të mbështetjes nga fondacioni AgroDev, znj. Zana Sahiti ka realizuar trajnime rreth praktikave të mira bujqësore (GAP). Trajnimet kishin për qëllim avancimin e njohurive teknike dhe praktike të studentëve mbi zbatimin e praktikave të mira bujqësore, menaxhimin e fermave, sigurinë ushqimore dhe rëndësinë e përmbushjes së standardeve që kërkohen nga tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë trajnimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua planifikimit dhe organizimit të aktiviteteve në fermë, përdorimit dhe ruajtjes së përgjegjshme të inputeve bujqësore, higjienës në hapësirat e prodhimit dhe parandalimit të rreziqeve që mund të ndikojnë në sigurinë dhe cilësinë e produkteve bujqësore. Gjithashtu, u trajtua identifikimi dhe parandalimi i rreziqeve biologjike, kimike dhe fizike, si dhe rëndësia e respektimit të praktikave higjienike gjatë prodhimit, vjeljes dhe trajtimit të produkteve pas vjeljes.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit ishte edhe gjurmueshmëria dhe dokumentimi i aktiviteteve bujqësore. Studentët u njohën me rëndësinë e mbajtjes së evidencave për inputet e përdorura, trajtimet e kryera, procesin e vjeljes, sasitë e prodhuara dhe lëvizjen e produkteve nga ferma deri te blerësi apo qendra e grumbullimit. U theksua se dokumentimi i rregullt nuk shërben vetëm si dëshmi e përmbushjes së kërkesave, por edhe si një mjet i rëndësishëm për menaxhimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të fermës.
Në kuadër të këtyre ditëve u prezantuan edhe parimet kryesore të standardit GLOBALG.A.P., me theks në sigurinë ushqimore, gjurmueshmërinë, dokumentimin, shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve, si dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Përmes diskutimeve u trajtuan gjithashtu pritshmëritë e tregjeve dhe rëndësia e përshtatjes së prodhuesve me kërkesat e zinxhirëve të organizuar të furnizimit.
U mbajt vizitë në plantacionin e mjedrës, studentët patën mundësi të vëzhgojnë nga afër praktikat e menaxhimit të kulturës dhe të diskutojnë për rëndësinë e zbatimit të GAP-it në prodhimin e frutave të imëta. Vëmendje iu kushtua menaxhimit të kulturave, cilësisë së prodhimit, dokumentimit të aktiviteteve dhe kërkesave që duhet të përmbushen për të siguruar produkte të përshtatshme për treg.
Përmes këtij aktiviteti, AgroDev Kosovo synon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve profesionale të të rinjve në sektorin e bujqësisë, duke u ofruar atyre njohuri që ndërlidhin aspektet teknike të prodhimit me sigurinë ushqimore, menaxhimin e cilësisë dhe kërkesat e tregut. Kombinimi i pjesës teorike me përvojën praktike në ferma dhe qendra të grumbullimit e përpunimit u mundësoi pjesëmarrësve të kuptojnë më mirë rëndësinë e zbatimit të Praktikave të Mira Bujqësore në të gjitha fazat e prodhimit.
Përmes trajnimeve të tilla, AgroDev Kosovo vazhdon të mbështesë zhvillimin e njohurive dhe aftësive praktike të profesionistëve të rinj, duke kontribuar në një sektor bujqësor më të sigurt, më cilësor dhe më konkurrues.



