Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u mbajt panairi tradicional i organizuar nga Shoqata e Grave “EcoKos Women”, me mbështetjen e We Effect Europe, CNVP Foundation dhe UN Women Kosovo. Ky panair shënoi një ditë të veçantë për të nderuar gratë që jo vetëm kultivojnë produkte, por edhe ndryshim e qëndrueshmëri në komunitetet e tyre.
Fjalët hyrëse u mbajtën nga:
• Znj. Danijella Qoqaj, përfaqësuese e EcoKos Women;
• Z. Imri Demelezi, zëvendësministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
• Përfaqësues nga Komuna e Prishtinës;
• Znj. Vlora Tuzi-Nushi, udhëheqëse e zyrës së UN Women në Kosovë.
Në fjalën e saj, znj. Tuzi-Nushi theksoi se kur investojmë në gra, përfiton i gjithë komuniteti. Gratë rurale po ndërtojnë ekonomi më të forta, po marrin vendime më të sigurta për jetesën e tyre dhe po udhëheqin ndryshime pozitive në komunitet.
Panairi mblodhi gra prodhuese nga e gjithë Kosova, të cilat me dashuri e përkushtim sollën produkte bujqësore dhe artizanale — një dëshmi e fuqisë, kreativitetit dhe rolit të grave në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe ekonomisë rurale.
Ky aktivitet, me moton “Rural Women Rising – Shaping Resilient Futures”, shërbeu si një thirrje për veprim për të njohur, mbështetur dhe investuar më shumë në jetesën, lidershipin dhe qëndrueshmërinë e grave rurale, në përputhje me objektivat e Beijing+30 Action Agenda
Një ditë plot energji, solidaritet dhe frymëzim, që na kujton se kur gratë rurale fuqizohen, fushat lulëzojnë, familjet përparojnë dhe shoqëritë transformohen.



