Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit AgroDev Kosovo dhe Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (KAMP)

Më 8 korrik 2025, Fondacioni AgroDev Kosovo dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (KAMP) formalizuan bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), me synimin për të fuqizuar dhe zhvilluar më tej sektorin e qumështit në Kosovë.

Ky memorandum parasheh bashkëpunim të ngushtë në zbatimin e projekteve të përbashkëta që synojnë përmirësimin e prodhimit, cilësisë dhe zinxhirit të vlerës së qumështit në vend. Përmes këtij partneriteti, palët do të angazhohen në një sërë iniciativash konkrete që përfshijnë:

  • Organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe diskutimeve sektoriale;
  • Lehtësimin e vizitave studimore për fermerët brenda dhe jashtë vendit;
  • Iniciativa në fushën e bujqësisë digjitale dhe promovimin e teknologjive të mençura;
  • Fuqizimin e modulit “Pyetni Ekspertin” në kuadër të platformës Agro Portal;
  • Realizimin e fushatave edukative dhe promovuese për prodhimet vendore të qumështit;
  • Zhvillimin e hulumtimeve sektoriale dhe shpalljen e thirrjeve të përbashkëta për projekte me ndikim në sektor.

Objektivat kyçe të këtij bashkëpunimi përfshijnë:

  • Rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit në vend;
  • Ngritjen e kapaciteteve të fermerëve dhe përpunuesve përmes trajnimeve dhe ndërlidhjeve me tregjet;
  • Mundësimin e qasjes më të mirë në financa dhe tregje për prodhuesit lokalë;
  • Promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural përmes modeleve bashkëkohore të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik, shoqatave dhe aktorëve të tregut.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më të koordinuar dhe të qëndrueshme në zhvillimin e sektorit të qumështit në Kosovë, duke krijuar një bazë të fortë për nisma të ardhshme që përkrahin prodhuesit dhe nxisin rritje ekonomike në zonat rurale.

Scroll to Top