Në kushte kur bujqësia në Kosovë përballet me sfida të shumta si: ndryshime klimatike, rritje të çmimeve të inputeve dhe kërkesa të tregut për cilësi, plehërimi efikas është nevojë themelore për mbijetesë dhe konkurrencë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kultivuesit e specit, një kulturë kërkuese që ka potencial të lartë tregtar, por që kërkon menaxhim të kujdesshëm të plehërimit adekuat për të dhënë rezultat. I gjithë procesi i plehërimit ka rëndësi të veqantë në zhvillimin e mirë të kulturës së specit.
Qasja 4R Right Source, Right Rate, Right Time, Right Place (Burimi i duhur, Doza e duhur, Koha e duhur, Vendi i duhur) nuk është një teori, por një praktikë konkrete që i ndihmon fermerët të prodhojnë më shumë, më mirë dhe më lirë, dhe në të njëjtën kohë duke ruajtur tokën.
✅ Burimi i duhur (Right Source): furnizimi i duhur për nevojat specifike të specit
Speci ka kërkesa të veçanta ushqyese gjatë gjithë ciklit të rritjes, por balancimi i saktë i N-P-K është kyç për sukses. Në veçanti, gjatë fazës së frutifikimit, Kaliumi (K) luan rol vendimtar për trashësinë e lëvores, intensitetin e ngjyrës dhe qëndrueshmërinë e frutave pas vjeljes, veçanërisht në kultivarët e destinuar për eksport ose për përpunim.
Nëse plehërimi nuk kontrollohet siç duhet dhe përdoret një formulim i pasaktë, shpesh ndodh që bimët të marrin sasi të tepërta Azoti (N), gjë që nxit një zhvillim të tepruar vegjetativ (gjethe dhe kërcej) në dëm të frutifikimit, duke ulur cilësinë dhe numrin e frutave të tregtueshme.
Në tokat që janë të varfra me mikroelemente ose kanë përqendrim të lartë të kripërave (sidomos në serra), përdorimi i plehrave të tretshëm në ujë të pasuruar me mikroelemente si Kalciumi (Ca), Magnezi (Mg) dhe Bori (B) është thelbësor. Këto mikroelemente ndihmojnë jo vetëm në strukturën e frutit dhe zhvillimin e rrënjës, por edhe në parandalimin e çrregullimeve si kalbja e majës së frutit (mungesë e kalciumit).
✅ Doza e duhur (Right Rate): kursim dhe rendiment në të njëjtën kohë
Me dozën e saktë të përshtatur për fazën e zhvillimit, bima merr saktësisht atë që ka nevojë. Kjo rrit efikasitetin ushqyes, ul mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve dhe sjell më shumë frute cilësore për metër katror. Duke u bazuar në analiza të tokës dhe gjetheve, fermeri shmang aplikimin “me hamendje”, që shpesh sjell kripëzim, djegie të rrënjëve dhe humbje financiare. Përdorimi i analizave të tokës dhe gjetheve është një mjet shumë i rëndësishëm që ndihmon në përcaktimin e nevojave reale të bimëve për plehra. Analizat e tokës mund të identifikojnë nivelet e lëndëve ushqyese të pranishme në tokë, si dhe pH e saj, duke mundësuar përshtatjen e saktë të dozës së plehërave.
Përcaktimi i dozës së saktë të plehut është thelbësor për të siguruar që bima të marrë vetëm sasinë e duhur të ushqyesve, pa mbingarkuar sistemin rrënjor me lëndë ushqyese të tepërta. Një dozë e gabuar mund të shkaktojë një sërë problemesh, si për shembull kripëzimin e tokës, i cili redukton aftësinë e saj për të mbajtur lagështinë dhe lëndët ushqyese, ose djegien e rrënjëve, që rrit ndjeshmërinë e bimës ndaj stresit dhe sëmundjeve.
Mungesa e elementeve ushqyesve gjithashtu do të sjellë zhvillim të ngadaltë dhe të dobët të bimëve, si dhe ulje të rendimentit dhe cilësisë së frutave.
Përdorimi i saktë dhe i balancuar i plehrave ndihmon bimët të jenë më të shëndetshme dhe më rezistente ndaj sëmundjeve. Kur bimët marrin ushqimin që u nevojitet, ato luftojnë më mirë sëmundjet dhe përballojnë më lehtë stresin nga faktorë si klima ose sëmundjet dhe dëmtuesit. Sëmundje si Fusarium, Verticillium apo Phytophthora shfaqen më shpesh kur bimët janë të dobësuara nga mungesa ose teprica e elementeve ushqyese, duke ulur cilësinë dhe prodhimin e frutave.
✅ Koha e duhur (Right Time): në momentin kur bima ka më shumë nevojë
Në kultivimin e specit, momentet kyçe janë: pas trapiantimit, gjatë lulëzimit dhe në fazën e krijimit të frutave. Nëse elementet ushqyese mungojnë në këto faza, dëmi nuk përmirësohet më vonë, rezultati është rendiment më i ulët, vonesa në pjekje dhe cilësi e dobët. Me aplikime të ndara (me doza aplikimi) gjatë ciklit të rritjes, përmes fertigimit ose aplikimeve tjera, ushqyesit arrijnë aty ku duhen dhe kur duhen.
✅ Vendi i duhur (Right Place): çdo gram ushqyes shkon aty ku ka vlerë
Shpesh, plehrat aplikohen në sipërfaqe, ose shumë larg rrënjëve, dhe rezultati është humbje përmes avullimit apo shpëlarjes. Me sistemin 4R, ushqyesit vendosen aty ku rrënjët i përthithin më mirë – pra, në zonën aktive të rrënjëve të specit. Kjo arrihet përmes fertigimit (aplikimit të plehrave me sistem të ujitjes), aplikimit në rreshta ose rreth rrënjës (bazal), sidomos në tokat me strukturë të dobët ose në serra. Kështu, çdo gram pleh shndërrohet në prodhim real, pa humbje të panevojshme.
Çfarë përfiton fermeri i specit në Kosovë nga zbatimi i sistemit 4R?
🔹 Rrit rendimentin dhe cilësinë – më shumë speca për hektar, me ngjyrë dhe madhësi më të kërkuar nga tregu.
🔹 Kursen para – duke përdorur saktësisht sasinë e nevojshme të plehrave, shmang blerjet e tepërta dhe aplikimet e gabuara.
🔹 Përmirëson shëndetin e bimëve – bimë më të forta, më rezistente ndaj stresit, sëmundjeve dhe thatësirës.
🔹 Stabilitet në prodhim – vit pas viti, tokat që menaxhohen sipas 4R japin rezultate më të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Në një treg gjithnjë e më konkurrues, ku speci nevojitet të jetë në nivel të njejtë me prodhuesit rajonalë dhe evropianë, adoptimi i metodave si sistemi 4R nuk është më zgjedhje por domosdoshmëri. Nëse prodhimi i specit ka filluar të sjellë më pak rendiment ose cilësi më të ulët, zgjidhja nuk është më shumë pleh, por pleh më të menaxhuar gjatë aplikimit.
4R nuk është thjesht një metodë teknike për plehërim, por një qasje e mençur dhe e qëndrueshme ndaj bujqësisë moderne – e mbështetur në të dhëna, dije dhe përgjegjësi. Në një kohë sfidash klimatike dhe presioni mbi burimet natyrore, zbatimi i saj nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për të siguruar një bujqësi produktive dhe të qëndrueshme.