Si çdo sezon, edhe këtë vit ka nisur me përkushtim procesi i korrjes së kamomilës nga fermerët e bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë. Ky sektor ka një ndikim të konsiderueshëm në eksport, pasi shumica e bimëve mjekësore dhe aromatike janë të destinuara për tregjet ndërkombëtare si Gjermania, Zvicra, Italia, SHBA, e të tjera. Pavarësisht sfidave, sektori mbetet shumë premtues për të ardhmen. Sipas studimit të Shoqatës ORGANIKA mbi sektorin e PPJD dhe BMA, në vitin 2010 eksportet e Kosovës për këtë kategori arrinin vlerën rreth 5 milionë euro. Në vitin 2023, vëllim i përgjithshëm i produkteve të shitura arriti në 2.739 tonë me një vlerë eksporti prej 16.5 milionë euro. Kjo tregon se sektori i BMA dhe PPJD është sektor i fokusuar në eksport me trende pozitive që kanë kontribuar në përmirësim të bilancit negative tregtar të Kosovës. Të dhënat nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë tregojnë se aktualisht janë 85 përfitues nga ky sektor, të cilët posedojnë gjithsej 120.86 hektarë të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike (BMA).
Një nga bimët më përfaqësuese të sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike të kultivuara është kamomila (Matricaria chamomilla L.), e cila është kultivuar ndër vite në Kosovë. Kamomila është një bimë mjekësore-aromatike që përshtatet shumë mirë me kushtet agroklimatike të Kosovës. Ajo përdoret gjerësisht dhe ka një përdorim shumëdimensional, duke u njohur për vetitë e saj shëruese, veçanërisht në industrinë e çajrave dhe të produkteve natyrore. Në vitin 2023, sipas të dhënave të ORGANIKA-s, janë eksportuar 58.21 ton kamomil me një vlerë totale prej 260,742 euro. Këto shifra theksojnë rëndësinë e kultivimit dhe eksportit të kamomilës si një kulturë me vlerë të lartë ekonomike dhe shëndetësore.
Për të kuptuar më nga afër këtë zinxhir prodhimi, gjatë periudhës së korrjes bëmë një vizitë te kompania Agroproduct shpk, një ndër kompanitë më të mëdha dhe më të konsoliduara në Kosovë në fushën e kultivimit, grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore dhe aromatike dhe produkteve pyjore jo-drusore. Gjatë vizitës, patëm mundësinë të ndjekim nga afër procesin e korrjes dhe procesin e tharjes së kamomilës, duke parë përkushtimin që i kushtohet cilësisë, standardeve të eksportit dhe ruajtjes së praktikave të qëndrueshme bujqësore.
Procesi i korrjes së kamomilës
Koha e korrjes
- Koha e korrjes është një moment kyç që kërkon vlerësim të kujdesshëm, pasi lulëzimi i kamomilës ndodh në faza gjatë një periudhe prej më shumë se dy muajsh. Bimët zhvillojnë vazhdimisht lule të reja, ndërsa ato të mëparshmet piqen. Përmbajtja e vajrave esencialë është më e lartë në fazën e lulëzimit të plotë, ndaj rekomandohet korrja kur petalet e bardha të shumicës së luleve janë në pozicion horizontal. Fusha duhet të duket bardhë e homogjene – jo jeshile dhe as e verdhë.
- Koha më e përshtatshme për korrje është në mesditë gjatë ditëve me diell. Në ditët e ftohta dhe me re, përmbajtja e vajrave esencialë është më e ulët.
Pajisjet e korrjes
- Kamomila korret kryesisht mekanikisht me makina të posaçme ose të modifikuara për këtë qëllim. Në Evropën Lindore, Itali dhe Argjentinë, përdoren makina të specializuara për korrjen e saj. Disa fermerë përshtasin kombajnat e drithërave për këtë proces. Korrja manuale me krehër të posaçëm është gjithashtu e mundur dhe siguron cilësi të lartë të produktit. Për lule mesatare, distanca optimale mes dhëmbëve të krehërit është 3.5 mm, ndërsa për varietete me lule të mëdha, mund të shkojë deri në 4.5 mm.
- Krehrat që përdoren për vjeljen e boronicës nuk janë të përshtatshëm për kamomil, pasi nuk pastrohen tërësisht dhe mund të sjellin ndotje mikrobike.
- Zakonisht, janë të mundshme 2 deri në 3 korrje gjatë një sezoni. Për çajrat e paketuar, bima pritet në lulëzim të plotë me ngarkues për kultura të gjelbra. Lulet e korrura duhet të transportohen menjëherë për tharje. Në mungesë të kësaj, ato mund të shtrihen në hije për disa orë, por nuk duhet të mbushen në thasë sepse mund të ngrohen dhe të marrin ngjyrë kafe.
Përgatitjet para tharjes
- Para korrjes duhet të sigurohet transport i vazhdueshëm drejt njësive të tharjes për të ruajtur cilësinë. Idealja është që lulet të dërgohen për tharje brenda 2 orëve pas korrjes. Disa kultivues përdorin ajrosje në mjetet e transportit për të ruajtur freskinë.
- Në qendrat e tharjes, lulet kalohen në shosha me madhësi rrjete nga 7 deri në 12 mm dhe pastrohen manualisht nga papastërtitë, kërcellët e gjatë dhe materialet e tjera të padëshiruara. Kultivuesit më të mëdhenj përdorin ndarës mekanik për eliminimin e gurëve, barërave të këqija dhe kërceve para tharjes.
Vetitë shëruese dhe përdorimet e kamomilës
Kamomila është një ndër bimët më të njohura mjekësore në botë, përdorur që nga lashtësia për vetitë e saj qetësuese dhe shëruese. Përveç shijes së këndshme, ajo përmban substanca të fuqishme si flavonoide dhe antioksidantë me ndikim pozitiv në shëndet.
1. Burim i pasur antioksidantësh
Kamomila përmban komponime si apigenina, kuercetina dhe chamazuleni, të cilat luftojnë radikalet e lira, reduktojnë inflamacionin dhe përmirësojnë sistemin imunitar.
2. Qetëson ankthin dhe përmirëson gjumin
Në formë çaji apo vaji esencial, kamomila ndihmon në reduktimin e stresit dhe pagjumësisë përmes efektit relaksues mbi sistemin nervor.
3. Ndihmon tretjen
Kamomila ka efekte antispazmatike dhe lehtëson problemet e tretjes si gazrat, të përzierat, kapsllëkun dhe dhimbjet e barkut.
4. Zbut inflamacionin dhe dhimbjet
E njohur si “aspirina bimore”, përdoret për reduktimin e dhimbjeve muskulore, acarimeve të lëkurës dhe ënjtjeve.
5. Lehtëson simptomat e ftohjes dhe gripit
Ajo ndihmon në lehtësimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe dhimbjes së fytit gjatë infeksioneve sezonale.
6. E dobishme për shëndetin e zemrës
Flavonoidet në kamomil janë lidhur me uljen e rrezikut të sëmundjeve koronare, veçanërisht tek të moshuarit.
Si përfundim, kamomila mbetet jo vetëm një kulturë me rëndësi ekonomike për sektorin bujqësor dhe atë të eksportit në Kosovë, por edhe një thesar natyror me vlera të mëdha për shëndetin e njeriut. Ruajtja dhe zhvillimi i këtij sektori, përmes mbështetjes së fermerëve dhe përpunuesve, do të jenë thelbësore për një të ardhme të qëndrueshme të bujqësisë në nivel vendi.