Diskutim Profesional mbi Sfidat dhe Inovacionet në Mbrojtjen e Bimëve
Me sukses u mbajt takimi me temë “Inovacione dhe Sfidat në Mbrojtjen e Bimëve”, i organizuar nga Mjedra e Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin AgroDev Kosovo, në kuadër të projektit #EREA.
Ngjarja mblodhi rreth 50 pjesëmarrës nga institucione publike, universitete, shoqata kombëtare të fermerëve dhe agrobiznese, përfshirë edhe vetë fermerë dhe përfaqësues të qendrave grumbulluese. Ky takim krijoi një hapësirë të vlefshme për shkëmbim profesional dhe rrjetëzim ndërinstitucional.
Pikat kryesore të organizimit:
Prezantimi kryesor u mbajt nga Prof. Dr. Arben Myrta (Certis Belchim, Holandë) me temën:
“Mbrojtja e Bimëve në BE: Historiku, Rëndësia dhe Sfidat e së Ardhmes”
Profesori ofroi një prezantim të thelluar dhe profesional mbi qasjet bashkëkohore në mbrojtjen e bimëve në Bashkimin Evropian. Ai trajtoi çështje kyçe si:
•sëmundjet karantinore,
•mbetjet e lejuara të pesticideve (MRLs),
•rëndësia e harmonizimit të praktikave bujqësore me standardet evropiane.
Gjithashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet aktorëve të sektorit, për të ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës, të koordinuar dhe të qëndrueshëm në mbrojtjen e bimëve.
Paneli i diskutimit:
“Sfidat e Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve në Kosovë”
Paneli u moderua nga Naim Krasniqi (AgroDev Kosovo) dhe përfshiu përfaqësues nga institucionet kryesore që veprojnë në këtë fushë:
•Bekri Xhemali – Instituti Bujqësor i Kosovës
•Saranda Musa – Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Universiteti i Prishtinës
•Naim Delijaj – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
•Edita Mahmuti – Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK)
Pjesëmarrësit ndanë përvoja konkrete nga institucionet dhe organizatat që përfaqësonin, duke evidentuar sfidat aktuale të sektorit, boshllëqet në zbatim dhe nevojën për një koordinim më efikas ndërmjet akterëve institucionalë dhe privatë.
Takimi përfundoi me diskutime të frytshme dhe shkëmbim idesh konstruktive, duke inkurajuar bashkëpunimin për zhvillimin dhe përgatitjen e sektorit të mbrojtjes së bimëve në Kosovë për një integrim të plotë në tregjet evropiane.