Fondacioni AgroDev Kosovo ka kënaqësinë të njoftojë mbajtjen e një ngjarjeje të rëndësishme më 24 shtator 2025, ku do të prezantohet platforma e re digjitale AGRO B2B – një hapësirë inovative e krijuar për të promovuar produktet vendore të Kosovës dhe për të ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta tregtare me blerës vendorë dhe ndërkombëtarë.
Detajet e ngjarjes:
- Data: 24 shtator 2025
- Ora: 09:30–13:00
- Vendi: Hotel Courtyard by Marriott, Prishtinë
- Lokacioni: Klikoni këtu
Sektori i bujqësisë në Kosovë përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare, duke ofruar produkte të cilësisë së lartë me potencial të madh eksporti. Disa nga fushat më premtuese për tregjet ndërkombëtare përfshijnë:
- bimët mjekësore dhe aromatike (BMA),
- produktet pyjore jo-drusore (PPJD) me certifikim organik,
- pemët e imta,
- si dhe produktet e përpunuara nga frutat dhe perimet.
Përmes platformës AGRO B2B, AgroDev synon të fuqizojë prodhuesit vendorë, veçanërisht agrobizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë edhe gratë ndërmarrëse në bujqësi – duke i lidhur ata me tregje të reja dhe duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit EREA, i implementuar nga Caritas-i Zviceran në Kosovë dhe i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).
AgroDev Kosovo pret me kënaqësi pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të sektorit bujqësor, institucioneve partnere dhe bizneseve të interesuara për të qenë pjesë e këtij hapi të ri drejt zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit të agrobiznesit vendor.



