AgroDev Kosovo nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Shoqata e Kultivuesëve të Arrës dhe Lajthisë

Prishtinë, 29 maj 2025 – Fondacioni AgroDev Kosovo ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi (MM) me Shoqatën e Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë, me synimin për të ndërtuar një partneritet strategjik që do të mbështesë zhvillimin e projekteve të përbashkëta në sektorin e bujqësisë dhe në veçanti në nën-sektorin e pemëve arrore.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve prodhuese, rritjes së konkurrueshmërisë dhe promovimit të teknologjive të qëndrueshme në bujqësi. Përmes këtij memorandumi, palët angazhohen të ndërmarrin një sërë iniciativash që do të kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ekonomik të vendit.

Fushat kryesore të bashkëpunimit do të përfshijnë:

  • Organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe aktiviteteve të shkëmbimit të përvojave mes kultivuesve vendorë dhe rajonalë;
  • Vizita studimore me fermerë nga rajoni dhe më gjerë për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe inovacionet në kultivim;
  • Thirrje të përbashkëta për projekte bujqësore, duke synuar tërheqjen e fondeve dhe investimeve;
  • Nisma të përbashkëta në Bujqësinë Digjitale, përfshirë promovimin e teknologjive të mençura në kultivimin e arrës dhe lajthisë;
  • Trajnime dhe këshillim praktik për rritjen e kapaciteteve të anëtarëve të shoqatës dhe përmirësimin e menaxhimit të fermave.

Një komponent i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është edhe fuqizimi i modulit “Pyetni Ekspertin” brenda platformës Agro Portal, i cili do të vihet në dispozicion të kultivuesve përmes rrjetit të këshilltarëve të AgroDev dhe ekspertëve të Shoqatës.

Objektivat e partneritetit përfshijnë:

  • Nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet palëve të interesit në sektorin e pemëve arrore;
  • Rritjen e prodhimit dhe vlerës së produkteve të arrës dhe lajthisë në treg;
  • Shkëmbimin e njohurive dhe përvojave përmes platformave të përbashkëta dhe vizitave ndër-fermerë;
  • Mbështetjen aktive për fermerët dhe zhvillimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Ky memorandum shënon një angazhim të përbashkët për ndërtimin e një bujqësie më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të lidhur me nevojat e tregut modern. Si AgroDev Kosovo ashtu edhe Shoqata e Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë shprehin përkushtimin e tyre për të vazhduar ndërtimin e partneriteteve afatgjata, që përkrahin zhvillimin rural, krijimin e mundësive ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimeve vendore.

Scroll to Top