Më 17 prill 2025, në ambientet e “Hilton Garden Inn” në Tiranë, u mbajt një ndër forumet më të rëndësishme për sektorin agrofinanciar në rajon, me temën:
“Qasja në financa dhe bashkëpunimi tregtar i agrobizneseve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.”
Ky forum mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve financiare, organizatave ndërkombëtare, agrobizneseve dhe shoqatave të tyre nga të dy vendet, duke shërbyer si një platformë konkrete për nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar në sektorin bujqësor.
Ngjarja u organizua nga AgroDev Kosovo dhe KEP Trust, në bashkëpunim me FED Invest dhe Qendrën ABA, dhe synoi të nxjerrë në pah rëndësinë e fuqizimit të qasjes në financa si dhe të ndërtimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në hapje të forumit, z. Naim Krasniqi (AgroDev Kosovo) dhe z. Perlat Sulaj (Administrator i FED Invest) theksuan nevojën për koordinim të ngushtë ndërmjet institucioneve të dy vendeve për të tejkaluar sfidat me të cilat përballen sipërmarrësit ruralë dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Ndërsa znj. Anxhela Bushati, Drejtore në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, vlerësoi partneritetin e suksesshëm me FED Invest dhe aktorët ndërkombëtarë, si dhe kontributin e Qendrës ABA në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale.
Diskutimet në panelet tematike
Forumi u strukturua në dy panele kryesore:
Paneli i parë u përqendrua në sfidat e kapitalit për sektorin bujqësor dhe nevojën për modele më fleksibile dhe të personalizuara financimi. Nën moderimin e z. Behar Gjoni, në panel morën pjesë znj. Venera Hoxha (Finance in Motion – EFSE), z. Muharrem Krasniqi (KEP Trust), z. Fatmir Selimi (AgroDev Kosovo), z. Fatjon Limaj (FED Invest), z. Alban Shabani (JONI-SH, Kosovë) dhe z. Eldi Ceco (ABA Center), të cilët ndanë perspektiva nga fusha e financave, zhvillimit rural dhe mbështetjes teknike për fermerët.
Paneli i dytë trajtoi temën “Marrëdhëniet tregtare për agrobizneset ndërmjet dy vendeve”, i moderuar nga z. Naim Krasniqi. Diskutimet u fokusuan në sfidat burokratike që pengojnë bashkëpunimin dhe nevojën për veprime konkrete që sjellin përfitime të ndërsjella. Panelistët përfshinë znj. Albana Laknori (Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë), z. Granit Krasniqi (Fresco Group), z. Kushtrim Kosumi (Pestova shpk), z. Agim Rrapaj (Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar), z. Pëllumb Aleksi (Shoqata e Bletërritësve) dhe z. Faton Nagavci (Shoqata ORGANIKA).
AgroDev dhe ABA Center u paraqitën si shembuj të platformave praktike që ndihmojnë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat në terren. Mesazhi kryesor i panelit ishte se dialogu i hapur dhe mbështetja teknike janë çelës për të shndërruar sfidat ekzistuese në mundësi zhvillimi.
B2B Corner
Në përmbyllje të forumit, pjesëmarrësit patën mundësi të takoheshin në hapësirën e dedikuar “B2B Corner”, e cila shërbeu si platformë për takime të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve. Ky segment i forumit u mirëprit si një hap konkret drejt krijimit të lidhjeve të reja tregtare dhe nxitjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë.