Pershendetje Jam i interesuar per mi mbjell 1 hektar boronice, e kam token time ne komune te fushe kosoves dhe deshta nje ndihme nese ka mundesi se shkon procedura e mbjelljes se boronices.Valoni

Kultivimi i boronicës në Kosovë ka disa hapa dhe rekomandime specifike për mbjelljen për 1 hektar.

Përgatitjet para mbjelljes:

  1. Mbjellja e fidaneve cilësore – Duhet të keni parasysh të zgjidhni varietete të përshtatshme për klimën e Kosovës, ku për rrafshin e Dukagjinit mund të përdoren varietetet si: Duke, Spartan, Draper, Blue Ribbon ndërsa për rrafshin e Kosovës: Aurora, Liberty, Cargo
  2. Analiza e tokës është një ndër pjesët kyce gjatë mbjelljes së boronicës për shkak të ndjeshmërisë së kulturës ndaj pH-së së tokës ku është e paraparë të bëhet – Testimi i pH-së së tokës ku duhet të kemi parasysh se boronica preferon tokë acidike me pH 4.5-5.5. Në këtë fazë është e rëndësishme të përfshihen edhe analizat e ujit (pH, ec dhe bikarbonatet). Duhet të kontrollohen materiet ushqyese për përmbajtjen e azotit, fosforit dhe kaliumit për të përcaktuar nevojat për plehërim.

3.  Përgatitja e tokës – Pastrimi i tokës ku do të mbjellet kultura, hiqni barojat dhe mbeturinat. Sigurohuni që toka të jetë e pastruar mirë. Përmirësimi i tokës ku, shtoni kompost dhe pleh organik për të rritur fertilitetin e tokës. Mund të përdorni torfë për të ulur pH-në nëse është e nevojshme (nëse mbjellet në tokë nevojitet 150-300 m3).

4. Planifikimi i Mbjelljes – Distanca e mbjelljes ku duhet të lini rreth 3 metra në mes të rreshtave dhe 1 metër mes bimëve. Sasia e fidanëve rreth 3000-3300 bimë për hektar, varësisht nga lloji dhe mënyra e kultivimit (vazo ose tokë)

5. Mbjellja – Duhet të kemi parasysh disa hapa: Përgatitjen e shtretërve për mbjellje, vendosjen e sistemit pikë-pikë, vendosjen e agrotekstilit për mulcërim dhe hapjen e vrimave ku do të vendosen fidanet. Koha optimale e mbjelljes është në pranverë (mars-prill) ose në vjeshtë (shtator-tetor). Thellësia e mbjelljes duhet të jetë që rrënjët janë të mbuluara mirë, por mos i mbuloni më shumë se 5 cm mbi nivelin e tokës për shkak se boronica e ka sistemin rrënjor të ndjeshëm.

Masat e menaxhimit pas mbjelljes:

6. Menaxhimi i Ujitjes – Sistemi i ujitjes pikë-pikë është ideal, sepse ndihmon në ruajtjen e lagështisë optimale dhe parandalon mbingopjen me ujë.

7. Kujdesi pas mbjelljes – Ushqimi i balancuar ku duhet të përdorni plehra të përshtatshme, si pleh organik dhe mineral në bazë të nevojave të tokës. Kontrolli i sëmundjeve – Duhet të bëhet monitorimi i bimëve për sëmundje dhe insekte dhe të përdorni metoda të menaxhimit të integruar për luftimin e tyre (menaxhimi I barojave është më sfidues në këtë kulturë).

8. Vjelja e boronicës zakonisht ndodh gjatë verës, kur boronicat janë të pjekura dhe duhet ti kushtohet rëndësi ruajtjes pas vjeljes së frutave në kushte optimale për të mbajtur freskinë.

Për shkak të specifikave që ka kultura e boronicës, duhet të keni parasysh që të konsultoheni me agronomë ose ekspertë të fushës për këshilla specifike për rajonin tuaj.

Scroll to Top