Trajtimi i domates ndryshon varësisht nga faza e zhvillimit të bimës dhe frutit, mirëpo në përgjithësi mund të rekomandojmë një plan të plehërimit të ndarë në tre faza:
- Nga mbjellja e fidanit deri në fillimin e lidhjes së frutave: kryesisht rekomandohet përdorimi i plehrave me përmbatje të Azotit, Fosforit dhe Kaliumit (NPK ku filliisht duhet të ketë një favorizim të fosforit në raportin 1:3.5:1; pastaj duhet të vijohet në raport 1:1:1 duke përdorur B dhe MgO shtesë, deri tek lidhja e frutave.
- Nga lidhja e frutave e deri në fillim të pjekjes së frutave: kryesisht rekomandohet përdorimi i plehrave me sasi më të balancuar të Azotit, Fosforit dhe Kaliumit (NPK 2:1:3 si dhe 1:0.5:4)
- Gjatë pjekjes së frutave: rekomandohet përdorim i plehrave NPK 1:4.5:1.
Ndërsa, sa i përket programit të mbrojtjes ndaj sëmundjeve, mund të merren masa parandaluese për mbrojtje nga sëmundjet kryesore si: vrugu, kalbëzimi, djegia bakteriale, fuzariozat, kalbëzimi i qafës së rrënjëve, verticilliozat, dhe shumë sëmundje të tjera, ku fillimisht duhet të merren masat preventive. Këto përfshijnë zbatimin e masave të duhura agroteknike si: zgjedhja e farës tolerante ndaj sëmundjeve, mbjellja në kohë, ajrosja e duhur, ndriçimi i mirë, ujitja e kontrolluar, dhe ushqimi i balancuar.
Si masa të tjera, përfshihet edhe përdorimi i preparateve kimike. Rekomandojmë të përdoren preparate në bazë të bakrit dhe sulfurit, të cilat janë të pranueshme edhe në bujqësi organike. Megjithatë, këto masa duhet të ndërmerren bazuar në situatën aktuale në terren dhe duhet të konsultohet agronomi më i afërm i zonës.