Bullgari | 25–27 qershor 2025
Me sukses është përmbyllur vizita tre-ditore për shkëmbim përvojash në Bullgari, organizuar nga AgroDev Kosovo në bashkëpunim me Shoqatën e Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë. Kjo vizitë kishte për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të fermerëve nga Kosova përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave me aktorë të suksesshëm të këtij sektori në Bullgari.
Gjatë kësaj vizite, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë pemishte moderne, si dhe disa nga ndërmarrjet më të avancuara në Evropë për përpunimin e arrës dhe lajthisë. Gjithashtu, ata u pritën nga Instituti i Bujqësisë në Plovdiv, ku u prezantuan me teknologjitë më të fundit të kultivimit, përpunimit dhe paketimit të këtyre kulturave me vlerë të lartë ekonomike.
Përvoja e fituar gjatë vizitës shërbeu si një platformë e rëndësishme për ngritjen e njohurive praktike dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunime të ardhshme ndërkombëtare. Një fokus i veçantë iu kushtua aspekteve të teknologjisë, menaxhimit të cilësisë dhe standardeve evropiane për eksport.
Në këtë aktivitet morën pjesë fermerë liderë të kultivimit të arrës dhe lajthisë nga Kosova, të cilët do të kenë rolin e përçuesve të praktikave të reja në komunitetet e tyre. Përmes aplikimit të këtyre njohurive në terren, pritet një rritje e qëndrueshme në cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Vizita u realizua me mbështetje financiare nga KEP Trust, institucioni lider mikrofinanciar në Kosovë. Kontributi i KEP Trust si partner ka qenë thelbësor në fuqizimin e njohurive dhe aftësive të fermerëve, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në vend.



