Punëtoria “Partneriteti Agro-Media” adreson sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit të bujqësisë dhe medias

Më 16 qershor 2025 u mbajt punëtoria “Partneriteti Agro-Media”, e cila u fokusua në adresimin e sfidave dhe identifikimin e mundësive për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet aktorëve të sektorit bujqësor dhe atij mediatik. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit EREA, që implementohet nga Caritas-i Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).

Gjatë punëtorisë u trajtuan disa tema kyçe, përfshirë mundësinë për krijimin e një ekosistemi funksional agro-media, vlerësimin e potencialit të partneritetit për promovimin e sektorit agro, zhvillimin e strategjive bashkëpunuese për informim dhe transparencë më të mirë në bujqësi, si dhe roli i medias në nxitjen e zhvillimit rural dhe bujqësor. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte promovimi i gazetarisë së specializuar bujqësore dhe roli i saj në edukimin e publikut.

Moduli “Adresimi i Sfidave dhe Mundësive Kryesore në Partneritetin Agro-Media” kishte për synim pajisjen e pjesëmarrësve me njohuri, aftësi dhe qasje praktike për të kuptuar dhe menaxhuar në mënyrë efektive marrëdhëniet ndërmjet sektorit të bujqësisë dhe medias. Në fokus ishte rritja e ndërgjegjësimit publik, përmirësimi i informimit rural dhe nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor.

Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet dy sektorëve jetikë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit – bujqësisë dhe medias – duke theksuar nevojën për një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme në informim dhe edukim.

Scroll to Top